Satanizmi dhe ekzorcizmi (III)

Jul 14 • INTERVISTË

Vazhdim i intervistës së mëparshme të ekzorcistit me famë botëror, Atë Gabriel Amorth. 

 

Si paraqitet sot satanizmi, me çfarë fytyre, me çfarë ngjarje?

Satanizmi sot, për fat të keq, paraqitet në një mënyrë jashtëzakonisht gjithëpërfshirëse. Të themi menjëherë se ekzistojnë dy forma të satanizmit: Satanizmi personal dhe ai jo personal. Të flasim sidomos për satanizmin personal, pra, për atë që i bën një kult Satanit (Djallit) në vend që kulti t’i bëhet Hyjit, një kult Satanit që është i bazuar mbi vese, që është i bazuar mbi tri pasionet e mëdha: mbi ambicie, mbi kënaqësi dhe mbi sukses. Satanizmi është një kult i bërë Satanit, sikurse ai të ishte Hyj. Prandaj, i ka ritet e veta, priftrinjtë e vet, hierarkinë e vet. Të gjithë kemi dëgjuar se flitet për meshë të zeza, që është kulti më kulminant që i bëhet Satanit. Po ashtu kemi dëgjuar se flitet për përdhosje të varrezave, të tabarnakujve (vendit ku ruhet Kungimi i shenjtë). Pra, kulti i bërë Satanit është një zëvendësim i Satanit me Hyjin, kështu që kush jepet pas kulteve satanike e adhuron Satanin, i kushtohet Satanit me qëllim që të ketë përfitime materiale.

 

Pra, në një farë mënyre figura e Satanit vendoset në vend të Hyjit?

Ekzakt, figura e Satanit vihet në vend të Zotit, me qëllim që të ketë përfitime që u përgjigjen tri pasioneve, për të cilat folëm më parë, e sidomos dëshirës së tepruar për të pasur para dhe kënaqësi, sidomos kënaqësi të shfrenuara seksuale.

 

Si përhapet ky satanizëm, kush është bartës i këtij kulti?

Satanizmi, për fat të keq, është përhapur shumë, si nga librat e shumtë që janë publikuar mbi këtë fenomen, po ashtu edhe nga llojet e muzikave të shumta, e sidomos nga muzika rok satanike, që i kushtohet satanizmit; muzikë kjo që e lavdëron satanin, e lavdëron lirinë e shfrenuar dhe kërkon apo thërret që mos të ketë asnjë autoritet tjetër mbi ne, përveç Djallit, duke i thënë: Ti je Zot, bëjë çka të duash. Nëse do të vrasësh, vrajë. Po deshe ta vrasësh vetën, vraje. Mjerisht, ka shumë njerëz që e kanë vrarë vetën pasi kanë dëgjuar porosi të llojeve të tilla të fshehura në muzikën satanike. Dëshiroj të shtoj edhe diçka tjetër, pa gjeneralizuar: ekzistojnë diskoteka të shumta, në të cilat itinerari është i obliguar. Para se gjithash alkooli, pastaj droga, seksi dhe hyrja në një sekt satanik.

 

Këto gjëra për të cilat flitni Ju, a janë kështu të afirmuara dhe të shumta, apo ndoshta gjërat e tilla mbetën vetëm në një modë sipërfaqësore? Në tërë këtë, çka ka me të vërtetë serioze?

Sot, për fat të keq, satanizmi është më të vërtetë i afirmuar. Pse? Sepse të rinjtë nuk kanë më vlera, nuk janë të mësuar ta përballojnë sakrificën, nuk janë të mësuar t’i përballojnë dhimbjet, nuk janë të mësuar t’i çmojnë vlerat e vërteta të jetës, të familjes, të dashurisë së vërtetë. Pra, duke mos pasur vlera të vërteta, vihen në kërkim të vlerave false dhe mjafton që të takohen me shoqëri jo të mirë dhe menjëherë ndryshojnë për keq, i përvetësojnë veset, pra, janë të paqëndrueshëm. Ndoshta më parë ishin besimtarë, praktikues të fesë, në një moment të caktuar nuk janë më. Që në moshën trembëdhjetë dhe katërmbëdhjetë vjeçare fillojnë të shmangen. Ndërsa më parë ishin të dëgjueshëm ndaj prindërve, tani në këtë moshë nuk dëgjojnë më, ndërsa më parë kishin një disiplinë dhe një orar, pas kësaj moshe nuk e kanë më dhe kthehen në shtëpi në dy apo tre të natës, pa ditur prindërit se ku gjenden fëmijët e tyre dhe pikërisht për këtë arsye ndoshta prindërit nuk flenë tërë natën.

 

A ka një dallim, së paku në peshën e gjërave, për shembull mes të dëgjuarit e një kënge, që mund të jetë edhe vulgare, në të cilën janë të pranishme fjalët e ndyta, ku ndoshta edhe flitet për Satanin dhe të bërit një vepër penale? Pra, a ka një gradualitet të gjërave, në bazë të peshës së fakteve? E bëj këtë pyetje për arsye se nuk mund ta gjykoj një të ri apo një të re, e cila bartë ndoshta një bluzë me një imazh apo me një shkrim paksa të çuditshëm, në krahasim me një të ri që bën një krim?

Jam dakord. Ekziston një gradualitet i gjërave, një përshkallëzim. Por, për fat të keq, është një shkallë në ngritje. Është sikurse ai që fillon me një drogë të lehtë dhe përfundon në drogë të rënda, pak a shumë në këtë mënyrë, dikush fillon me moda të jashtme. Të marrim një shembull, edhe pse pak banal, sot shumë vajza të reja vishen me rroba të zeza. Shtrohet pyetja, pse kaq shumë të rinj sot vishen me të zeza? Sepse merren me satanizëm? Jo, absolutisht jo! Por kjo është bërë një modë, që ka bazament të gabuar dhe qëllimkeq. Ritheksoj duke thënë që ata që vishen me të zeza, nuk është e thënë që merren me satanizëm, por të rinjtë duhet ditur se ata që merren me satanizëm, pra, ata që janë në sekte satanike dhe që kryejnë rite satanike vishen me mantel të zi dhe e mbulojnë kokën me kapuça të zi. Ky është një fakt që duhet ditur. Ja, pse ngjyra e zezë përvetëson forcë të madhe dhe rëndësi të madhe në mendjen e të rinjve. Mos të harrojmë se të rinjtë kanë nevojë për risi, kanë nevojë të takohen me njëri-tjetrin. Duke mos pasur ideale të vërteta, kanë nevojë të krijojnë ideale të rrejshme. Kjo është edhe arsyeja përse sheshet dhe sallat e shumta janë përplot me të rinj, që ndjekin koncerte dhe muzikë me sfond satanik.

 

Përtej këtyre tubimeve të të rinjve nëpër sheshe dhe salla ku organizohen koncerte, a janë të shumta sektet satanike?

Fatkeqësisht janë shumë. Nuk është e mundur të bëhet një llogaritje ekzakte, sepse shumë grupe organizohen lehtësisht dhe pastaj ndahen. Pastaj, duhet pasur parasysh që shumë herë, sekti satanik është një maskë që fshehë diçka tjetër. Për shembull, para disa viteve ishte në modë në rrethinën e Romës dhe me gjerë të organizoheshin meshë satanike dhe rite satanike, pastaj është kuptuar se këto ambiente ishin shtëpi publike dhe vende ku shitej dhe konsumohej droga.

 

Pra, në këto raste, më tepër sesa një kult satanik, kemi të bëjmë me interesa dhe qëllime kriminale, por që nuk kanë të bëjnë me Satanin?

Jo, ndoshta nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Djallin, por duhet kuptuar se aty ku janë veset, aty janë gjithmonë kthetrat e Satanit, sepse aty ku përjashtohet Ligji i Zotit dhe aty ku shkohet kundër Ligjit të Zotit, gjithmonë është i pranishëm sugjerimi i Djallit, pra, i atij që na largon nga Hyji, i cili na thotë, sikurse u thoshte njerëzve të parë biblik: “Nuk është e vërtetë që në qoftë se hani nga pema e ndaluar, do të vdisni. Përkundrazi, do të jini të ngjashëm me Hyjin”, kështu që të rinjtë sot, ato që ne më parë i quanim mëkate, ata i quajnë përvoja.

 

Sipas përvojës suaj, cilat janë qytetet italiane, në të cilat janë të pranishme më shumë sekte satanike?

Pak a shumë janë të gjitha në të njëjtin nivel, Torino në këtë drejtim, ka bërë një famë të pa justifikuar. Unë besoj se qyteti që më së shumti ka satanizëm është Roma. Kjo për arsye demografike, pra, për arsye se është me e banuar se qytetet tjera. Por, ritheksoj se sot nuk ka dallim mes qytetit të madh dhe fshatit të vogël. Më parë thuhej se qytetet janë të prishura e fshatrat të shëndosha. Nuk është më kështu. Sot satanizmi është i përhapur kudo.

 

A mund të na thoni se si hyhet dhe si dilet, kuptohet nëse është e mundur të dilet, nga këto sekte?

Para se gjithash duhet të them se njëherë që je futur në këto sekte, është shumë e vështirë të dilet, sidomos për arsye të frikës së madhe nga hakmarrja e pjesëtarëve të sekteve satanike. Ndërsa, sa i përket hyrjes, ajo ndodh kryesisht përmes udhëzimeve të miqve satanik, të cilët e kanë si mision përpjekjen e vazhdueshme për të ndihmuar hyrjen e anëtarëve të rinj. Pastaj, hyrja ndodhë edhe përmes kureshtjes për të marrë pjesë në rite satanike; përmes përdorimit të alkoolit dhe të drogës, kështu që personi joshet, pra, depersonalizohet duke i lejuar vetit të shkojë atje ku duan të tjerët. Për shembull, një nënë më thoshte: “E kam lexuar ditarin sekret të vajzës sime gjashtëmbëdhjetë vjeçe, që unë e besoja dhe e njihja si shumë të mirë dhe shumë të pastër, edhe pse natën kthehej shumë vonë në shtëpi. Në ditar kishte shkruar: ‘Unë ia kam dhënë zemrën time të tjerëve, unë ia kam dhënë trupin tim të tjerëve’”. A e kuptoni se çka domethënë kjo për një vajzë gjashtëmbëdhjetë vjeçare?

 

Ja pra, të vihemi në rolin e një prindi, si duhet të sillemi, si duhet t’i luftojmë këto dukuri shkatërruese?

Prindërit, vërtet, gjenden në vështirësi të mëdha, sepse satanizmi shpie, para se gjithash, larg Zotit. Kështu që unë them se kjo situatë, përmbi të gjitha, është një problem kthimi, kthimi te Zoti, kthimi te Ligjet e Zotit, kthimi te feja; sepse sot nuk ka fe, e kur mungon feja, rriten besëtytnitë dhe rritet evazioni, siç janë sektet satanike. Kur nuk ka fe gati se është e natyrshme të jepesh pas kulteve të idhujtarisë. Çka mund të bëjë një prind? Mund të kërkojë të lutet më shumë, mund të kërkojë ta ndihmojë fëmijën e vet, ta dërgojë të dikush apo te diçka që e “shkund”, si për shembull në një shenjtërore. Përvojat e shenjta munden, vërtet, ta çmontojnë njeriun nga gjithçka që e robëron.

(Pytjet: Don Giusto Truglia. Përgjigjet: Don Gabriele Amorth. Përktheu dhe përshtati në gjuhën shqipe: Don Anton Uka)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »