A mos pres pak prej Zotit?

Jul 8 • Meditimi i ditës

8 korrik 2018 – E diela 14-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Ez 2, 2-5; Ps 122; 2 Kor 12, 7-10; Mk 6, 1-6)

 

Prania e Hyjit
Nganjëherë më pushtojnë brengat e kësaj bote.
Në kohën, si tani, bëj që të bëhem i vetëdijshëm për kënaqësinë e pranisë tënde
si dhe për dashurinë tënde të pakufizuar ndaj meje.

 

Liria
S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i pasur me dashuri dhe jetë.
Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha do të jenë të plotësuara.
E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time
t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të dashurisë me plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi
E pyes veten, ç`po ndjej sot në vete?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jam jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala
Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim.
Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.
E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik pikë për pikë, fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.

Mk 6, 1-6


1Jezusi u nis prej andej e shkoi në vendin ku u rrit.

E përcollën edhe nxënësit e tij. 2 Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin:

“Nga i vijnë këtij këto? Ç’është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tij? 3 Po a nuk është ky zdrukthëtar, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozetit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tij?”

Kështu u bë për ta arsye e mosbesimit në të.

4 Jezusi u tha: “Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.” 5 Dhe nuk mundi të bëjë aty asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart. 6 E çuditej për mosbesimin e tyre.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Njerëzit thjesht nuk kanë mundur ta pranojnë “thjeshtësinë” e Jezusit: se është rritur në një familje normale që përmendet dhe që kishte qenë e njohur në Nazaret. Nganjëherë e kemi vështirë ta dallojmë hirin e Zotit afër nesh, para hundës. Në përditshmërinë e jetës dhe dashurisë, në mosmarrëveshjet dhe dhimbjet, në brengosje dhe mirësi – hiri dhe dashuria e Zotit janë të gjalla dhe vepruese.
  • Jezusi “çuditej për mosbesimin e tyre”. A e çudis ndonjëherë Hyjin me mosbesimin tim? A e zbres/zvogëloj Hyjin në një farë minimizimi tim – krejt poshtë, kështu që s`jam më i/e hapur që të më ndodhë një mrekulli? A i zvogëloj duke i paraqitur si shumë të vogla vlerat dhe rëndësinë e njerëzve të tjerë?
  • O Zot, mos lejo që t`ua rrënoj jetët të tjerëve apo jetën time personale. Bëj që të të çudis pak, duke i përgjigjur më shpesh thirrjeve të buta të hirit tënd!
    E lexoj, e dëgjoj pjesën e Ungjillit edhe një herë, nëse duhet disa herë. Ndalem në pjesë të tekstit që më flasin më shumë. I lëshohem fuqisë së fjalëve, pa u ngutur, me këmbëngulje dhe besueshmëri. Para se të kaloj nga një pikë në tjetrën, ndalem, mendoj për veten, duke pyetur se çka është duke më folur ky tekst, kjo ngjarje për jetën time personale.

 

Bashkëbisedimi
Një bashkëbisedim është një bisedë intime midis teje dhe Hyjit Atë, midis teje dhe Jezusit, ose midis teje dhe Marisë apo një prej shenjtërve. Kjondodh shpesh në fund të një periudhe lutjeje, por mund të bëhet në çdo kohë. Kjo bisedë le të zhvillohet natyrshëm edhe në lutjen tënde të sotshme.
 bashkëbisedim, ne flasim dhe dëgjojmë sesi na nxit Shpirti Shenjt: duke e shprehurvetveten, për shembull, si një mik që i flet një miku, ose si një person që i flet një personi të cilin ai ose ajo e ka ofenduar, ose si një fëmijë që i flet njëprindi ose këshilltari, ose si një i dashur që i flet atij/asaj që e dashuron.
Cilido qoftë konteksti, ji “real”, duke folur nga zemra. Si në çdo bisedë të mirëfilltë, sigurohu që të kesh kohë heshtjeje për të dëgjuar.

 

Përmbyllje
O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.
Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.
I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.
Po lëshohem në duart e tua. Ati ynë…
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
Shpërndaje

Comments are closed.

« »