Të ftuar dhe të dërguar për ta predikuar Ungjillin së bashku

Jul 14 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

 E diela XV gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   Am 7, 12-15

Profeti Amos denoncon hipokrizinë e priftërinjve që qëndrojnë në shenjtore dhe mendjemadhësinë e të fuqishmëve, të cilët kërkojnë në çdo mënyrë që ta largojnë nga vendet e tyre. Amosi u përgjigjet atyre duke thënë që Hyji e ka detyruar të largohet nga një zanat i qetë dhe nga një mjedis i rehatshëm për t’u bërë profet. Kështu profeti zbulon që fjala e Hyjit është sovrane dhe e lirë.

 

Lexim prej Librit të Amosit profet

Në ato ditë, prifti i Betelit Amasia i tha Amosit: “Shporru, o vegimtar! Ik në dheun e Judesë. Atje ha bukë e atje profetizo! Sa për në Betel mos guxo më të profetizosh, sepse kjo është shenjtërorja e mbretit e tempulli i mbretërisë!” Atëherë Amosi i përgjigji Amasisë: “Nuk jam profet as s’jam bir profeti, por jam bari e vjelës fiqsh. Por vetë Zoti më mori prej pas dhenve e më tha Zotynë: ‘Shko e profetizoi popullit tim, Izraelit!’ Tash dëgjoje fjalën e Zotit: Ti po thua: ‘Mos profetizo kundër Izraelit e mos prediko kundër shtëpisë së Izakut!’ Po për këtë arsye kështu thotë Zoti: ‘Gruaja jote do të bëhet lavire në qytet, prej shpatës do të bien bijtë e bijat e tua, toka jote me konop do të ndahet, kurse ti do të vdesësh në vend të papastër dhe Izraeli do të shkojë nga vendi i vet në skllavëri’.” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   85

 

Ref: Tregoje, o Zot, fytyrën e dashurisë sate

—————————————–

Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,

ai premton paqe për popullin e vet,

për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër ktehen.

Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,

lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.

—————————————–

Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,

drejtësia e paqja do të merren ngrykë.

E vërteta do të mbijë nga toka

e drejtësia do të shikojë prej qiellit.

—————————————–

Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë

edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.

Drejtësia do t’i shkojë përpara

dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

—————————————–

 

Leximi i dytë   Ef 1, 3-14

Hyji ka një plan për universin dhe historinë e njerëzve. Ka krijuar botën për ne, dhe historia jonë ecën drejt plotësisë së Krishtit. Jezu Krishti është Ai që ka vdekur për t’u ringjallur. Edhe ne jemi të thirrur për të marrë pjesë në këtë plan vdekjeje dhe ringjalljeje.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. Në të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të Birit të vet të dashur. Në Të, në saje të gjakut të tij, e fituam shpërblimin; në Të na u falën fajet me anë të begatisë së hirit të tij, të cilin Hyji e ndikoi në ne bashkë me çdo urti e kuptim.  Ai na vuri në dijeni mbi misterin e vullnetit të vet – synim që lirisht kishte vendosur qysh më parë ta kryente në Të – kur të plotësohej koha: domethënë të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit, të gjithë qeniet që janë në qiell e në tokë. Në të edhe ne u bëmë trashëgimtarë – të paracaktuar me vendim të Atij që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet – të jemi në nder të lavdisë së tij – ne që qysh më parë e vuam shpresën në Krishtin. Po në Të edhe ju që e dëgjuat fjalën e së vërtetës – Ungjillin e shëlbimit tuaj – mbasi besuat në Të, u vulosët me Shpirtin Shenjt – të Premtuarin – që është pengu i trashëgimit tonë: për shpërblimin e plotë të atyre që u bënë pronë e Hyjit – në nder të lavdisë së tij. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Pranojeni fjalën e Zotit jo si fjalë njerëzish,

por ashtu si në të vërtetë është fjala e Hyjit.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Mk 6, 7-13

Krishti i ngarkon apostujt me detyrën për të bashkuar popullin e të shpëtuarve. Ata përshkojnë rrugët e njerëzve me zjarrin e besimit duke zotëruar si mjet shpërndarjeje vetëm fjalën e Hyjit. Fjala e pranuar dhe e shpërndarë nga apostujt bëhet farë shprese dhe shpëtimi për botën mbarë. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi i thirri të dymbëdhjetët e nisi t’i dërgoi dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë. U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez, por të mbathnin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka. Dhe u thoshte: “Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të mos largoheni nga ai vend. Po qe se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni plurhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.” Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji. Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Të bëhesh dishepull i Mësuesit domethënë të lësh gjithçka, duke ditur se do të gjendesh vetëm dhe i refuzuar; të rrezikosh gjithçka për të qenë të vërtetë e pa siguri njerëzorë; të çlirohesh nga paragjykimet, mediokriteti e idetë fetare të rreme.

Jezusi i thirri të dymbëdhjetët e nisi t’i dërgoi dy nga dy”. Jezusi i thërret dishepujt të qëndrojnë me Të. Mund të jesh misionar nëse jetohet me Jezusin. Nëse nuk ekziston një marrëdhënie personale dhe e fortë me Mësuesin nuk mund të jesh misionar. Të dymbëdhjetët janë dërguar të dëshmojnë me jetën personale se misioni i tyre ndërtohet nëpërmjet vëllazërisë e bashkimit, duke predikuar kthimin, duke shëruar të sëmurët në trup dhe në shpirt.

“U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër”. Ata që shpallin Ungjillin duhet të jenë të varfër edhe nga ana materiale, ashtu siç ka qenë jeta e Jezusit, sepse janë dërguar të shpallin “lajmin e mirë” pikërisht njerëzve të varfër. Misionari duhet të shprehë në jetën e tij të përditshme besimin në Provaninë e Hyjit, që nuk braktis atë që vihet në dispozicion të tij. Ai duhet t’i përdorë lekët, pa u mbizotëruar nga lekët. Rizbulimi i varfërisë, si një përdorim i zgjuar i të mirave, duhet të jetë një objektiv i ekzistencës sonë, sepse na bën të lumtur.

“Se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni …” Në rast që dëgjuesit refuzojnë Jezusin, dishepujt duhet të nënvizojnë rëndësinë e refuzimit, e të vendosin njeriun përballë përgjegjësive të tij.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Jezusi, duke u besuar Apostujve misionin e ungjillizimit në botë, na fton edhe ne, besimtarët e tij, të bëhemi misionarë të mesazhit të tij, të së vërtetës e të dashurisë. Të lutemi së bashku e të themi:

Na mbush, o Zot, me Shpirtin tënd.

L. Ndihmoje, o Zot, Kishën të zhvillojë me besnikëri dhe guxim misionin e shpëtimit mes njerëzve. Të lutemi.

L. Ndriçoji, o Zot, përgjegjësit e shteteve, që me zgjuarsi dhe ndershmëri të angazhohen për të krijuar shoqëri të themeluara mbi vlerat e lirisë, të drejtësisë dhe të paqes. Të lutemi.

L. Bëj të lindin, o Zot, persona të gatshëm që t’u shërbejnë të gjithë të përjashtuarve nga shoqëria deri sa të japin jetën e tyre për ta. Të lutemi.

L. Bëj, o Zot, që secili prej nesh të dijë të jetë përballë botës dëshmitar i vërtetë i Ungjillit me shembullin e jetës së vet. Të lutemi.

M. O Zot, që dëgjon atë që të thërret me besim, na ringjall me dhuratën e Shpirtit, që ka ringjallur Jezu Krishtin nga të vdekurit, që të mund të ecim në një jetë të re, duke të shërbyer ty dhe të afërmit. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »