Sfida e (mos)besimit
17 korrik 2018 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Is 7,1-9; Ps 47; Mt 11,20-24)
Prania e Hyjit
Para se të fillosh këtë meditim, është e nevojshme ta zgjedhësh hapësirën/vendin;
ta kesh paqen e jashtme; të marrësh pozitën e mirë të trupit dhe të krijosh paqen e brendshme.
Duhet ta kesh para sysh: tani është koha e dëgjimit të Zotit. Jam në praninë e Zotit. Asgjë nuk duhet të më shqetësojë. I lë të gjitha aktivitetet. Para Zotit mund të jem ai/ajo që jam.
Liria
Krijoj një ritëm të duhur të frymëmarrjes që do të më ndihmojë për t`u qetësuar dhe mbledhur.
E bëj shenjën e kryqit, adhuroj ose përkulem thellë.
Lutem që kjo kohë e meditimit të jetë në nder e lavd të Zotit, që të mund të lutem në Shpirtin Shenjt.
Ndërgjegjësimi
Lutem për hirin e shenjtë, për atë që dua, atë që dua të arrij në këtë meditim.
Lutem që Zoti të më flasë; ta takoj; ose të mos jem i shurdhër ndaj thirrjes së tij, por të jem në dispozicion i dëgjueshëm;
ose ta dalloj atë që më porositë teksti i përzgjedhur i Shkrimit Shenjt për jetën time.
Fjala
Ta meditosh Fjalën e Zotit, kjo do të thotë që të sillesh rreth një pjese të tekstit të lexuar apo të dëgjuar, atë ta përvetësosh, ta zbërthesh (deshifrosh) dhe t`i zbulosh bashkëlidhjet. Bibla është një tërësiqë plotësohet dhe interpretohet. Në fillim të Biblës thuhet: “Fryma e Zotit endej përmbi ujëra” – pastaj: “bota u krijua”. Pikërisht ashtu si te leximi apo dëgjimi i Biblës ndodh diçka e re, për Ty, për mjedisin Tënd, për botën.
E lexoj, e dëgjoj Fjalën e Zotit, dhe vërej çka po ndodh në zemrën time.
Mt 11, 20-24
20 Atëherë zuri t’i qortojë qytetet, në të cilat Jezusi kishte bërë shumë e shumë mrekulli, e ato nuk u kthyen.
21 “I mjeri ti, Korazin, e mjera ti, o Betsaidë! Sepse, sikur të ishin bërë në Tir e në Sidon të gjitha ato mrekulli që u bënë ndër ju, kaherë do të kishin bërë pendesë të veshur me thes pendese e të përhimë. 22 Prandaj po ju them: Tiri e Sidoni do ta kenë më lehtë se ju Ditën e Gjyqit!
23 E ti, o Kafarnaum,
a thua do të ngritesh deri në qiell?
Ti do të plandosesh deri në ferr!
Sepse, sikur të ishin bërë në Sodomë mrekullitë që u bënë në ty, ajo do të ishte edhe sot e kësaj dite! 24 Prandaj po ju them: treva e Sodomës do ta ketë më lehtë se ti ditën e Gjyqit!”
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Jezusi predikonte mesazhin e kthimit dhe pendimit për faljen e mëkateve. Këtë mesazh njerëzit e merrnin në mënyra të ndryshme, varësisht prej besimit që e kishin në Jezusin. O Zot, “unë besoj, ndihmo mosbesimin tim” (Mk 9,24).
- Jezusi jetoi për një kohë në Kafarnaum. Ai predikonte në sinagogë. E megjithatë, mrekullitë e tij nuk ishin të mjaftueshme për të bindur vendasit se ai ishte nga Hyji.
- Besimi im në Jezu Krishtin Zot dhe ungjillin e Tij ma mundëson që gjithmonë t`i admiroj veprat e tij të mrekullueshme dhe t’i japë atij nder e lavd e ta falënderoj pambarim.
Kur i lejoj Fjalës së Hyjit që të endet përmbi preokupimet e mia, atëherë mund të ndodhë gjithçka, sepse ai është Hyj që befason. Me rëndësi është që mos ta fshehë kaosin tim të brendshëm nga Fjala e Hyjit dhe nga vetvetja.
E lexoj, e dëgjoj pjesën e Ungjillit edhe një herë, nëse duhet disa herë. Ndalem në pjesë të tekstit që më lënë më shumë përshtypje. I lëshohem fuqisë së fjalëve.
Bashkëbisedimi
Jezus i dashur, po ta çeli zemrën.
Mund të të them gjithçka më mundon.
E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.
Më mëso që të jetoj në dijeni se ti përkujdesesh sot për mua,
Se do të përkujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.