Besimi ynë me fuqinë shëruese të Jezusit ndryshon gjithçka

Jun 30 • Meditimi i ditës

30 qershor 2018 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vaj 2, 2.10-14.18-19; Ps 73; Mt 8, 5-17)

 

Prania e Hyjit
Teksa po e filloj këtë meditim, Hyji është këtu i pranishëm,
ai i jep jetë jetës sime dhe gjithë asaj që më rrethon.
Do të qëndroj në heshtje një çast,
dhe do të bëhem i/e vetëdijshëm/e për praninë e Hyjit.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 


Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.



Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


 

Mt 8, 5-17


5 Kur Jezusi hyri në Kafarnaum, iu paraqit një centurion dhe iu lut:

6 “ Zotëri, shërbëtori im është i shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë.”

7 Jezusi i tha:

“Do të vij dhe do ta shëroj.”

8 Por centurioni iu përgjigj:

“O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim, por vetëm jep urdhër e shërbëtori im do të shërohet. 9 Sepse, edhe unë që nuk jam tjetër, veçse një njeri i nënshtruar, kam nën urdhrin tim ushtarë dhe unë i them njërit: ‘Shko!’ dhe ai shkon e një tjetri: ‘Eja!’ dhe ai vjen, e shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë!’ dhe ai e bën”

10 Jezusi, kur e dëgjoi, u mrekullua dhe u tha atyre që po i shkonin pas:

“Për të vërtetë po ju them: ende nuk e gjeta te asnjë njeri tjetër në Izrael një fe kaq të madhe! 11 Prandaj po ju them: shumë do të vijnë nga Lindja e nga Perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Izakun e Jakobin në Mbretërinë e qiellit, 12 ndërsa bijtë e Mbretërisë do të hidhen jashtë në errësirë, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh.”

13 Atëherë i tha centurionit: “Shko e le të bëhet ashtu siç besove!”

Dhe shërbëtori i tij u shërua po në atë orë.

14 Kur Jezusi shkoi në shtëpinë e Pjetrit, pa vjehrrën e Pjetrit të shtrirë me ethe. 15 Jezusi ia preku dorën, atë e lëshuan ethet, u çua dhe i shërbeu.

16 Kur u bë natë i sollën shumë të djallosur. Jezusi me fuqinë e fjalës i dëboi shpirtrat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët, 17 që kështu të plotësohej fjala e Isaisë profet që thotë:

“Ai i mori lëngatat tona e i mbarti sëmundjet tona”


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimi të Shenjtë:

 

  • Zemërbutësia dhe respekti shquheshin në qëndrimin e Jezusit ndaj të tjerëve. Në misionin e tij të predikimit të Lajmit të Gëzueshëm dhe të shërimit ai e merrte iniciativën dhe iu përgjigjej kërkesave. Ishte në kontakt me njerëzit, nganjëherë duke i prekur butësisht si pjesë e shërimit. Duke i përsëritur fjalët e profetit, ai ishte shërbëtori i cili i mori mbi vete sëmundjet tona, duke i shërbyer popullit të tij dhe paganëve. Shërimi i çonte njerëzit në marrëdhënie dhe përgjigje të reja, të tilla si shërbimi ose ndjekja (Mk 10,52).
  • Besimi mundësoi pikën e takimit. Centurioni (kapiteni) nga jeta e tij e njohu pushtetin e fjalës së folur. Kërkesa e tije guximshme ishte e frymëzuar nga bindja se Jezusi mund të shërojë në atë mënyrë, se e kishte autoritetin për ta bërë këtë. Fjalët e tij i përsërisim në meshën e shenjtë: “O Zot, unë nuk jam i denjë, që të hysh në pullazintim, por thuaje vetëm një fjalë, e shpirti im do të shërohet.” Besimi i centurionit takohet me fuqinë shëruese të Jezusit dhe gjithçka ndryshon. 

Zoti na e zbulon veten e vet nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Ungjillit edhe një herë, nëse duhet disa herë.

Qëndro në frazën, shprehjen e pjesës së sotme të ungjillit që më së shumti të “thumbon”.

 

Bashkëbisedimi

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,

Me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllje

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe meditimi mbi Shkrimin Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »