Respekti – vlera që mund t’i ofrohet çdo ditë çdokujt

Jul 2 • Opinion

 Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Shumë prej nesh, pavarësisht perceptimit apo mos perceptimit, nё jetёn e pёrditshme shkruajmë, flasim, këndojmë, recitojmë, për virtytin e dashurisë, madje përpiqemi edhe ta shfaqim atё me mënyra e sjellje të  ndryshme, për t’i dhënë një vend të rëndësishëm nё jetёn e tonë.

Pёrveç dashurisё, sot, në botën “moderne”, çka tjetёr mungon apo anashkalohet, neglizhohet, nuk kuptohet, nuk ofrohet, nuk përfillet, është respekti dhe vlera e tij. Respekti, edhe pse është shtylla e çdo marrëdhënie ndёrpersonale, duket se çdo ditë e më shumë po varfërohet e po zbehet, si në marrëdhënie me veten tonё, po ashtu edhe kundrejt tjetrit. Harrohet, apo neglizhohet fakti se dashuria dhe respekti shkojnë paralel njëra me tjetrën. Dashuria e vërtetё, e çiltër është ajo që nuk e mohon respektin, përkundrazi e ofron me shumë modesti. Lidhur me kёtё, Simone Weil thotë: Askush nuk ka dashuri më të madhe se ai që di ta respektojё lirinë e tjetrit.

Psikologu Abraham Maslow, ndёrsa flet për hierarkinë e nevojave, ndër të tjera, cek edhe rëndësinë e dashurisë dhe tё respektit kur thotë: Dashuria dhe respekti janë të domosdoshme për mbarëvajtjen e shëndetit. Ato konceptohen si dy shtylla ku mbёshtetet fort mbarëvajtja e funksionimi i çdo gjëje, e i çdo lloj situate, dhe se nuk mund të funksionojnë ndryshe, pasi janё pjesë përbërëse tё njëra – tjetrёs.

Mirëpo, kur flitet për vlerën e respektit, referuar kёtu të individit dhe marrёdhёnies sё tij me tё tjerёt dhe botёn qё e rrethon, gjithmonë mendohet se kemi të bëjmë vetëm me tjetrin, mendohet se respekti u takon dhe u ofrohet të tjerëve, harrohet mё tej se ai fillon nga vetja. Sё pari, duke i njohur vlerat e vetes, sё dyti, duke e pranuar veten tonё me tё mirat dhe tё metat e saj, e sё fundmi duke e vlerësuar atё ashtu siç ёshtё apo thёnё ndryshe ashtu siç e perceptojmё. Megjithatё, mund të na lind pyetja: Pse janë të rëndësishme njohja e vlerave të vetes, pranimi i vetes e vetëvlerësimi? Nё njё pёrpjekje tё parё, pёr t’iu pёrgjigjur kёsaj pyetje, padyshim duhet thёnё se respekti fillon nga vetja. Pasi, nëse nuk arrihen të njihen vlerat e vetes sonё, e nëse nuk arrihet pranimi i vetes (nё rastin mё tё keq qoftё edhe me rezerva), dhe sidomos nëse mungon vetëvlerësimi, atëherë është e vështirë që kjo të bëhet me të tjerët, pasi vetё neve nuk i njohim dhe i zotёrojmё ato.

Erich From thotë: Unë mund ta respektoj tjetrin vetëm po qe se unë vetë jam njeri i pavarur, po qe se unë mund të qëndroj e të eci pa u mbështetur dhe kur nuk kam nevojë të përdor dikë për qëllimet e mia. Pra, respekti mund të ofrohet vetëm nëse vetё individi këtë e bën edhe ndaj vetes. E kjo mund të ekzistojё vetëm mbi bazën e lirisë pa e kërkuar, pa e imponuar, por duke e ofruar me shumë lirshmëri e modesti, pa dhunë dhe pa frikë. Mund të ndodhë, që të takojmë njerëz që e kërkojnë respektin, e pretendojnë atë, ndoshta edhe me dhunë, por ky nuk është respekt, ky është një mashtrim dhe një maskim i mirëfilltë. Siç edhe mund tё kuptohet edhe nga vetë titulli i kёtij shkrimi, respekti ofrohet ndoshta shpesh herë edhe ndaj personave që nuk e njohin atё si vlerë, që nuk e vlerësojnë rëndësinë e tij, e shpesh herë nga mënyra jonë e të menduarit, ndoshta, as nuk e meritojnë atë. Mirëpo, respekti duhet të ofrohet me lirshmërinë, modestinё e thjeshtësinë më të madhe pa marrë parasysh se më kё kemi të bëjmë. Lidhur me kёtё Albert Camus thotë: Asgjë nuk është më e mjerueshme se respekti i bazuar në frikë.

Respekti, nuk është as frikë, as adhurim, por është dhurim i thjeshtësisë dhe i dashamirësisë. Ai, është gjëja më kryesore që na kërkohet të kemi për veten tonё dhe tjetrin. Kur thuhet për veten tonё nuk është më pak i rëndësishëm sesa respekti për tjetrin, pasi aq sa respektojmë veten, po aq marrim respekt nga të tjerët. Konfuci thotë: Respektoje veten dhe të tjerët do t’ju respektojnë.

 

Si shprehet respekti?

Shprehja e respektit, siç është cekur edhe më lart, fillon sё pari nga vetja e pastaj kalon tek tjetri. Shfaqet në të gjitha marrëdhëniet tona të përditshme, duke u nisur qysh nga gjërat e vogla. G. Stella thotë: Ka shumë mënyra për të hyrë në jetën e personit, por është vetëm një për të qëndruar e ai është: RESPEKTI. Ai shfaqet në të përditshmen tonё, aty ku jetojmë e punojmë. Por, nëse flitet për respektin ndaj vetes, ai fillon qysh nga respekti ndaj jetës nё vetvete dhe pastaj ndaj jetёs qё gjallon qenien tonё, e konsideruar si dhuratё e ofruar pa kushte. Respekti i shprehur nga mënyra e kujdesit ndaj vetes, nga mënyra e mbajtjes së higjienës personale, nga mënyra e veshjes, nga mënyra e zgjedhjeve që bëjmë, nga mënyra se si ndihemi, nga mënyra e komunikimit, nga mënyra e sjelljes e qëndrimeve dhe gjesteve tona.

Respekti, tregohet edhe nga mënyra sesi sillemi, si kujdesemi për tjetrin, nga mënyra sesi e përshëndesim, sesi i drejtohemi tjetrit, nga mënyra e të shprehurit me fjalë, nga mënyra e përdorimit të fjalorit, tё zërit përball tjetrit. Po ashtu, nga mënyra sesi e shohim tjetrin ndërsa komunikojmë me tё, sa e dëgjojmë, sesi e shtrijmë apo e zgjasim dorën drejt tij. Ai perceptohet edhe nga mënyra sesi hyjmë në një ambient, dhe sesi e hapim derën; A trokasim në derë para se të  hyjmë? A e përshëndesim tjetrin apo fillojmë menjëherë t’i shprehim nevojat dhe kërkesat tona. Gjithashtu, respekti tregohet edhe ndaj kohës, institucioneve, orareve tё angazhimit nё jetёn e pёrditshme dhe profesionale, ndaj profesionit dhe punёs tё secilit prej nesh, misionit, detyrimeve shoqёrore e ligjore, etj.

 

Si shfaqet mungesa e respektit?

Mungesa e respektit shfaqet në mënyra nga më të ndryshme, gjithmonë duke filluar nga vetja jonё, e pastaj edhe kundrejt tjetrit. Rreziku është që pjesa e respektit ndaj vetes sonё të jetë zbehur dukshëm. E kjo është e dukshme, e qartë dhe bie në sy çdo ditë. Duke filluar që nga mos respektimi i jetës, duke ia marrё jetën vetes sonё me mënyra nga mё tё ndryshme e mё tё paimagjinueshme, që nga mosrespektimi i trupit, nga mënyra e veshjes (më shumë zhveshur sesa veshur, gjё qё bie më shumë nё sy tek vajzat, tё cilat e shfaqin atё si dukuri mode, teksa ndjekin tendencat e saj) nga grimi apo makiazhi i tepërt që përdoret tashmё masivisht tek grupmoshat e reja, nga operacionet e ndryshme estetiko-plastike, nga përdorimi i tatuazheve që vendosen në trup, përdorimi i pirsing (vathë që vendosen në hundë, në buzë, e në pjesë të tjera të trupit), prej tё cilave nuk përjashtohen as djemtë. Natyrisht, këto janë vetëm disa nga shfaqjet e dukshme të  mungesës së respektit ndaj vetes. Thёnё këtë, atëherë pse individi i bënë gjitha këto, shpesh edhe duke e ‘torturuar’ veten? Rezulton kёshtu, pothuajse nё pёgjithёsi, se njё gjё e tillё ndodh sepse individit i mungon vetëvlerësimi, pranimi i vetes ashtu siç është, duke e shprehur nё kёtё mёnyrё pakёnaqёsinё qё ka ndaj vetes, nuk e vlerëson veten për atë që është, por kërkon të jetë ndryshe, dhe fillon duke e ndryshuar rutinёn e pёrditshme me veten, trupin e tij, e shpesh herë edhe duke kryer dhe bёrё vepra dhe gjëra  të dëmshme e të rrezikshme pёr jetёn e tij.

Mungesë respekti, është edhe kur personi nuk kërkon ndihmë edhe pse e ndjen të nevojshme, por zgjedh të sillet apo tё luajё rolin e viktimës. Gjithashtu, mungesa e respektit shfaqet edhe nga mënyra e pretendimit, të kërkimit të gjërave, nga mënyra sesi i jepet të drejtё vetes për të bërë gjithçka, duke mos  ia vënë veshin askujt, e asnjë gjëje apo edhe duke mos pyetur për asgjë e pёr askёnd. E mjerisht, kësaj sjelljeje i vihet emri liri, edhe pse nuk është e tillë, pasi është thjesht një devijim i personit kundrejt vetes sё tij nё radhё tё parё, e pastaj ndaj respektit dhe vlerave tё tij, si nё jetё, ashtu edhe nё pёrditshmёrinё e saj.

Forma apo mёnyra shfaqeje tё tjera tё mungesës së respektit, janё; mashtrimi, injorimi, mos konsiderata dhe pakujdesia ndaj tjetrit, gjykimet, paragjykimet dhe thashethemet ndaj tjetrit, mos respektimi i kohës dhe i vlerave të saj. Mungesa e respektit, shfaqet edhe atëherë kur komunikimi me tjetrin ёshtё jo i mirë, mos respektimi i kodit tё mirësjelljes kur paraqitemi apo hyjmë nё njё ambient, auditor, sallё, dhomё ku gjendet njё prani e konsiderueshme personash tё grupmoshave tё ndryshme, nga mos lëshimi i vendit në autobus kundrejt të moshuarve, nënave shtatzëna dhe ndaj femrës nё veçanti, etj. Mirëpo, të gjitha këto sjellin probleme të dukshme me veten dhe me tjetrin, i cili mund tё jetё shoku, shoqja, familjari, kolegu, apo thjesht njё i panjohur.

 

Çfarë do të thotë të kesh respekt ndaj vetes?

Respekti ndaj vetes është të dish ta pranosh dhe ta kuptosh veten ashtu siç ёshtё. Ta respektosh veten, do të thotë ta vlerësosh jetën tënde si të çmuar për ty dhe për të tjerët. Të kesh respekt për veten, do të thotë të dish se çfarë të pëlqen, t’i njohësh dëshirat e tua, të kujdesesh për veten, dhe të dish t’i thuash vetes se ku është vendi i saj. Gjithashtu, respekt për veten, do të thotë të dish të kërkosh ndihmë, çka dёshmon se e njeh apo po pёrpiqesh ta njohёsh atё, nevojat dhe dëshirat e saj, e tё kesh kujdes ndaj saj. Njё gjё e tillё duhet të ndodhë, jo vetëm për gjërat e jashtme apo të dukshme, por edhe për gjerat e brendshme, shpirtërore.

Denis Uaitley thotë: Për të vendosur respektin real ndaj vetes, duhet të përqendrohemi në sukseset tona e jo në dështimet dhe negativitetin tonë. Pra, na kërkohet përqendrim në gjërat e bukura që na ndodhin,  e jo të ndalemi e të vajtohemi  për gjërat e shёmtuara dhe tё pakëndshme. Sepse atëherë, kjo gjё e pengon respektin ndaj vetes. Francis Bacon  thotë: Respekti ndaj vetes është frenimi kryesor i të gjitha veseve. Me njё fjalё, është ai që të jep besimin e duhur për të mos përfunduar si viktimë. Mund të ndodhë që të tjerët nuk ta ofrojnë respektin, por mos u mërzit, mos u ndiko ngeativisht, e pavarёsisht kёsaj vazhdo ta  respektosh veten tёnde.

 

Çfarë do të thotë ta respektosh tjetrin?

Ta respektosh tjetrin, do të thotë mbi të gjitha ta pranosh për atë që është, e jo për atë që bën, apo për atë që zotёron apo pёrfaqёson (pasuri, pozitë, famë …) nё jetё. Ta respektosh tjetrin, do të thotë ta pranosh pa e manipuluar, apo pa u pёrpjekur dhe pa kërkuar që ai të sillet me doemos ndryshe, ta pranosh pa e paragjykuar, të jesh i vetëdijshëm për vlerën që ai ka si qenie njerëzore, pavarësisht prejardhjes, pozicionit, racës ose besimit. Ta respektosh tjetrin, do të thotë të jesh modest dhe mirënjohës ndaj tij, të komunikosh me mirësjellje e dashamirësi, t’ia njohёsh dhe të shfaqësh interes dhe vlerësim për aftësitë, cilësitë dhe arritjet e tij. Erich Fromm thotë: Respekt do të thotë që të dëshirosh që tjetri të rritet e të zhvillohet për atë që është.

Respekt ndaj tjetrit, do të thotë  të kujdesesh qё të mos krijosh dhe t’i përcjellёsh atij shqetësime kohë pa kohё dhe në mënyrë të papërshtatshme t’i parashtrosh zgjidhje dhe jo probleme, të mos jesh i shurdhër ndaj fjalëve e ideve qё shpreh, por të jesh i interesuar dhe i vëmendshëm, e veçanërisht të mos e përulësh, të mos e qortosh para tё tjerëve, por ta marrёsh mёnjanё dhe t’i drejtohesh nё mёnyrё tё rezervuar e nё privatësi tё plotё.

Respekti është një vlerë universale që të gjithё duhet tё edukohen, qё ta mësojnë dhe ta ofrojnë;  i madh dhe i vogël, i ri dhe i moshuar, i pasur dhe i varfër, si një vlerë absolute që nuk i mohohet askujt, por qё i ofrohet kujtdo, pa pёrjashtim, pavarёsisht pozitës apo moshës./drita.info

Referenca:

Erich Fromm, L’arte di amare (1996)

Vasil Naçi, Sjellja e pëlqyeshme & mençuria në komunikim (2015)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »