Zoti i tha: “Vajzë, unë po të them: çohu!”

Jun 30 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XIII gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   Urt 1, 13-15; 2, 23-24

Hyji nuk është përgjegjës për fatkeqësitë që i ndodhin njeriut. Është pikërisht njeriu që duke kryer të keqen ka tronditur harmoninë e botës dhe ka futur vdekjen që është e kundërta e veprës krijuese të Hyjit. Zoti do gjithmonë jetën e njeriut dhe të krijesave. Optimizmi ynë është themeluar mbi ngjalljen e Krishtit që është paralajmërim i ngjalljes sonë.

 

Lexim prej Librit të Urtisë

Hyji nuk e krijoi vdekjen dhe nuk i gëzohet bjerrjes së të gjallëve. Sepse ai gjithçka krijoi që të jetojë; dhe, në botë, breznitë janë shpëtimprurëse dhe në to nuk ka vrer shatërrues dhe nëntoka nuk e sundon tokën: sepse drejtësia është e pavdekshme.  E pra Hyji e krijoi njeriun që të mos prishet dhe e bëri atë shembëllesë të përngjasimit të vet; por, prej smirës së djallit, vdekja hyri në botë dhe do ta shijojnë ata që i përkasin atij. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   30

 

Ref: Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove

——————————————

O Zot, Hyji im, unë të thirra

e ti më shërove,

ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga nëntoka,

më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.

——————————————

Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij,

falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!

Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij,

e tërë jetën dashamirësia e tij!

Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!

——————————————

Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua,

Zoti u bë ndihmëtari im.

Ti vajin ma ktheve në valle,

ma zhgjeshe grathoren time e më ngjeshe me hare. 

O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim!

——————————————

 

Leximi i dytë   2 Kor 8, 7.9.13-15

Në sytë e Palit edhe leku mund të jetë një mjet për të dëshmuar Ungjillin e Krishtit. Ai na ka dhuruar jetën e tij, e ne përse refuzojmë të bashkohemi me të tjerët?  Ndihma ekonomike ndaj vëllezërve nuk është vetëm një shenjë e thjeshtë solidariteti njerëzor, por është një shpallje besimi, një dëshmi e Ungjillit.

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, sikurse edhe në çdo gjë tjetër, dalloheni në shenjë – në fe, në fjalë, në dije e në çdo kujdes, në dashurinë tuaj ndaj neve – veçohuni edhe në këtë bujari! Sepse, ju e njihni bujarinë e Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili, duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij. Porse, merret vesh se jo ju të ngushtoheni e tjerëve t’u lehtësohet, por – për një lloj barazimi. Në këtë rast – çka ju keni më tepër, të plotësojë sa atyre u mungon, kështu që, një ditë, teprica e tyre ta plotësojë mungesën tuaj – që të bëhet barazi, siç thotë Shkrimi shenjt: ‘Asgjë nuk i teproi atij që mblodhi shumë, dhe asgjë nuk i mungoi atij që mblodhi pak.’ Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë; ti ke fjalët e jetës së pasosur.

Aleluja.

 

Ungjilli   Mk 5, 21-43

Krishti, duke u bërë njeri provon situatat tona të dhimbjes, të vuajtjes, të vdekjes. Ai merr pjesë në përvojat tona, por provon ndaj tyre një rebelim të fortë. Mrekullia që Jezusi kryen është si një thirrje revolte kundër së keqes; por është edhe një shpallje profetike e shpëtimit dhe e çlirimit. Jezusi nuk godet të keqen vetëm nga jashtë, por e lufton që nga rrënjët duke mundur vdekjen me ngjalljen e tij dhe duke përuruar një njerëzim të lirë nga çdo e keqe.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi përsëri kaloi me barkë në anën tjetër, ngarendi tek ai turmë e madhe populli. Ai zuri vend në breg të detit. Erdhi një nga kryetarët e sinagogës, që quhej Jair; e, kur e pa, ra në gjunjë para tij dhe i lutej shumë: “E kam vajzën në fill të vdekjes! Eja, vëri duart mbi të që të shërohet e të jetojë!” Jezusi shkoi me të. Një grua ishte e sëmurë dymbëdhjetë vjet nga derdhja e gjakut. Hoqi shumë keq ndër mjekë të ndryshëm e shpenzoi gjithçka pati pa farë dobie, ishte edhe më keq. Ajo kishte dëgjuar për Jezusin, hyri në turmë e, pas shpinës, ia preku petkun Jezusit. I thoshte mendja: “Nëse ia prek vetëm petkat, do të shërohem.” Aty për aty iu ndal gjaku e në trupin e vet ndjeu se u shërua nga sëmundja.   Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij, u soll në midis të turmës e tha: “Kush m’i preku petkat?” Nxënësit e tij i përgjigjën: “Po a s’e sheh popullin si të furet në katër anët e thua: ‘Kush më preku’!” Ai i rrethoi me sy për të parë atë që e kishte prekur. Gruaja, plot frikë e tmerr, sepse e dinte se ç’i ngjau, u afrua, ra para tij dhe tregoi tërë të vërtetën. Ai i tha: “Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!”  Ndërsa Jezusi endo po fliste, erdhën prej të shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i thanë: “Vajza jote vdiq. Pse ta trazosh më Mësuesin?” Kur Jezusi dëgjoi ç’thanë, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë! Vetëm ti beso!” Jezusi nuk lejoi ta përcjellë askush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. Arritën të shtëpia e kryetarit të sinagogës. Jezusi vuri re një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të madh. Hyri dhe u tha: “Pse bërtitni e vajtoni? Fëmija nuk ka vdekur, por fle.” Ata e përqeshën. Jezusi atëherë i qiti përjashta të gjithë. Me vete mori të atin e t’ëmën e fëmijës e përcjellësit e vet dhe hyri atje, ku ishte fëmija. E kapi fëmijën për dore e i tha: “Talitha kum!” që do të thotë: “Vajzë, unë po të them: çohu!” Vajza aty për aty u ngrit e nisi të ecë. Ishte dymbëdhjetë vjeçe. Të gjithë mbetën pa masë të habitur. Jezusi u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregojnë askujt ngjarjen dhe u tha t’i japin vajzës të hajë. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Njeriu i sotshëm me të gjithë shkencën e tij nuk ka arritur t’i shpëtojë vdekjes: kundër saj del gjithmonë i mundur! I vetmi mjet që njeriu mund të ushtrojë përballë vdekjes është besimi në një Tjetër.

“Erdhi një nga kryetarët e sinagogës”. Jezusit, iu afrua Jairi, i cili iu lut Mësuesit derisa t’i shëronte të bijën. Ndërsa ecte mes shumicës së personave, një grua shumë e vuajtur, mundohej të prekte të paktën petkun e Jezusit duke thënë me vete: “Nëse ia prek vetëm petkat, do të shërohem”. Edhe pse turma e shtypte, Jezusi ndjeu se një person i kishte prekur petkun me besim e i pyet të gjithë: “Kush m’i preku petkat?”, kush më ka kërkuar me dëshirën për t’u shëruar? Kush ka kuptuar se ka nevojë të më takojë për të fituar shpëtimin? Gruaja, e frikësuar, i tregon gjithçka e Jezusi iu përgjigj: “Bijë, feja jote të shpëtoi!”. Besimi ka shëruar gruan në trup dhe në shpirt. Ndërkohë disa persona erdhën nga shtëpia e Jairit dhe i thanë “Vajza jote vdiq”. Njerëzit tashmë kanë humbur shpresën. Por Jezusi i thotë të atit: “Mos ki frikë! Vetëm ti beso”, që domethënë: unë kam qenë gjithmonë afër vuajtjes sate, tani mundohu t’u besosh fjalëve të mia.

 “Vajzë, unë po të them: çohu!”. Vogëlushja u çua e shëruar, edhe i ati u çua e hapi zemrën ndaj Mësuesit me besim. Besimi është një dhuratë dhe një ecje për t’u kryer çdo ditë në shoqëri të Jezusit. Kjo nuk është arritja jonë por është një kërkim i vazhdueshëm i Fytyrës së tij.

 

 

Lutja e Besimtarëve

 M. Vëllezër dhe motra, t’i lutemi së bashku Atit, që të na japë në Krishtin besimin që shpëton. Të lutemi së bashku e të themi:

 

Na dëgjo, o Zot.

L. Për Kishën e shenjtë, shtegtare drejt Mbretërisë, që t’u zbulojë të gjithëve Hyjin e jetës. Të lutemi.

L. Për ata që Hyji i ka caktuar si barinj të Kishës, që të dinë t’u shpallin të gjithëve lajmin e gëzuar të jetës së re. Të lutemi.

L. Për autoritetet qeveritare, të thirrura për të qeverisur popujt, që të kenë në zemër situatat e çdo personi që gjendet në vështirësi. Të lutemi.

L. Për prindërit, që të jenë ungjillizuesit e parë të bijve të tyre, dhuratë e çmueshme e Hyjit, duke u mësuar atyre edhe miqësinë me Krishtin. Të lutemi.

L. Për këtë bashkësi, që nga kjo liturgji të marrë fjalë të shpresës së gjallë dhe të një bamirësie të ngrohtë. Të lutemi.

M. O Hyj Atë, që nëpërmjet mirësisë sate të pafund u shpërndan të gjithë popujve dhuratën e besimit, shikoji bijtë e tu adoptivë, që ata të cilët kanë rilindur nëpërmjet Pagëzimit të marrin veshjen e bardhë të jetës së pavdekshme. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »