Papa Françesku pret në audiencë Presidentin Macron. Bisedohet për emigracionin, konfliktet dhe projektin europian

Jun 27 • Kisha në botë

Zgjati rreth një orë, biseda private e Françeskut me Presidentin francez, Macron. Gjatë takimit, në Vatikan, u fol kryesisht për emigracionin, ambientin dhe çarmatimin. Pasdite Presidenti francez shkoi në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran.

 

 “Mbrojtja e ambientit”, “emigracionet”, “konfliktet dhe angazhimi në nivel shumëpalësh për parandalimin dhe zgjidhjen e tyre”, “posaçërisht lidhur me çarmatimin”. Këto ishin temat e prekura gjatë bisedimeve të përzemërta, në audiencën e Papës me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron, që u prit dje në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Presidenti shoqërohej nga bashkëshortja Brigitte dhe një grup personalitetesh. Kreu i Elizeut u takua, më pas, me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe me kryeipeshkvin Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.

 

Lindja e Mesme, Afrika e projekti europian

Gjatë bisedimeve, u shkëmbyen mendime lidhur me disa nga situatat e konfliktit, posaçërisht në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë. Nuk mungoi as reflektimi i përbashkët rreth perspektivave të projektit europian. U nënvizuan, së fundi, marrëdhëniet e mira dypalëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Francës, me theks të veçantë mbi angazhimin e Kishës dhe kontributin e feve për të mirën e përbashkët të vendit.

Biseda private e Françeskut me Presidentin Macron, në Bibliotekën private të Papës, që zgjati rreth një orë, përfundoi me përshëndetjen e  delegacionit francez dhe shkëmbimin e dhuratave. Françesku i dhuroi kreut të Shtetit francez një medalje të Shën Martinit, ipeshkëv i Tours, i famshëm për episodin, gjatë të cilit e ndan përgjysmë me shpat, mantelin e tij me një të varfër, që dridhej nga të ftohtit. Macron, para se ta përshëndeste përzemërsisht Françeskun, i dhuroi një botim të rrallë, në italisht, të veprës së Georges Bernanos “Ditari i një famullitari katundi”.

 

Ceremonia në Shën Gjonin e Lateranit

Pasdite kreu i Elizeut shkoi në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, për të marrë në dorëzim titullin e Protodiakonit të nderit të kapitullit lateranens. U prit nga kryeipeshkvi mëkëmbës – kardinali i ardhshëm – Angelo de Donatis si dhe nga të gjithë kanonikët./radiovaticana.com

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »