Kardinali shqiptar Ernest Simoni nderohet me çmimin  “Toma More” në Austri

Jun 28 • Kisha në botë

Në Abacinë mesjetare Cistercense të Shën Kryqit (Heiligenkreuz), në afërsi të kryeqytetit austriak, Vjenës, më 21 qershor iu nda çmimi “Toma More” (Thomas Morus), kardinalit shqiptar Eminencës së tij Don Ernest Simonit nga përfaqësuesit e Urdhrit të Shën Gjergjit, i njohur edhe si Urdhri i Katër Perandorëve Romak. Ishte vetë guvernatori i Urdhrit të Shën Gjergjit, Princ Gundakar i Lichtenshtajnit, që dorëzoi personalisht këtë çmim kardinalit, i cili jepet për herë të parë.

 

Ngjarja festive e ndarjes së çmimit kishte filluar me lutjen e mbrëmësores solemne në kishën e Abacisë, e cila ishte përplot me personalitete të shquara dhe besimtarë, e udhëhequr nga Nunci Apostolik në Austri, Imzot Peter Stephan Zurbringgen. Këndimi gregorian i psalmeve në latinisht nga etërit cistercitë, krijoi ambient shpirtëror gjatë së cilës përjetohej bukuria e lavdit dhe lutjes shekullore e rregultarisë perëndimore, që e karakterizohet nga motoja “Ora et Labora”.

Programi vazhdoi me aktin festiv të ndarjes së çmimit në sallën e mbretit, e cila kishte mysafirë të lartë e të nderuar si, Imzot Peter Stephan Zurbringgen, Nunci Apostolik në Austri, Imzot Andreas Laun OSFS, ipeshkvi emerit i Salzburgut, Abati Gregor Henckel Donnersmarck, Abati Maximilian Heim OCFS, nikoqiri i Abacisë, personalitete të artit, kulturës, shkencës, etër cistercitë, miq e dashamirë të popullit shqiptar, të Urdhrit të Shën Gjergjit të Abacisë dhe një grup i besimtarëve të Misionit Katolik Shqiptar në Austri, të udhëhequr nga misionari Don Nikson Shabani.   

Mbas fjalës përshëndetëse të abatit Maximilian Heim, si zotshtëpie, dhe leximit të letrës së kardinalit të Vjenës, Eminencës Christopf  Schönborn, fjala iu dha guvernatorit të Urdhërit të vjetër të Shën Gjergjit, Princit Gundakar i Lichtenshtajnit. Ai spjegoi para të pranishmëve rëndësinë e çmimit, mënyrën e përzgjdhejes së personalitetve për t’iu dhënë çmimin dhe arsyen pse është përzgjedhë Eminenca e tij Kardinal Simoni.

Letra apostolike e formës Motu Proprio, e Papa Gjon Palit II, që mban datën 31 tetorit 2000, me të cilën shpalli Shën Toma Morin pajtorin e pushtetarëve dhe polikanëve, ishte motivi i themelimit të këtij çmimi. Shën Toma na mëson se qeverisja para të gjithash është ushtrim vyrtyti. I përforcuar me parime të qarta morale, burrështetasi anglez veprimtarinë e tij publike e vendosi në shërbim të personit, veçënarisht kur i njëjti ishte në një gjendje të brishtë, të dobët apo të varfër. Të krishterët e ndershëm, nëpëmjet të arriturave të tyre në shumë lëmi, si politikë, drejtësi, teologji, mjekësi, shkencë, ekonomië dhe gazetari, duhet t’iu shërbejnë pushtetarëve dhe politikanëve si modele të besueshme për sjelljen morale, kurajo në fjalë dhe veprim, si dhe për vendime të drejta, të vazhdueshme dhe vetëmohuese. Shën Toma Mor, 500 vjet më parë, ishte një shembull brilat, i cili i rezistoi tundimeve përballë një politike brutale të pushtetit të Mbretit Henri VIII. Ai këtë rezistencë do ta paguaj me ekzekutim në Londër.

Në mbarim të këtij prezantimi dhe fjalimi rreth çmimit, përshëndeti përzemërsisht dhe falënderoi në gjuhën shqipe Don Nikson Shabanin besimtarët shqiptar që kishin ardhur në këtë ngjarje të nderueshme. 

Abati Gregor Henckel von Donnersmarck, në fjalën e tij paraqiti jetën shembullore të Kardinal Simoni nga libri i botuar posaçe për këtë rast mbi kardinalin. Paraqitja e tij ishte e zjarrtë, emocionale dhe shumë reale, duke i treguar gjitha periudhat e jetës. Fëmijëria, shkollimi, vuajtjet, arrestimi, dënimi me vdekje e deri te liria dhe ditët e sodit, që ishte edhe një periudhl e historisë së Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Kardinali, dha ai, ja doli duke qëndruar fshehurazi si meshtarë, duke kremtuar meshën e përditshme, dhe duke u bërë një mbështetës shumë i fortë shpirtëror për bashkë të burgosurit e tjerë dhe familjet e tyre. Papa Françesku pasi kishte dëgjuar për vuajtjet 27 vjeçare Don Ernestit, gjatë vizitës së tij apostolike në Shqipëri, në vitin 2016 e emëroi kardinal. 

Kardinal Simoni, si përfaqësues i të gjithë të krishterëve shqiptarë të shtypur dhe përndjekur nga komunizmi i Enver Hoxhës, pranoi këtë çmimin unik, i cili do t’u jepet personaliteteve të njohura gjithmonë në ditën e festës së Shën Toma More, 22 qershor, si meritë për dëshminë e ungjillit në kohë dhe periudha të vështira për të krishterët.

Çmimi është një medalje argjendi me një diametër prej 9 cm, që mban Shën Tomën Mor në pjesën e përparme, Shën Gjergji dhe dragoi në pjesën e pasme. Princi Lichtenshtain, para se t’i dorëzoj medaljen, lexoi dokumentin e plotë i cili është hartuar në mënyrë të përpiktë e i nxjerrë nga arkivat mesjetare mbretërore.

Në fund Eminenca e tij Ernest Simoni, falënderoi për çmimin e dhënë dhe foli rreth jetës dhe veprimtarisë së tij nën sundimin komunist, duke mos harruar edhe kohën e lirisë. Forcën, guximin, këmbënguljen e qëndrueshmërinë e kishte marrë nëpërmjet lutjes, meshës së përditshme dhe hirit të Zotit. Vetëm nëpërmjet mund të japim dëshminë e të vërtetës së ungjillit.

Të nesërmen Kardinal Simoni qe mysafir i Nuncit Apostolik Imzot Peter Stephan Zurbringgen. Kremtuan një meshë me personalitet në Nunciaturë dhe pastaj nunci shtroi një dreke solemne në nder të kardinalit./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »