Nga Albanët (Ilirë) deri te Arbërit ose nga antika deri në mesjetë

Jun 30 • Histori, Kulturë, Letërsi

Nga Prof. dr. Engjëll SEDAJ

 

Paraqitja e etnonimit arbën para kronistëve bizantinë

Në literaturën albanologjike paraqiten disa prova historiografike që plotësojnë një hiatus ose vakuum të gjatë, si të thuash, prej Ptolemeut deri në kohën e kronistëve bizantinë, të mosparaqitjes së etnonimit arbër. Këto plotësime janë: shënimi nga Liber Pontificalis për papën, Inocentin I (401-417), si natione albanese (me kombësi shqiptare), disa motërzime të Këngës së Rolondit që në shek. XI, ku del etnonimi Albani (Albania), si dhe konstatimi i historianëve se në vepërn e K. Porfirogjenitit “Mbi qeverisjen e Perandorisë”, del i njohur etnonimi arbër. Ky moment është mjaftë i rëndësishëm dhe tanimë del qartë se emri mesjetar i popullit shqiptar ishte i njohur në kohën e tij, që është shek. X, duke përdorur emërtime antike, sepse ky autor bizantin e dinte se banorët e Gadishullit Ballkanik, që dikur quheshin ilirë, në kohën e tij kishin emrin albanë (arbër).

Një përpjekje në përcaktimin e shtrirjes së Arbanonit në shek. XI, në kuptimin etnik të Ijalës, e ka bërë K. Luka, duke lokalizuar toponimin Albeinje (Albeigne) dhe Albanie pikërisht nga Kënga e Rolandit, të parin te Kepi i Pallës, në veri të Durrësit, kurse të dytin afër Kepit të Gjuhës, në jug të Vlorës,[1] [2] [3] që tregon shtrirjen më të hershme të arbnorëve në këto vise. Prandaj, emërtimi i Arbanonit qysh në këtë kohë përfshinte edhe qytetin e Durrësit dhe shtrihej përtej qytetit të Vlorës.[4]

Në fakt, shtrirja e etnonimit, sipas dëshmisë në një version të dytë të Këngës së Rolandit, kishte filluar që në kohën e luftimeve të bizantinëve kundër normanëve dhe vazhdoi në kohën e anzhuinëve, kështu që edhe mund të flitet për një periudhë kur etnonimi megjithatë do të paraqitet para kronistëve bizantinë, ndoshta për të parën herë pikërisht në një roman në gjuhën frënge, me tituli Florimont (1188), të autorit Aimon De Varannesi, me syzhe shqiptaro-ballkanike,[5] [6] [7] ku përmendet “la terre d’ Albanie” (toka e Arbërit), dhe kjo përmendje është e përsëritshme nga vargjet 485- 13326,[8] sikur që del edhe emri i Durrësit si Duras etj.[9] [10] [11]

Pra, në lidhje me paraqitjen e emërtimit Arbën në këtë periudhë të kalimit prej antikës në mesjetë, nuk janë më pak të rëndësishme në shek. XI, as burimet perëndimore, duke shënuar pikërisht edhe trevat jugore në shtrirjen Durrës – Butrint, si dhe duke shënuar trajtën me alb-, të cilën do ta gjejmë edhe në historiografmë bizantine, që përsësi tregon variabilitetin e këtyre dy likuideve, pa ndryshuar vlerën (fonetike dhe) semantike të fjalës.

Mirëpo, nga këto të dhëna nuk kuptohet saktësisht se në çfarë përmasash gjeografike përdorej emërtimi i përbashkët i popullit nga të tjerët me një emër të përbashkët, kështu që nga mungesa e burimeve historike për shekujt e parë të mesjetës etnonimi del i shkruar vetëm me dobësimin dhe rënien e Perandorisë Bizantine, me shthurrjen e njësive ushtarako-administrative të saj, përkatësisht me konfrontimet që ajo i ka me perëndimorët, te të cilët shqiptarët nuk kishin të formuara asnjërën nga dy komponentet kryesore të konceptit të atëhershëm mbi kombësinë, që ishin komponenti politik dhe fetar. Prandaj, sipas një logjike të shëndoshë, përmendja e emërtimeve “romaioi” dhe “bulcharoi” në burimet historike mesjetare të hershme, si pjesëmarrës të ngjarjeve politike dhe ushtarake në trevat shqiptare në shek.XI-XIII, nuk tregon medoemos “grekët” dhe “bullgarët,” por ndoshta edhe arbërit, kështu që duhet konstatur më parë nëse janë plotësuar konditat politike (dhe fetare) për t’u paraqitur etnonimi me vlerën e tij etnike, i cili në njëfarë mënyre gjithsesi do të ketë ekzistuar.

Kur jemi te zhvillimet e etnonimit prej antikës deri në mesjetën e vonshme, duhet pasur parasysh se fqinjtë e arbëreshëve mesjetarë, si dhe përmendja e emrit Arbni qysh në vitin 1199 në administratën e Nemanjiqve, tregon se ai përdorej para se sllavët të pushtonin këto vise, që do të thotë se ky toponim (dhe etnonim) kishte karakter të zgjeruar kombëtar, e jo karakter të ngushtë krahinor, kështu që, s’ do mend, ai do të ketë pasur një zhvillim shumë shekullor të mëparshëm edhe në kuptim të shtrirjes dhe të stabilizimit të tij, kurse në aspektin gjuhësor ende jemi në atë periudhë historike kur trajta e zgjeruar – arbëresh – nuk është në përdorim, kështu që edhe përmes trajtës arbën mund të ndiqet vazhdimësia iliro-arbërore.

Në këtë drejtim duhet pasur parasysh gjithashtu se në procesin e gjatë të kalimit nga emri i fisit ilir albanoi, deri te emri i popullit arbën, kanë ndikuar shumë faktorë, kurse një prej faktorëve kryesorë është mungesa e elementeve të huaja në toponiminë e rrethit të Krujës, si dhe fakti se këto toponime, si dhe vetë etnonimi arbën, është formësuar sipas ligjshmërive të gjuhës shqipe, që përsëri tregon lashtësinë e etnonimit para se të jetë i shënuar ai nga kronistët bizantinë.

Sa u përket proceseve gjuhësore, E. Çabej thotë se emri i albanëve të Ptolemeut, i ruajtur në Arbën, është zhvilluar sipas fonetikës së shqipes,[12] [13] dhe, në anën tjetër, siç dihet, për ubikacionin e qytetit Albanopol nuk ekziston altemativë tjetër veçse ajo që është konstatuar në trevën e qytetit ilir të Zgërdheshit,[14] kurse këta faktorë ndërlidhen edhe me toponimet në këtë krahinë si monumente të përbashkëta edhe të lashtësisë së etnonimit.

Këto momente nuk janë karakteristike vetëm pse emri arban, arbën, që shënon kapërcimin nga një fis ilir -Albanoi- te populli arbnor, por edhe pse në versionin e mëvonshëm, në mesjetë (në vitin 1042 dhe 1079), nga autorët grekë, Mihail Ataliati dhe Ana Komnena, emri i “shqiptarëve” përdoret përsëri tri herë, dy herë me emrin Albanoi, një herë Arbanitai, që definitivisht të nënkuptohet përgjithësimi i këtij emërtimi, jo vetëm brendapërbrenda arbnorëve, por edhe te të gjithë fqinjtë e tyre, në kohën e formimit etnik të tyre, përkatësisht në kohën kur ky formim kishte arritur konsolidimin e konsiderueshëm të tij. Në rrugën e gjatë të këtij konsolidimi, në trevat e Arbërit paraqiten edhe emërtime të tjera etnonimike, sidomos të emërtimeve të ilirëve.

 

Arbërit dhe ilirët

Në njërën anë, pra, “shqiptarët” në emërtim paraqiten në historiografi në shek. XI, kurse, në anën tjetër, ilirët, si kategori historike me një vetëdije etnike, sipas mendimit të disa studiuesve, nuk përmenden më në fillim të mesjetës, ngase termat e mëvonshme (greq.) hoi Illyrioi episkopoi (ipeshkvët ilirë) dhe ndonjë term i ngjashëm, siç i gjejmë në patrologjinë greke, ose siç është ai, që përdor në shek. XI Niqifor Brijeni, metropolis tu Illyriku (metropol i Ilirikut) për Durrësin, nuk kanë kuptim etnik, por gjeografik.[15] Kuptim gjeografik do të ketë mbase edhe Arbum që, si qendër ipeshkvnore, bashkë me Spalatum, Tragurium, Scardonam, Arausonam, ishte nën jurisdikcionin e kishës së Salonës,[16] para se të rrënohej ajo, mirëpo, kuptimi gjeografik parimisht nuk e mohon as kuptimin etnologjik, dhe ky jurisdiksion i Salonës (Solinit) mbi Arbën, Durrësin etj., do të ketë ekzistuar mbase një kohë të gjatë para se të shkatërohej ky qytet i madh ilir nga dyndja e popujve, që do të thotë para ardhjes së sllavëve në këto krahina.

Këto diferencime ose përpjekje që të bëhet një diferencim i ngjashëm, do të shkaktojnë huti dhe do të bëhen pengesë për vënien e lidhjes sa më të ngushtë ndërmjet ilirëve dhe arbërve, si të thuash neoilirë,[17] ngase emërtimi i albanëve (antikë), në një mënyrë, qendron ndërmjet atyre vlerave etnike që shënojnë trajtat e ilirëve, në njërën anë, dhe të arbërve (mesjetarë), në anën tjetër, siç mund të përcaktohet edhe përmes vlerave të përbashkëta iliro-arbërore të disa qyteteve të Shqipërisë (Berati dhe Kanina),[18] si “qytete iliro- arbërore”.

Megjithatë, në biografinë e Dhimitrit, martir nga Selaniku, që është shkruar në fillim të shek. V, thuhet se ai qe prefekt i ilirëve (greq. ton Illyrion), çka do të thotë se në këtë fazë të zhvillimit të terminologjisë etnonimike, mund të jetë i rëndësishëm elementi etnik, sikur edhe elementi gjeografik, në kuptim të stabilizimit dhe të konsolidimit të terminologjisë greko – romake me elementin vendës, në kuptim të diferencimit etnik dhe gjuhësor.

Në këtë stabilizim, s’do mend, më i përshtatshëm në të dy gjuhët (klasike) liturgjike do të ketë qenë emërtimi Albanoi (dhe Arbanon) sesa Illyrioi, që ishte koncept i përgjithësuar për “barbarët” dhe mjaft pagan, ndonëse të dy emërtimet janë në lidhje të drejtpërdrejtë me antikën. Përparësia e emërtimit Albanoi do të ketë qenë edhe në faktin e gjendjes më konkrete në çdo pikëpamje, kundrejt relativizimit të termit ilir dhe të krahinës së Ilirikut, të cilin do ta vërshojnë popuj të huaj, sidomos bullgarët dhe sllavët e tjerë, duke ia ndryshuar dukshëm pamjen etnike, kështu që nga këto lëvizje të mëdha do të shkatërrohet edhe Salona, si qendër metropolitane kishtare e mbarë Ilirisë, dhe do të krijohen qendra të tjera, prej të cilave në trevat shqiptare do të dallohet sidomos Durrësi dhe Arbnia.

Megjithatë, nuk duhet vajtur në skajshmëri përkitazi me përdorimin traditor të emërtimit “ilir” te shqiptarët, sepse, siç dihet, edhe Pal Engjëlli, argjipeshkvi i Durrësit (1460-1469), do të bëhet “Illyricae regionis iudex” (gjykatës i krahinës Ilirike), [19] titulli që do ta ketë më vonë (1685) edhe kardinal Grigor Barbadiku,[20] botuesi i veprës së P. Bogdanit, dhe i cili titull, me siguri, do të ketë pasur traditë të gjatë, siç veprohet zakonisht në traditën kishtare në ruajtjen e emërtimeve.

Këtu, gjithashtu, duhet thënë se nuk mungojnë të dhënat nga historiografia bizantine, kur shqiptarët emërtohen me dy emëra: kështu, bie fjala, në shek. XIII, Pahimeri i quan shqiptarët Illyrioi dhe Albanoi, kurse Efremi në shek. XIII-XIV e quante Shqipërinë “tokë ilire.”[21] Në këtë mënyrë, mund të kuptohet se, sikurse autorët bizantinë, ashtu edhe ata latino – perëndimorë, kishin qasje të drejtë ndaj terminologjisë tradicionale, dhe dallimet ishin të pakta, ngase ende ishin në përdorim të vazhdueshëm dy gjuhët klasike, prej të cilave, siç dihet, greqishtja e ka pasur përparësinë, kështu që edhe terminologjia etnonime e kësaj gjuhe kishte rëndësinë e vet.

Në fakt, edhe në aspektin gjeografik, albanët ilirë, përkatësisht arbërit mesjetarë, të konceptuar si “shqiptarë të hershëm”,[22] do të shtrihen në kufijtë, ku përfundon Iliria, për t’u kufizuar me Greqinë dhe me Makedoninë në antikitet, që do të jetë karakteristike permanente e shqiptarëve gjatë shekujve, duke qenë në kufirin e ndarjes së interesave të influencave ndërmjet grekëve dhe romakëve, ndërmjet bizantinëve e perëndimorëve (romanëve), ndërmjet turqve (islamikëve) dhe të krishterëve, etj.[23] [24]

Natyrisht, Iliriku (Iliria) në antikën e vonshme dhe në mesjetën e hershme, ishte gjithsesi koncept më i gjerë sesa që ishte Arbanoni dhe arbanitët e tij, por me kohë do të kufizohet, dhe pothuajse krejtësisht do të evitohet nën ndikimin e kristianizimit të popujve. Në këtë proces të zhvillimit të marrëdhënieve të gjithmbarshme shoqërore dhe ekleziastike, do të stabilizohet emërtimi arbën, i ndikuar më së tepërmi nga faktori etnik, kurse mos shfaqja e këtij emri nacional in charta, prej kohës se Ptolemeut deri në shek. XI, mund të shpjegohet nga fakti se “shqiptarët” nuk ishin formuar politikisht në mënyrë të shënuar,[25] ndonëse etnonimi (dhe toponimi) karakteristik ekzistonte, si të thuash, në një formë mjaft të pasivizuar, në rrethana relativisht të qeta, para kohës së kryqëzatave.

Kur është fjala te periudha prej antikës deri në mesjetë, në kohën kur edhe grekët, nën ndikimin e Perandorisë Romake Perëndimore, do të quhen Romaioi, sikur edhe në kohët e mëvonshme, këto koncepte gjeografike, që janë Iliriku, Epiri dhe Makedonia, do të ndikojnë edhe në përdorimin e emërtimeve përkatëse me kuptim të etnonimit, por pa pasur fuqinë e mbisundimit mbi etnonimin arban.

As dyndja e sllavëve nuk do të ndikojë në aktivizimin e dendur të etnonimit arban, për shkak të ortodoksizmit të tyre (pro)bizantin, që objektivisht nuk do t’i diferenconte arbërit në elementet e tyre etnike, por do t’i njësonte në përcaktimet e tyre politiko-fetare. Ky etnonim do të aktivizohet në atë moment historik, kur shfaqen edhe fuqi të tjera etnike karakterizuese të këtij populli, si në jetën politike, ashtu edhe në veprimtaritë ekleziastike, të cilat fuqi, deri atëherë, kishin qenë të penguara, sidomos nën sundimin bullgar dhe në ato territore ku shtrihej influenca e madhe e sllavëve.

Së këndejmi, në këtë periudhë, gjatë fazës së fundit të sundimit romak dhe të dyndjes së sllavëve, janë përfunduar procese gjuhësore, në kuptim të formimit të gjuhës shqipe, nga njëri ose nga disa dialekte të ilirishtes, që fliteshin çiltas në këto krahina të Arbnit.[26] Është edhe një moment tjetër karakteristik, se qysh në shek. XI, me përgjithësimin e emërtimit të arbënit, etnonimi ndodhet në një stad mjaft të avancuar, në kuptim të përfshirjes së tij, si të elementit qytetar, ashtu edhe të atij fshatar e malësor,[27] [28] në konditat e ndryshimeve të mëdha sociale e politike, të shkaktuara kryesisht nga faktori jashtë ballkanik.

Në dokumentet greke këtë leksemë, si etnonim ose toponim, e ndeshim edhe në variantet e tjera, siç janë: Albanon, Albaniton (Georg Akropoliti ), Arvanon, Arvanitas, etj., pra, gati njësoj sikur edhe në njërin prej tri dokumenteve të para të gjuhës shqipe, që është “Perikopeja ungjillore” nga fundi i shek. XV, në trajtën Albanitikon, që del vetëm te pjesa greqisht dhe lexohet dy herë. [29] Mirëpo, as kjo formë nuk do të jetë tipike greko – bizantine, ngase është mbi bazën e trajtës së etimonit alb,- që është më karakteristike në dokumentet latino – perëndimore, pikërisht ashtu siç do ta përdorë (Albaniton) autori grek Akropoliti, i cili e njeh fort mirë edhe Arbanonin.[30] Prandaj, variabiliteti i likuideve 1/r do të jetë i zakonshëm edhe në këtë periudhë historike, siç do të përdoret në këto dy variante (alb/arb) edhe te M. Ataliati.

 

Albanoi dhe Arbanitai te M. Ataliati

Njoftimet e M. Ataliatit mbi shqiptarët kanë rëndësi jo vetëm pse ai i përmend ata me emrin e tyre etnik, e kjo do të thotë se edhe në punë të karakteristikave gjuhësore grekët e pranojnë versionin e emërtimit të etnonimit shqiptar, por edhe pse ata i paraqet si pjesëmarrës aktivë në jetën politike, si pjesëmarrës në kryengritje të Perandorisë Bizantine. Në këtë mënyrë, dokumentohet ekzistenca e shqiptarëve, si një kombësi më vete, që dallohet nga kombësitë e tjera, dhe ky dallim do të ketë ekzistuar edhe disa shekuj më parë, për të qenë të shënuar në shek. XI, sepse diferencimi i elementeve etnike mund të bëhet vetëm pas proceseve të gjata të zhvillimit etnokulturor, kështu që tradita historiografike botërore mbi Shqipërinë mesjetare dhe historiografia shqiptare, si burim të parë të etnonimit të shqiptarëve, kanë pranuar pikërisht Mihail Ataliatin.

M. Ataliati, duke përshkruar ngjarjet në territoret italiane të Perandorisë Bizantine, përmend si kundërshtarë të perandorisë, bashkë me latinët (sc. normanët) edhe Albanoi, përkatësisht Alvanoi, të cilët, në një vend tjetër të veprës së tij, i përmend përsëri si pjesemarrës, së bashku me bizantinët, duke qenë të të njëjtit besim me ta në kryengritjen e dukës, Gjergj Maniakut (Georgius Maniakes), në vitin 1042/43, kurse të tretën herë i përmend, duke bërë fjalë për kryengritjen e dukës së Durrësit, Niqifor Vasilaqit (Nikeforos Basiliakios), por tani me emrin Arbanitai, përkatësisht arvanitai, që, sipas disa studiuesve (bashkëkohorë grekë), ka zgjuar asociacione të dy emërtimeve të ndryshme.[31] [32] [33] [34] [35]

Kjo çështje është bërë kontestuese nga ana e disa studiuesve grekë dhe bullgarë ndoshta pikërisht për të ndërprerë lidhjen me antikën që vihet nëpërmjet këtij etnonimi. Mirëpo, kjo lidhje është evidente pikërisht te M. Ataliati, i cili, duke folur për të njëjtin popull, në njërën anë përdor emërtimin Albanoi, sikur Kl. Ptolemeu, kurse, në tjetër anë, Arbanitai, për të interpretuar etnonimin në formën bashkëkohore (të kohës së tij), që do të thotë trajtën letrare (shkrimore) dhe trajtën popullore. Prandaj, siç thotë edhe K. Bozhori, për historiografinë shqiptare dhe botërore nuk ka dyshim se për këtë autor, Albanoi dhe Arbanitai, janë po ata të njëjtit,[36] dhe se teza e bizantologes greke, E. L. Vranusi,[37] se emri etnik i shqiptarëve mund të jetë vetëm Arvanitas dhe jo Albanoi, siç e përdor M. Ataliati, nuk është mjaft e argumentuar.

Ajo mendon se termi i parë (Albanoi) nuk jep kuptimin e albanëve nga Gadishulli Ballkanik, por është një koncept karakterizues për “të huajin,” lat. albanus, albania, aubain, që në fakt, sipas kësaj autore, ishin normanët, përkatësisht frankët, mirëpo edhe lidhur me këtë çështje janë dhënë shpjegime të mjaftueshme nga dijetari francez A Dyselie.[38]

Sidoqoftë, tendenca e kësaj teze është që Albanoi te M. Ataliati të paraqiten të huaj edhe për konceptimin e termit Latinoi, siç kishte menduar edhe dijetari bullgar R. Stoikov, i cili thoshte haptazi se këta Albanoi kishin qenë skocezë të Albanisë britanike.[39] Tendenca e kësaj teze është që të shkëputet vazhdimësia nga ilirët tek arbërit, me arsyetim se gjoja vetëm forma Arvanitas (Arvanitai) është e rregullt, që u përgjigjet rregullave gjuhësore të greqishtes së vjetër, mesjetare dhe të resë, dhe se dy format (Arvanites dhe Alvanoi) nënkuptojnë dy popuj, e para, shqiptarët dhe e dyta, normanët. Këta dy autorë, grekja dhe bullgari, përjashtojnë edhe mundësinë e ekzistencës së ushtarëve shqiptarë në radhët e ushtrisë bizantine në Itali.

Në lidhje më këtë mendim, për dallimin e këtyre dy trajtave, natyrisht, mund të thuhet se, meqenëse dallimi formal në mes të këtyre dy trajtave ekziston, nuk përjashtohet mundësia që trajta mbi bazën arb-, siç u tha edhe më sipër, në një formë tjetër, të jetë më popullore, kurse ajo mbi bazën alb- më letrare, por që njëra-tjetrën nuk e kundërshton në kuptimin etnik. Madje, paraqitja me dy baza të këtij etimoni te M. Ataliati, mund ta ketë shpjegimin në gjendje faktike të dy fuqive të mëdha ushtarake të asaj kohe, që ishin normanët dhe bizantinët.

Ç’ është e vërteta, M. Ataliati thotë se albanët dhe latinët deri vonë ishin shtetas të barabartë të perandorisë dhe kishin të njëjtën fe me bizantinët,[40] por pastaj u bënë kundërshtarë të tyre, që do të thotë se albanët nuk kishin të përbashkët me bizantinët asnjë nga dy komponentet e kombësisë, që ishin shtetësia (bizantine) dhe riti konfesional greko-bizantin. Vetë M. Ataliati njofton se albanët (arvanitët) në vitin 1043 kishin prijësin e tyre ushtarak të veçantë nga ata të bizantinëve, kurse sipas njoftimeve të A. Komnenës nga v. 1081, ky prijës i albanëve kishte titullin komeskortes, me një pavarësi nga Konstandinopoja (njësoj si me prijësit e pavarur të Dalmacisë dhe të Dukljes.)[41]

Me fjalë të tjera, arbanitët, duke ndjekur ritin latin edhe në vendin e tyre, tani, në kontakt me normanët, kishin dëshmuar se nuk kishin komponentet e kombësisë me ata grekë që quheshin “romaioi,” e as me ata bullgarë që quheshin “bulcharoi,”[42] [43] dhe si të tillë manifestonin identitetin e tyre nacional me tipare vetanake, kështu që etnonimi arbëresh, duke pasur përmbajtje etnike, do të shtrihet mbi të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga dallimet konfesionale, të cilat, siç dihet, do t’i praktikojë edhe vetë Skënderbeu, si një praktikë e përhershme shqiptare, qoftë ortodokse ose katolike.

Së këndejmi, politika represive ndaj shqiptarëve (katolikë) nga ana e Nemanjiçve, e sidomos Kodi (1349) i Car Dushanit, u bë shkas për orgnaizimin mbrojtës nga Papati dhe Evropa katolike, që do të ndikojë përsëri në paraqitjen e tipareve nacionale karakteristike shqiptare. Disa bula papnore nga shek. XIV (1317-1320), në të cilat përmendet Regnum Albaniae (Mbretëria e Arbërisë), janë në lidhje me një kryengritje kundër sundimit serb, kështu që Papati ishte i gatshëm të organizonte edhe një koalicion më të gjerë të qeveritarëve katolikë (mbreti i Hungarisë Karli I Roberti, bani i Kroacisë dhe Bosnjës, Mladeni II etj.) në mbrojtje të katolikëve të kësaj mbretërie të Arbërisë.

Mbase këtu qendron shkaku kryesor i paraqitjes së etnonimit në historiografi përgjithësisht, që është një diferencim nacional, pikërisht nga grekët dhe sllavët përgjithësisht, duke diferencuar elementin fetar kishtar që ndikoi shumë në rritjen e vetëdijes kombëtare te shqiptarët për t’u bërë “një barrierë e fuqishme kundër asimilimit sllavo – grek”, kështu që drejtimi kur konfesioni katolik fitoi terren ishte trevë që përputhet me shtrirjen e Arbërit historik.[44] [45] [46] Në këtë drejtim edhe konstatimi i F. Nolit se “katolicizma, nga njëra anë, i jipte Shqipërisë bashkimin që i mungonte si shtet dhe nga tjetra e lidhte me botën e krishterë evropiane”,[47] [48] [49] është në lidhje me të gjitha ecuritë dhe faktorët kryesorë për ruajtjen dhe kultivimin e etnonimit arbëresh dhe të etnisë shqiptare në përgjithësi.

 

Albanoi te A. Komnena

Te A. Komnena (1083-1148), si dhe te disa kronistë të tjerë bizantinë (të mëvonshëm), etnonimi përdoret në formën Albanoi (gjinorja e shumësit: Albanon). Duke përshkruar qeverisjen e babait të saj, Aleksit I (1081-1118) dhe luftën e bizantinëve kundër normanëve në afërsi të Durrësit, A. Komnena jep të dhëna të plota edhe për krahinën e Arbanonit dhe të arbnorëve të tij. Ajo thotë se në muajin tetor, më 1081, babai i saj u largua nga Durrësi, akropolin e të cilit e kishte lënë në duar të venedikasve, ndërsa pjesën tjetër të qytetit ia kishte lënë Komiskortit, i cili ishte nga arbanët (to eks Arbanon hormomeno Komiskorti), shprehje kjo që është bërë edhe kontesuese në historiografi. Dallimi është shikuar fillimisht te Ptolemeu, sikur ai të kishte menduar për një emër vendi, Albanon, e si etnikon Albanon (me theks në omegën e fimdit), dhe këtë mendim e kishte shfaqur P. Furikis.[50] [51] [52]

Megjithatë, duhet thënë se A. Komnena ka dëshmuar njohjen brilante të ngjarjeve, të njerëzve dhe të toponimave. Në veprën e saj, ku përmenden Drini, Devolli, Erzeni (ton Harzion), Lezha (Elisos), Mokra (Mokroi) etj., mund të veçohen këta kapituj: Territori në afersi të Durrësit, Marrëdhëniet e Onomakut, princit të Durrësit me Mihail Bodinin, Normanët në Makedoni, Luftat me normanët në Dibër, Paraqitja e detit Adriatik dhe e lumit Dri, etj. Ndërkaq, për çështjen tonë, interes të shtuar zgjon gjithësesi emri Arbanon, që është gjinorja e shumësit e etnonimit Arbanoi.

Nga ky tekst kuptohen elementet etnike të arbnorëve, pikërisht ashtu, siç e ka paraqitur dijetari francez A. Dyselie (A. Ducellier), ngase këta arbnorë kishin qenë të komunitetit të njëjtë shtetëror dhe fetar me romejtë (grekët), me të cilët ishin aleatë edhe në luftimet në Itali. Prandaj, vepra e A. Komnenës është burim me rëndësi të dorës parë për ndriçimin e momenteve diakronike dhe të shtrirjes gjeografike të këtij etnonimi. Madje, nga A. Komnena kuptojmë se arbëreshët ishin faktor me rëndësi, që, më 1081, afer Durrësit, trupat bizantine humben luftën kundër normanëve, që përsëri shprehet individualiteti i tyre në njëfarë aleance properëndimore për shkak të formimit kulturor dhe konfesional dhe për shkak të krizës së madhe të bizantinëve, të cilët i humbin dioqezat e Shqipërisë Veriperëndimore, që lidheshin me Romën katolike. Kështu edhe përcaktimet në terminologji të këtij etnikumi në burimet bizantine nuk kanë vetëm karakter gjuhësor, por edhe karakter historik dhe gjeografik në lidhje me zhvillimin dhe formimin e vetëdijes shekullore të traditës iliro- arbërore në mesjetën e hershme në krahinën e Arbanonit, ndonëse shqiptarët sipas M. Ataliatit, janë, në të vërtetë, aleatë (greq. symmachoi) të bizantinëve, dhe kjo situatë, sipas rezultateve të A. Dyseliesë, do të zgjasë edhe në shek. XII në Arbanonin e Protosebastit Progon, për të vërtetuar gjendjen faktike të integrimit të shqiptarëve në hierarkinë bizantine. I biri i tij, Dimitri, madje “me hirin e Zotit,” do të quhet “paniperervast” dhe “arhont i madh”.[53]

Të dhënat e A. Komnena janë karakteristike përkitazi me Arbanon-in te lokaliteti arkeologjik Zgërdheshi afer Krujës (greq. ton Kroon), çka, nga studimet historike, të bazuara në rezultatet arkeologjike mbi kulturën Koraani-Kroja, kuptohet lidhja bazore në mes ilirëve antikë dhe arbëreshëve mesjetarë.

Edhe në kohën antike Albanopoli kishte lidhje të forta ekonomike me Durrahun (Durrësin), nga i cili ishin dhe qarkullonin monedhat (me Herakliun – armë dhe me Zeusin – trekëmbësh.),[54] [55] Kultura Komani – Kroja, e cila, për arkeologjinë shqiptare, paraqet lidhjen bazore ndërmjet ilirëve antikë dhe arbëneshëve mesjetarë, është urbane, më tepër romake (latine) sesa bizantine, elemente këto që do ta karakterizojnë jo vetëm etimologjinë dhe shënimin e fjalës, por edhe burimin gjeografik dhe shtrirjen e etnonimit edhe në mesjetë.

Në lidhje me këtë kulturë, zgjon interes të shtuar edhe procesi i formimit të emërtimit unik, në kuptim të përgjithësimit të emrit në rrethana të reja të një bashkimi të fiseve ilire (mollosët, labeatët, taulantët, dardanët, enkelejtë, etj.), në kapërcimin e tyre prej fisit në popull, që tregon për dominimin e albanëve në këtë hapësirë gjeografike. S’do mend se këto procese dhe lëvizje të mëdha shoqërore gjatë shekujve mesjetarë nuk do të lejojnë konceptimin e etnonimit të jetë stoik, por ai do të pësojë si të gjitha konceptet ideologjike, në evolucionin e vet historik.[56]

Në këtë proces, rëndësinë e madhe do ta ketë pasur edhe kryeqyteti Albanopoli, për dallim nga Ohri (qyteti i enkelejve), që u bë qendër e madhe bullgare, dhe ndonjë qytet tjetër, që kishte pësuar nga dyndjet e popujve, sidomos nga dyndja e sllavëve të jugut. Pavarësisht nga mundësitë e përcaktimeve kufitare të shtrirjes se Arbanonit, qoftë si element ipeshkvnor ose politiko-shoqëror, si dhe duke e krahasuar me qendra të tjera urbane, siç ishin, Shkupi, Ohri dhe Durrësi, ai dallohej nga elementet më të theksuara etnike, në kuptim të pavarësisë më të madhe, si nga influenca greko-bizantine, ashtu edhe nga influenca sllave, qoftë bullgare, qoftë serbe.

Kur krahasohen sllavët e jugut me Arbanonin dhe ilirët, situatën e paraqet mjaft drejt K. Jireçeku, i cili thotë se “në kohën e dyndjeve të popujve, ilirët e gjysmëromanizuar qenë të shtyrë nga malet ndërmjet Dalmacisë dhe Danubit. Qendra e tyre u bë krahina Arbanum, (Arbanon, Albanon), serbisht Raban te Kroja, ku qysh Ptolemeu, në kohën romake, përmend fisin e albanëve. Nga shek. XI, ky emër u përhap në gjithë popullin, latinisht Arbanenses ose Albanenses.”[57] [58]

Edhe nga materiali epigrafik, kryesisht në gjuhën latine, kuptohet se në veri të Shkumbinit në shek. IV-VI, ku do të përhapet emri i Arbanit, tradita latine do të ndikojë jo vetëm në lidhje më të ngushta me kulturën latino-perëndimore, por edhe në zhvillimin e elementeve etnike të një fisi, duke u afruar më së tepërmi me konceptin që kemi sot për kombësinë.

Në fund, duhet thënë se edhe feudalët e “ Arbanonit “ disi ishin shkëputur nga sundimi bizantin dhe nga Kisha Lindore para vitit 1043, duke mëkëmbur një formacion shtetëror me vete.[59] Megjithatë, terminologjia etnonimike prej ilirëve dhe makedonëve do të kalojë në epirotët, por duke pasur gjithherë për bazë burimësinë më të madhe etnike të arbërve, emri i të cilëve do të stabilizohet plotësisht në letërsinë e vjetër shqiptare.

Kur është fjala tek autorët e letërsisë së vjetër, duhet thënë se P. Mazreku, i cili mendonte se shqiptarët “janë relikte të maqedonëve të vjetër”, por që “kanë gjuhë të ndryshme prej gjuhëve të tjera”, flet në mënyrë të veçantë për etnonimin alban, arban: ai fjalën e nxjerr nga lashtësia, duke thënë se shqiptarët “qenë quajtur albanezë prej qytetit të Shqipërisë, që thirret Alba”, mbase duke aluduar te Albanopoli i Ptolemeut.[60] Në këtë mënyrë do të ruhet tradita në përdorimin e etnonimit prej mesjetës deri në kohën modeme, duke kultivuar kultin e lashtësisë së një populli me të gjitha karakteristikat që e dallojnë gjuhën e tij nga gjuhët e tjera.[61]/drita.info

 

[1]Kjo poemë La chanson de Roland daton që në fillimet e vitit 1060, por është formësuar më vonë. (E përktheu në gjuhën shqipe Gj. Shllaku, Kënga e Rolandit, ShB N. Frashëri, Tiranë, 2003. pp. 165.)

[2]P. Xhufi, Arbërit dhe Arbëria në burimet historike të shek. V-XI, te: Shkenca dhe jeta, 2

(1988), pp. 54; K . Biçoku, Viset etnike, 33.

[3]K. L u ka, Mbi emrin Albeinje – Albania, pp. 155-161.; Para K . Lukës gjithashtu: H . Gregorire.Le Chanson de Roland et Bysance, te: “Byzantion”, Paris, 1939, p. 269.

[4]B o z h o r i, Vëzhgime, 136.

[5] Ç a b e j , Studime etimologjike II, 65.

[6]Krh. R. Ushaku, Roman i shek. XII me syzhe shqiptar-ballkanik, te: Rilindja, më 3.11.1984, P 12.

[7]Krh. Dr. Moikom Zeqo, Grishja e Florimontit, Tiranë, 2004, 51.

[8]Ibidem.

[9]   Idem, p.71 etpassim.

[10]  K. Biçoku, Viset etnike, 27.

[11]  K. Frashëri, Trojet e shqiptarëve, 9.

[12] K. Biçoku, Falangat, p. 6.

[13]Një rezultat të zhvillimit gjuhësor, të bazuar në ligjshmëritë e gjuhës shqipe, gjuhëtarët e shohin edhe te toponimet, hidrionimet dhe oronimet antike: Scodra (Shkodër), Lissus (Lezhë), Aulona (Vlora), Scampius (Shkumbi), Barbanna (Bunë), Mathis (Mati), Scardus (Sharr), Thyamis (Çam), Dyrracchion (Durrës), por edhe Ragusium (Rush), Scupi (Shkup), etj. (Më gjerësisht: Ç ab ej , Ilirishtja dhe shqipja, 43.)

[14]I s 1 a m i, Qyteti ilir në Zgërdhesh, pp. 195-208.

[15]V . P o p o v i ć, Albanija u kasnoj antici, 249.

[16]Sipas analit të Abatit të Dioklës:”…instituit Salonitanam ecclesiam metropolim, sub cuius regimine has ecclesias statuit, videlicet: Spalatum, Tragurium, Scardonam, Arausonam, nunc est castellum Jadrae, Enonam, Arbum (sic! E.S.), Absarum, Veglam et Epidaurum quod nunc dicitur Ragusium. Item ab eodem loco Dalmae usque Bambolonam civitatem, quae nunc dicitur Dyrachium, Croatiam Rubeam vocavit.” (F. Šišić, Letopis Popa Duklanina, SKA, Beograd-Zagreb, 1918, p. 306.)

[17] Siç e ka përdorur këtë term M. Sirdani (Emni Shqyptar e Arbnuer, p.400.)

[18] Krh. Hëna Spahiu, Qyteti iliro-arbëror i Beratit, ASHSH, Tiranë, 1990, dhe Damian Kornata, Qyteti iliro-arbëror i Kaninës, ASHSH, Tiranë, 1991; F, Prendi, Njč varreč arbčrore nč Lezhč,

te: “Iliria,” IX-X (1979-1980), Tirane, 1980

[19] Krh. S h u f 11 aj , Serbët dhe shqiptarët, 40.

[20] Krh. E. Sedaj, Pjetër Bogdani dhe vepra e tij, te: Pjetër Bogdani, Çeta e profetëve, I, Prishtinë, 1990, p. 25.

[21]Krh. S h u t e r i q i, Fjalë nga leksiku i shqipes, 322 dhe literaturën që jep ai aty.

[22]S . A n a m a 1 i, Nga ilirët tek arbërit, 25.

[23]Krh. H. Mihaescu,La langue latine dans le Sud-Est de 1’Europe, Bucarest – Paris, 1978, p.75.

[24]Siç dihet, organizimi kishtar në shek. V në Iliri ishte zgjeruar në 5 deri 7 dioçeze në Dardani, 10 deri 11 në Epirin e Vjetër, 7 deri 8 në Epirin e Ri dhe 3 deri 5 në Pravalitani. Vetëm nga qendra metropolite e Shkupit vareshin ipeshkvitë në Ulpianë, Naissus (Nish) dhe Remesianë (Bella Pallanka e sotme), prej nga ishte Niketë Dardani, autori i këngës Te Deum laudamus dhe njëri prej intelektualëve më të mëdhenj të kohës (shek. V.) në Evropë. (Farlati – Choleti: IUyricum Sacrum., VII – VIII).

[25]Ç a b e j, Studime etimologjike II, 66.

[26]D e m i r aj, Gramatike historike, 48.

[27]Krh. K. L u k a, Labëria është Arbëria, p. 15.

[28]G. Acropolites I,ed. H. H e i senberg, Lipsiae, 1903, p.91 et passim.

[29]Krh. N i 1 o B o rg i a, Pericopea evangelica in lingua albanese, Grottaferrata, 1930, pp. 26-30.

[30]D u c e 11 i e r, Përpjekje e re, 226.

[31]Ma gjerësisht: Burime tregimtare , pp 45-54; Michaelis Attaliatae historia, edic, E. Bekkerus, Bonnae, 1853

[32]M. Ataliati shkruan: “Por edhe bashkëluftëtarët e dikurshëm dhe që marrin pjesë me neve në isopolitinë dhe në vetë fenë, shqiptarët dhe latinët, të gjithë ata që pas Romës perëndimore janë afer vendeve italike (është fjala për krahinat e Italisë që gjindeshin nën sundimin bizantin. E.S.) vepruan si armiq shumë të paarsyeshëm… “ (Cituar sipas: Burime tregimtare, 46).

[33]Michaelis Attaliatae Historia, ed. E. Bekkerus, Bonnae, 1853, p. 9 i përmend në versionin Alvanoi, kurse në p. 216 dhe 297 në versionin Arvanitai.

[34]M. Ataliati shkruan: kishte, pra një ushtri (të përbërë) nga shumë bizantinë, bullgarë, shqiptarë dhe hipaspistë” (Cituar sipas: Burimet tregimtare, 52.), në të cilin tekst mjaft bukur diferencohen etnonimet.

[35]E. L. Vranusi, Hoi horoi “Albanoi” kai “Arbanitai”, p. 207; Mirëpo, G. Stadtmuller, (Forschungen, p. 162.)., mendon se nëse M. Ataliati ka menduar te albanët e Laciumit, atëherë duhet kuptuar një arkaizim në përdorimin e këtij emërtimi, që te ky autor është punë e rrallë. Prandaj, sipas Stadtmyller-it, këta albanë do të jenë nga Shqipëria Veriore.

[36]B o z h o r i, Eras L. Vranusi, Hoi horoi”Albanoi” kai “Arbanitai”, pp. 187-196.

[37]Vranusi, Hoi horoi “Albanoi” kai “Arbanitai”, pp. 207-254; Idem, Les termes Albanoi, pp. 387-396.

[38] A. Ducellier, Përpjekje e re, pp. 224-230.

[39] R. S t o i k o v, Pervoto izvestie za Albancite v istoriëeskite izvori, te; “Istoriëeski pregled,” XXII, Nr. 1. Sofije, 1966, p.60; Idem, Za pojavata na Albancite na balkanski poluostrv i za proizvoda na narodnostnoto ime skipetari, te: “Istoriëeski pregled,” XXV, Nr. 5. Sofije, 1969, pp. 73-80.

26 M. Attaliatae historia, p.9 : tes istololiteias hemin symmerehontes, hos kai aules les threskeias Albanoi.

[41] K. Frashëri, Trojet e shqiptarëve, 10.

[42] F r a s h ë r i, Trojet e shqiptarëve, 9.

[43] Pëllumb Xhufi, Krishterimi roman në Shqipëri në shek. VI-XVl, te “Krishterimi ndër shqiptarë”, Shkodër, 2000, p.93.

[44]  Etleva Lala, Mbretëria e Arbërisë, 25.

[45]  K. Biçoku, Falangat, 10.

[46]  P. Xhufi, Krishterimi roman, p. 93.

[47] F an . N o 1 i, Vepra 4, Tiranë, 1989, p.120.

[48] Krh. K. Bozhori, Vëzhgime rreth, p. 135 dhe literaturën që citon.

[49] A. Comnene, Alexiade I, p. 168.

[50] P. Furikis (Pothen to ethnikon Arvanites, te: “Athena”, 34 (1931), Athinë, 1931, p. 20.).

[51]A. Ducellier, Nouvel essai de mise au point sur l’apparition du pople albanais dans les sources historiques byzantines, te: “Studia Albanica,” 2/1972, p. 300.; Idem, L’ Arbanon et les Albanais, pp. 362-364.

[52]D u c e 11 i e r, Përpjekje e re, p. 228.

[53]S. ^irkovias, Albanci, 330.

[54]Is 1 a m i, Qyteti ilir, p. 207.

[55]A n a m a 1 i, Problemi i formimit, p. 123.

[56]Frashëri, Trojet e shqiptarëve, 8.

[57]Konstantin Jireëek, Istorija Srba I,“Prosveta,”Beograd, 1988, p. 85.

[58]Edhe emrat e ipeshkvijve, siç janë, Maximinus, Constantinus, Senecius, të ipeshkvisë Prevalitane, tregojnë për influencën latine. (Krh. J. Kovacevic, Istorija Crne Gore I, Titograd, 1967, p. 259.)

[59]F r a s h ë r i, Trojet e shqiptarëve, 10.

[60]Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme, pp. 448-449.(Deti furono Albanesi della Citta in Albania chiamata Alba).

[61] Krh. Jup Kastrati, Gjuhësia shqiptare në shek. XVII, te: “Buletin Shkencor,” XIX, 2 (1982), Shkodër, 1982, p. 53.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »