Dhembshuria e sinqertë ka fuqi shëruese

Jul 1 • Meditimi i ditës

1 korrik 2018 – E diela 13-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Mudr 1,13-15; 2,23-24; Ps 30,2-6; 11.12a.13b; 2Kor 8,7.9.13-15; Mk 5,21-43)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësim

O Zot, ma ke dhënë natën pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin e Ungjillit të sotëm

dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 


Mk 5, 21-43


21 Kur Jezusi përsëri kaloi me barkë në anën tjetër, ngarendi tek ai turmë e madhe populli. Ai zuri vend në breg të detit. 22 Erdhi një nga kryetarët e sinagogës, që quhej Jair, e, kur e pa, ra në gjunjë para tij 23dhe i lutej shumë: “E kam vajzën në fill të vdekjes! Eja, vëri duart mbi të që të shërohet e të jetojë!” 24 Jezusi shkoi me të.

I shkonte pas një turmë e madhe dhe furej rreth tij nga çdo anë.

25 Një grua ishte e sëmurë që prej dymbëdhjetë vjetësh nga derdhja e gjakut. 26 Hoqi shumë keq ndër mjekë të ndryshëm e shpenzoi gjithçka pati pa farë dobie ‑ por, ishte edhe më keq. 27 Ajo kishte dëgjuar për Jezusin, hyri në turmë e, pas shpinës, ia preku petkun Jezusit. 28 I thoshte mendja: “Nëse ia prek vetëm petkat, do të shërohem.”       29 Aty për aty iu ndal gjaku e në trupin e vet ndjeu se u shërua nga sëmundja.

30 Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij, u soll në mes të turmës e tha:

“Kush m’i preku petkat?”

31 Nxënësit e tij iu përgjigjën:

“Po a s’e sheh popullin si të furet në katër anët e thua: ‘Kush më preku’“

32 Ai shikoi përreth për të parë atë që e kishte prekur.

33 Gruaja, plot frikë e tmerr, sepse e dinte se ç’i ndodhi, u afrua, ra me fytyrë për dhe para tij dhe tregoi tërë të vërtetën. 34 Ai i tha: “Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!”

35 Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën prej shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i thanë: “Vajza jote vdiq. Pse ta trazosh më Mësuesin?” 36 Kur Jezusi dëgjoi ç’thanë, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë! Ti vetëm beso!” 37 Jezusi nuk lejoi ta përcjellë askush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. 38 Arritën te shtëpia e kryetarit të sinagogës. Jezusi vuri re një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë. 39 Hyri dhe u tha: “Pse bërtitni e vajtoni? Fëmija nuk ka vdekur, por fle.” Ata e përqeshën.

40 Jezusi atëherë i nxori përjashta të gjithë. Me vete mori të atin e t’ëmën e fëmijës e përcjellësit e vet dhe hyri atje, ku ishte fëmija. 41 E kapi fëmijën për dore e i tha: “Talitha kum!” që do të thotë: “Vajzë, unë po të them: çohu!” 42 Vajza aty për aty u ngrit e nisi të ecë. Ishte dymbëdhjetë vjeçe. Të gjithë mbetën pa masë të habitur. 43 Jezusi u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregojnë askujt ngjarjen dhe u tha t’i japin vajzës të hajë.


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt

 

  • Duke pasur parasysh gjatësinë e këtij pasazhi për lutje, reflektim, është më mirë të merret një nga dymrekullitë. Të dyja, ringjallja e vajzës së Jairit dhe shërimi i gruas që vuante nga gjakderdhja, janë ngjarje dramatike,plot fuqi emocionale. Ato na ftojnë për të marrë pjesë. Mund të identifikohesh me Jairin ose me gruan e tij (madje edhe me bijën e tyre), ose me gruan fatkeqe që vuante nga gjakderdhja. Në të dyja rastet, vendosesh në botën e vuajtjeve, por e përjeton edhe botën e shpresës.
  • Provo tëpërqendrohesh në Jezusin, duke u bërë i/e vetëdijshëm/e për dhembshurinë e tij të sinqertë si dhe për fuqinë me të cilën shëron. 

Zoti na e zbulon veten e vet nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Ungjillit edhe një herë, nëse duhet disa herë.

Qëndro në frazën, shprehjen e pjesës së sotme të ungjillit që më së shumti të “thumbon”.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »