Ubikacioni i Arbanonit dhe shtrirja e emrit të Arbnorëve

Jul 21 • Histori, Kulturë

Nga Prof. dr. Engjëll SEDAJ

 

Arbanoni – ipeshkvi

Ipeshkvi i Krujës, në dokumentet e kohës, quhet episcopus Arbanensis (ipeshkëv arbëresh), kurse Mark Skura flet për një “Citta’ di Albano, sita presso il Scumino[1] [2] [3] [4] (Qyteti Albano që shtrihet pranë Shkumbinit), kështu që çështja primare ndërlidhet me sukcesivitetin etnonimik të Albanopolit, përkatësisht të albanëve antikë në një terminologji joshëse të Arbanonit dhe arbnorëve mesjetarë. Sidoqoftë, lidhja me antikën ekziston dhe kjo lidhje do të përforcohet shumëfish me strukturat organizative kishtare dhe civile më të lartë, kurse në aspektin urban duhet pasur parasysh se Kruja ndahej vetëm në dy lagje kryesore: Lagja Kola dhe Lagja Varosh.

Ndonëse emërtimi i (toponimit dhe) etnonimit nuk është konstatuar në mesjetën e hershme, nga rezultatet arkeologjike kuptohet se që nga shek. IV, kur “muret rrethuese kishin humbur rëndësinë dhe funksionet e dikurshme, qyteti fillon të braktiset dhe banorët e tij duket se shpërngulen në një qendër tjetër, e kjo qendër do të ketë qenë Kruja e ardhshme.”

Nëse kjo braktisje e banorëve të këtij qyteti do të ketë ndodhur nën presionin e dyndjeve të popujve ose nga rrethana të tjera, që nuk mund të konstatohen saktësisht nga provat historike, megjithatë një traditë e emërtimit do të ketë vazhduar edhe më tutje. Nuk është e tepërt të thuhet se qysh në shek. XIX ka pasur krahasime në mes të Krujës (mesjetar) dhe Albanopolit (antik), kështu që lokaliteti arkeologjik, si orientim për të zbuluar dhe konstatuar qytetin e vjetër, është menduar se do të ketë qenë në afërsi të Krujës. Në Copën e Gjeografisë të Kluverit, ndërmjet tjerash, thuhet: “Në brendi të tokës është Kruja, shumë e famshme në gjithë Shqipërinë, ku Skënderbeu u qëndroi fort turqve, ish Albanopoli, sot vend i shkretë dhe i rrënuar prej turqve.”[5]

Prandaj nuk përjashtohet mundësia që pikërisht, bashkë me Krujën (heroike), ta kenë “rrënuar” turqit edhe Albanopolin, siç thuhet tekstualisht edhe në një dokument të mëvonshëm. Kështu, ky qytet, bashkë me banorët trima të tij, siç thotë Zija Shkodra, “humbi prej turqve edhe emrin e vjetër shqiptar”.[6] Në lidhje me këtë zgjon interes edhe fakti se këta, turqit pra, ia dhanë qytetit një emër të ri, duke quajtur Akçe-Hisar,[7] që do të thotë “kështjellë e bardhë”,[8] mbase edhe për shkak të emrit të Albanonit, që në gjuhët romane jep kuptimin e bardhësisë dhe në këtë mënyrë përsëri gjendemi në lidhje me trajtën antike të Albanopolit dhe të albanëve të tij.

Sa i përket ubikacionit të ojkonimit në dokumentet e mëvonshme (shek. XII), pra, përsëri në mesjetë, Arbanon ose Arbanum quhet Kruja, që, sipas M. Shufllait, ishte “qendër shqiptare.”[9]

Megjithatë, trajta (diocesis) Arbanensis, që është ruajtur për ipeshkvinë e Krujës, kufijtë e së cilës shtriheshin deri në Elbasan, tregon burimësinë jo vetëm më të madhe gjuhësore, por edhe faktin se dysia në emërtimin e kësaj ipeshkvie do të jetë futur vetëm pas atyre kohërave të vështira kur arbërit qenë detyruar të tërhiqeshin nga Fushë Kruja (ku ndodhet qyteti ilir Zgërdheshi), dhe ku është konstatuar Albanopoli i vjetër, në vendin kodrinor të Krujës, si emërtim i dytë.

Për një dysi të emërtimit flitet edhe para rënies së Krujës në duar të turqve, kurse emri i vjetër vetëm në ato fshatra ku banorët u dynden plotësisht, sepse, siç thotë D. Luka, gjatë përpjekjeve të turqve pjesa më e madhe e banorëve të fshatrave të Arbnisë i pati braktisur trojet amtare.[10]

Kjo dysi mund të ketë mbetur për ata banorë, të cilët nga Fushë Kruja (ku ndodhet lokaliteti arkeologjik i qytetit të Zgërdheshit) kanë qenë të detyruar të tërhiqen në vendin kodrinor të Krujës, duke bartur edhe emrin e Arbanonit, kështu që etnonimi ende nuk kishte ndonjë shtrirje të gjerë.

Në shek. XVII ipeshkvi i dioqezave të bashkuara të Krujës dhe Arbanonit e kishte selinë “non longe ab Kroia in pago Curbini, ubi templus est S. Venerandae e solido lapide conservantum”.[11] [12] Mirëpo, këtu do të përpiqemi ta ndjekim ecurinë e ngjarjeve para këtij rrënimi, që do të thotë do të vemi në kohët kur është formuar ipeshkvia dhe principata, të njohura me emërtim të njëjtë të Arbanonit.

Në fakt, Arbanum ose Arbanon ishte në origjinë emër i trevës rreth e rrotull Krujës, ose, siç thotë K. Frashëri, emri i një krahine të ngushtë, kurse diocezi (Diocesis Arbanensis) më 1166 kishte një prior, Andreas prior Arbanensis, dhe një ipeshkëv, Lasarus episcopus Arbanensis, d. m. th. dy personalitete që marrin pjesë në shugurimin e kishës së Shën Trifonit në Kotor, tituj që tregojnë pushtetin qeveritar dhe kishtar,[13] si dhe hapësirën gjeografike, kurse një vit më vonë, më 1167, papa Aleksandri III, i drejtohet këtij ipeshkvi të Arbërit (Lasarum episcopum de Albania), me një letër zyrtare nga e cila kuptohet se kjo ipeshkvi është e ritit latin[14] dhe se i takon qendrës metropolitane të Durrësit. Në këtë mënyrë pasqyrohet tradita stabile e kësaj ipeshkvije, e cila, sipas dëshmisë së Gjon Kastriotit, ishte themeluar në Krujë në shek. VII, si Episcopatum Albaniae,[15] që më vonë, më 1250, të dokumentohet në trajtën Arbaniam, kurse më 1271 në trajtën Arbanie.[16]

Prandaj edhe ipeshkvia në emërtimin e saj pranon kuptimin e zonës së Shqipërisë së Mesme,[17] kështu që edhe mund të thuhet se organizimi kishtar do të ketë pasur peshën e vet për të pasur edhe prestigjin e konsiderueshëm edhe si krahinë (ndaj krahinave të tjera, siç janë: Pulti, Kunavia, Mirdita, Matia, Benda, Mokra etj.)

Ç’është e vërteta, ipeshkvi David i Krujës (Davith Kroion), bashkë me ipeshkvin e Durrësit, Lukianin, dhe të Matit (Stefanisë), Kozmën, përmenden qysh më 879 në sinodin Fotinian,[18] çka do të thotë se dysia e emërtimit (që mund të jetë çështje më vete) të kësaj ipeshkvie ishte në përdorim që nga mesjeta, por riti, megjithatë ishte latin, sikundër që mund të dëshmohet ky element, që është elementi latino-perëndimor, edhe për gjithë krahinën e Matit. Prandaj edhe nuk është çudi që A. Sabari, në letrën e tij dërguar nga Lezha, më 17 prill 1582 edhe fretnit “e manastirit të Rubinit” i konsideron “fretër të Arbërisë”, në kuptimin e Arbërisë së Mesme,[19] kështu që duke ndjekur përmendjen e emërtimit të Arbërisë dhe të arbëreshëve të saj, arrijmë deri në shek. XVI, kur kuptohet se kjo ipeshkvi “ka 300 fshatra të krishterësh”,[20] që është një prestigj edhe ndaj ipeshkvive të tjera shqiptare.

 

Arbanoni – principatë

Kjo ipeshkvi, siç shkruan një relator në shek. XVI, ndodhet në vendin ku ”bëhen 50 milje prej Lezhe drejt Greqisë”,[21] kurse te M. Bici, më 1622, ajo quhet edhe Principatus Croiae,[22] [23] [24] që tregon se pushteti kishtar dhe civil kishin afrinë e shumëfishtë. Duke qenë një prej ipeshkvive më të vjetra, mund të mendohet se edhe territori i saj do të ketë qenë i madh, me ndikesë në ipeshkvitë e tjera të Shqipërisë, kështu që ipeshkvijtë e Lisit dhe të Stefanikës u shkrinë në të Arbërit diku para shek. XIV, mbase duke qenë sufragane të saj, dhe në këtë mënyrë bëhet një bashkësi e madhe kishtare për t’u quajtur dioceseos arbanenses, duke ndihmuar edhe organizimin sa më të mirë të pushtetit civil, siç do të bëhet Principata e Arbënit. Meqë është fjala te emërtimi i kësaj ipeshkvie, po veçojmë këtu se në kohën e Gjon Kastriotit (rreth viti 1407), ipeshkvi i Lezhës kishte “synuar për t’i përvetësuar 12 kisha nga ipeshkvia e Arbërisë dhe për t’ia bashkangjitur ato ipeshkvisë së vet.”[25] Në fakt, siç thotë K. Frashëri, apelativi i arbanitëve iu vesh pjesëtarëve të komunitetit politik dhe fetar që u krijua rreth e rrotull krahinës Arbanon,[26] [27] për t’ u zgjeruar më vonë edhe në krahinat e tjera shqiptare. Këtë prestigj duhet kuptuar jo vetëm në sistemin e organizimit vetanak të një pavarësie kishtare (ndaj kishës së lindjes), por sidomos të një pavarësie të konsiderueshme ndaj pushtetit civil të Perandorisë Bizantine dhe këtu duhet parë ruajtjen dhe përhapjen e vazhdueshme të etnonimit në travat shqiptare (në krahinat tjera), sa që ky element mjaft karakteristik në rrethana të popujve të konfesioneve ortodokse (grekë, serbë etj.) edhe feja e shqiptarëve do të dallohet, siç shkruan P. Bogdani, si “arbanashka vera”.

Së këndejmi, duhet thënë se edhe në bazë të gjendjes së përdorimit të antroponimeve, që konstatohen pothuajse në të gjitha regjistrat e sanxhakëve shqiptare të kohës së sundimit turk, siç janë, Lesh, Vlash, Gjin, Gjon, Dhimitër, Gega, Kola, Gjeç, Tanush, Bushat, Pal, Duka, Nikë, etj., shqiptarët në mesjetë tregojnë një shkallë të lartë të kulturës qytetare të krishterë, e cila i afronte më tepër me grekët bizantinë, e sidomos me popujt neolatinë (dhe me elementin roman të Dalmacisë) sesa me sllavët,[28] që tregon rezistencën e fuqishme dhe ruajtjen e emrit të popullit arbëresh.

Tiparet e përbashkëta shqiptare do të paraqiten në jetën shpirtërore e kulturore që u pasqyruan edhe në antroponiminë e tyre, sidomos në faktin se edhe emrat e ardhur nga bota e krishterë iu përshtaten gjuhës shqipe, duke pranuar tipare të antroponimisë shqiptare.

Nga shek. XI në një mbishkrim varri është konstatuar edhe emri i arhixhakonit të Arbanit (gr. Arbanu), sikundër që është konstatuar edhe në një kodik të vitit 1226 (Sy Dionides Blasos Arbanu pelon).[29] Ç’ është e vërteta, qysh në shek. XII, në krye të Principatës së Arbërit ishte një Protosevast i pavarur “që ishte shkëputur edhe kishtarisht nga riti bizantin”, kështu që “edhe sevasti i periferisë duhet konsideruar në vartësinë e Protosevastit,”[30] që përsëri tregon autoritetin traditor pushtetar dhe gjerësinë tarritoriale të principatës, të njohur edhe ndërkombëtarisht, kështu që papa Inocenti III, më 1208, do ta quajë Dhimitrin, arkondin e madh, “nobili viro Demetrio Albanesi principi”, dhe “iudex Albanorum”,[31] në kuptim të atij prijësi arbëresh, që kishte Principatën e vet, të trashëguar nga babai i tij Progoni, në sundimin e të cilit emërtimi Arbanon u shtri në krahinën veriore të Pultit,[32] [33] që më në fund, në vitin 1407, Gjon Kastrioti të quhet “dominus satis potens in partibus Albanie”.

Në lidhje me këtë traditë këtu mund të veçohet Arbëri, si emër gjeografik në Shqipërinë e Mesme, ku shënon fushën e Elbasanit me Polisin e rrethina të tjera,[34] pastaj shënon një pjesë të Labërisë së Vlorës, përkatësisht të arbëreshëve të Labërisë, që përsëri dëshmohet një përhapje e konsiderueshme në përmasa të gjera nacionale dhe në një afirmim ndërkombëtar, sidomos në lidhjet që kishte Kruja me normanët, duke vënë edhe përmendoren e Karlit të Madh në qendër të qytetit, siç dëshmon Dh. Frangu nga koha e Skënderbeut.[35]

Meqë është fjala te Principata Arbanon, kuptohet se kah fimdi i shek. XII, ky Arbanon ishte nën sundimin e Progonit, kurse pas pushtimit të Konstantinopojës nga kryqëzata e katërt më 1204, Arbanoni fitoi mëvetësinë politike dhe u bë shtet i parë që mbante emrin arbëror.[36]

Këtu, përveç që dallohen titujt e lartë (gjithëshqiptarë) kishtarë dhe shtetërorë, përdoret termi (in) Alba në lidhje me Albanopolin dhe albanët (antikë) e tij. Me një fjalë, këtu duhet konstatuar qendrën e botës shqiptare në këtë kohë saqë edhe Karl Topia (ose Thobia), që e kishte selinë e tij në Krujë, më 1408 do të quhet Signor del Albano (Zoti i Arbanit), për dallim nga Gjon Musaka (dhe të gjithë parardhësit e tij Musakas që kanë sunduar në Berat), dhe i cili do të quhet Signor di Epiro (ose Dispoth di Epiro).[37]

 

Arbanoni – mbretëri

Pikërisht më 21 shkurt 1272, për të respektuar traditën etnonimike, tanimë të përhapur, Karli I Anzhu, e themelon Regnum Albaniae-Mbretërinë e Arbërit, duke u bindur në zgjerimin e këtij etnonimi edhe në trevat e tjera arbnore, të cilat jo vetëm nga tiparet e përbashkëta etnokulturore të shqiptarëve, por edhe përmes rrugës Egnatia dhe të shumë degëzimeve rrugore të tjera, duhet të kenë luajtur rol parësor në përhapjen e emrit kombëtar arbër. Këtu bëhet fjalë për një vend të organizuar, kështu që “ipeshkvët, kontët, baronët, ushtarët dhe qytetarët shqiptarë” qenë ata që pranuan dhe zgjodhën Karlin I Anzhu për mbret të tyre, kurse emërtimi Regnum Albaniae shfaqet më herët, që prej 27 maj 1267, nga koha e traktatit të Viterbos, i nënshkruar nga Papa Klementi IV dhe Karli I Anzhuj, me të cilën përligjej fushata ballkanike e Karlit I.[38]

Në kohën kur vendoset pushteti i Karlit I Anzhuj, i cili më 1272 do të shpallet edhe Rex Albaniae (mbreti i Arbërisë), përmendet Guglielmo Albaninsius vicarius Albaniae ose Guglielmo Albanensis de Pruetta, in Alba vicarius, të cilin mbreti do ta emërojë edhe capitanus (kapedan, kuptohet ushtarak),[39] që tregojnë avancime të mëdha pushtetare sipas një nomenklature mjaft stabile etnonimike.

Me një fjalë, këtu kemi të bëjmë me një traditë të gjatë e të qëndrueshme, ku ishin koncentruar, si të thuash, vlerat më të mëdha nacionale, siç do të tragojnë edhe ngjarjet e mëvonshme të kohës së Skënderbeut ose “Moti i Madh i Arbërit”, kurse këto vlera veçohen në përcaktimet latino-evropiane kishtare dhe shtetërore. Prandaj edhe emërtimin e kësaj Mbretërie të Arbërit mund ta ndjekim në faktografinë ndërkombëtare, sidomos në administratën e Papatit. Në fakt, vetëm nga një letër e Papës Gjoni XXII, dërguar më l7 qershor 1319, apostrofohet Mbretësira e Arbërit në lidhje edhe me tituj të tjerë, siç janë Ndre Muzaka, marshall i Mbretërisë së Arbërisë (regni Albaniae marescalo), Theodor Muzaka, protosevastit të Mbretërisë së Arbërisë, Pal Matrangës (dhe banorëve të tjerë) të Mbretërisë së Arbërisë etj., duke shfaqur dhembjen për vuajtjet e rënda nën sundimin serb të Rashkës.[40] Me fjalë të tjera, aristokratët shqiptarë, të cilët kishin përgatitur kryengritje kundër serbëve, pothuajse prej Vlore e deri në Ulqin, në dekretet papnore titullohen “delicti viri” dhe “viri catholici,” kurse vetëm njëri prej tyre “Radoslaus comes Albaniae” quhet “nobilis vir”.[41]

Siç është bërë e ditur në kohën e fundit nga prof. Xh. Schiro, jun., në një kronikë anonime,33‘ me tituli To chronikon ton Tokkon (Kronikë e Tokove), ku bëhet fjalë për vajtjet e Karlo Tokos, dukë i Cefalonisë në atë kohë në Janinë, përmendet emërtimi (gr.) ta Albana, që tregon shumësin e emrit (to) Albanon. Përveç që ka kuptim etnik, me njoftime e fakte me interes të veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët, për ngjarjet e mëdha të kohës, ku Efremi shënon Arbanonin dhe arbnorët e tij, ky emërtim në tekstin greqisht del nga baza alb-, sikurse edhe në burimet latino-perëndimore. Forma është e rrallë edhe nga aspekti i zhvillimit të kohës së mëvonshme dhe dëshmon stabilitetin etnik të shqiptarëve, kështu që në shek. XV-XVI, mbështetur në të dhënat e venedikasve me ato të osmanëve të defterit të sanxhakut shqiptar, emërtimi i përbashkët i Arbërit dhe i arbëreshëve është realitet historik sikur në sferat zyrtare, ashtu edhe në ato jozyrtare.[42]

 

Fisi i Albos

Natyrisht këto divergjenca në emërtim i shkaktonte faktori i jashtëm, duke kufizuar përdorimin e etnonimit arbën, kurse në aspektin etnografik, si faktor konvergjent, siç thotë M. Shufllai, në krye të trembëdhjetë fiseve, të regjistruara, madje në një regjistrim anzhuin qysh në vitin 1304, qëndronte fisi[43] i vjetër Arbën, që kishte pozitë qendrore në bërthamën shqiptare.[44] S’do mend se edhe sot e gjithë ditën zgjon interes të shtuar, si renditja e këtyre fiseve, ashtu edhe emërtimet e tyre (sipas kësaj liste në gjuhën greke):

Albos, Spatos, Catarucos, Bischesini, Aranitos, Lecenis, Turbaceos, Marchaseos, Scuras, Zeneuias, Bucceseos, Logoreseos, Mateseos.[45]

Duke i radhitur kështu fiset shqiptare, prej të cilave disa do të bëhen shumë të njohura në historiografinë shqiptare, siç është fisi i Arianitëve (e bija e Gjergj Arianitit, Donika, ishte bashkëshortja e Skënderbeut), krahasimi mund të bëhet me fiset ilire të kohës antike, të cilave, qofshin ato të kohës antike, apo mesjetare, do t’u prijnë albanët.

Në anën tjetër, kjo traditë vetëm sa e përforcon faktin se forma (dialektore) arban, arbën ishte e përgjithshme deri në kohën e veprimit të rotacizmit, por jo në gjithë vendin. S’do mend se këtu paraqiten edhe disa momente me rëndësi, e që kanë të bëjnë me metodën induktive për konstatimin e përpunimit të shqipes që në mesjetë, jo vetëm në poezinë popullore, por, siç thuhet, edhe in charta.

 

Shtrirja e etnonimit arbër (Arbëri)

Ky emër është ruajtur nga mesjeta edhe në toponimet e kësaj krahine qëndrore, siç janë Arbana, fshat në rrethin e Tiranës, Kroi Alban në afërsi të fshatit Zgërdhesh etj. Prandaj edhe studiuesit francez A. Dyselie, duke folur për shtetin e parë shqiptar rreth v. 1190, me qendër në Krujë, të birin e Progonit e quan Dimitri d’Arbanon,[46] mirëpo përgjithësimi apo shtrirja e emërtimit edhe në krahina të tjera jashtë Arbërisë do të ketë ndodhur atëbotë kur janë plotësuar edhe kushtet etnokulturore për një etnonimi të përbashkët, kështu që pikëpamjet gjuhësore të emrit në paraqitjen e tyre shumëshekullore vetëm mbulojnë një formalitet pasiqë të jenë krijuar dhe plotësuar premisat për formimin e një populli me origjinë nga fiset ilire.

Mirëpo, dinamika e përhapjes së etnonimit arban në fund të shek. XII, gjatë sundimit të arkondit Progon (sundoi në vitet 1190- 1199) do të përfshijë krahinën veriore të Pultit, për t’u zgjeruar edhe më tutje nga ana jugore, në viset e Kunavisë e të Cemikut, deri në luginën e Shkumbinit në kohën e sundimit të arkondit të madh Dhimitrit, pra, në kohën e komunitetit politik e fetar të shtetit të arbanitëve,[47] kështu që tani mund të flitet për elementin e përbashkët etnografik.

S’do mend se do të ketë ekzistuar një traditë e emërtimit të krahinës e të qytetit, sepse edhe në vitin 1332 argjipeshkvi i Tivarit, Gulielm Adea (alias Brochardus), tregon se arbanitët “kanë katër qytete, d.m.th. Pulti i madh e Pulti i vogël, Sapa dhe Albani.”[48] që s’është gjë tjetër veçse termi i thjeshtësuar nga Albanopoli i vjetër, ndoshta i formuar mbi baza kuptimore më të qarta në gjuhët romane, kurse në Anonimin e vitit 1308 të Gorkias përshkruhet zgjerimi i prëdorimit gjeografik të emrit, duke thonë: “Est enim (hec) Albania regio satis lata et magna… quatuor fluuiis magnis tota hec regio irrigatur, videlicet, ersenta, mathia, Scumpino, Epasa”.[49]

Një paraqitje të bukur, madje edhe në aspektin krahinor të Albanonit (pra jo Arbanon) në shek. XIII, e gjejmë tek autori bizantin, Theodor Skutarioti, i cili, ndërmjet tjerash, shkruan:

Pretori dhe logotheti i madh, mbasi doli nga Selaniku, arriti në Veria për të dëbuar që andej, sipas urdhrit perandorak, delegatët e papës së Romës, të cilët kishin ardhur te perandori, kur ky ndodhej akoma në Selanik. Mbasi i dëboi këta dhe mbasi i përshkoi andej viseve të tjera aq sa donte, mori rrugën për në Albanon. Sigurisht, mbasi kapërceu Servinë dhe Kosturin dhe dha porositë e duhura për krahinat rreth Ohrit, arriti në Albanon dhe prej andej, së bashku me krerët e vendit, arriti në Durrës. Prej andej, mbasi ndenji tetë ditë, doli duke i siguruar të gjitha, si për rrugën, ashtu edhe lidhur me Durrësin, si iu duk atij më mirë. Pastaj, mbasi kaloi prej tokave të Kunavisë, e cila është një krahinë e Albanonit, kaloi malin, të cilin e quajnë Guri i Keq, dhe arrin në territoret e Matit, dhe prej andej në Dibër. Aty u informua se Habaroni, që kishte administrimin e Albanonit, u kap nga despoti Mihail… dhe prej këndej despoti Mihail kaloi në revoltë të hapur. Kështu, më vonë, Albanoni u bë i tij, por edhe qytetet e krahinat kaluan me te, si dhe vetë logotheti i madh dhe pretori, që qe brenda në Prilep…[50]

Joan Kantakuzeni në përshkrimin e ngjarjeve që kanë ndodhur në Epir, në gjysmën e parë të shek. XIV, përmend Albanoi me banim sikur në rrethinën e Beratit, të Kaninës, të Devollit, të Ohrit, të Kolonjes, të Libizdit, etj.[51] S. Pulaha thotë se “emërtimi Albania, Albanum, duke filluar nga shek. XI, u zgjerua vazhdimisht dhe arriti në shek. XI deri atje ku e shpuri faktori politik shtetëror shqiptar, principatat shqiptare në shek. XIV-XV. Ai u shtri nga Tivari e Pulti në veri deri në Çamëri në jug, duke përfshirë edhe viset që në shekujt e mëparshëm njiheshin me emrin Epir.”[52] Nga dokumenti i qërshorit 1210, në të cilin janë shënuar privilegjat që u ka dhënë venedikasëve Mikel Engjëll Komneni,[53] etnonimet arbërit ose korfiotet (arbanenses vel corfiatici) tregojnë se koncepti etnogjeografik i Arbërisë përfshinte viset bregdetare të Despotit te Artës (ose Epirin e Jugut).

Në të njëjtën kohë me paraqitjen e Th. Skutariotit (1285), kemi edhe dokumentin e parë mbi gjuhën shqipe, që ruhet në Arkivin Historik të Dubrovnikut, në të cilin dokument tekstualisht thuhet: audivi unam voćem clamantem in monte in lingua Albanesca (“E kam dëgjuar një zë në mal duke bërtitur në gjuhën shqipe”.), me një trajtë të mbiemrit të redukuar, në kohën kur as trajta shqipe (e zgjeruar) arbënesh, nuk do të ketë qenë në përdorim të dendur. Ky dokument ndërlidhet edhe me faktin se shtrirja e etnonimit, madje në përmasa kompakte shqiptarësh, kishte edhe në afërsi të Raguzës.[54] Më vonë, në vitin 1383, është shënuar gjithashtu në arkivat e Dubrovnikut fjalia (latine): Loquebantur insimul in lingua Albanensi et non intelligebam ipsos,[55] (“Ndërkaq, bisedonin në gjuhën shqipe dhe nuk i kuptoja ata”), që nuk mund të jetë e parëndësishme për çështjen tonë, jo vetëm pse (mbiemri) del në trajtën e zgjeruar (Arbanensis), por edhe pse nga kjo kohë na dalin edhe shumë emra me atributin etnik “albanensis”, siç janë Demetrius Nicolaus Albanensis,[56] Alexius Constandini Albanensis,[57] Dominicus archipresbiter Albanensis,[58] [59]etj., duke u përgjithësuar mbiemri Albanensis, trajtë e cila do të krahasohet me trajtën shqipe Arbënesh, kurse në dokumentet latino-perëndimore do të përgjithësohet trajta e toponimit Albania, që lidhet ngushtë edhe me disa tituj të lartë, pra me kompetenca teritoriale, siç ishte, bie fjala, Guill(er)mo Bleniste i Shqipërisë së Mesme, të cilit Filipi i Tarentit i kishte dhënë më 1304 titullin e lartë ushtarak: marascallum regni Albanie (“marshall i mbretërisë së Arbërisë”) . Në serialin e materialit arkivor me tituli Advocatorum Gumunis, Raspe (Compendia procesum et sententiarum , in regestis) të Arkivit Shtetëror të Venedikut, ruhet një dokument që mban datën më 20.XII.1396 dhe bën fjalë për Palin nga Lezha” Rex Albanensium”.[60] Për dallim nga titulli që kishte Mbreti Millutin dhe Karli I Anzhu, si Rex Albaniae (Mbret i Shqipërisë), ky Pali i Lezhës (Paulus Alessi) do të quhet “Mbret i shqiptarëve”, përkatësisht “Mbret i arbënve”, që nënkupton etninë e një populli, të cilit i përkiste ai edhe duke jetuar në Venedik. Pikërisht këtu në Veneci, me një urdhëresë të veçantë, të shkruar më 18 prill 1393, lajmërohet bajl- kapitani i Durrësit të zgjedhë gjashtë kalorës për ruajtjen e rendit publik në Durrës, e përveç kushteve të tjera, të dinë arbërishten,[61] kurse në një dokument, më 3 janar 1399, thuhet që kontkapidani i Shkodrës Nikollë Polani të ketë një përkthyes,[62] që kuptohet përdorimi dhe përhapja e gjuhës arbërishte medje edhe në dimensionet ndërkombëtare.

Ndonëse vendi dhe populli në mesjetë ishin të copëtuar në disa principata dhe në rite fetare, etnonimi ishte i njëjtë për popull dhe për vend, për të filluar edhe diferencimi sa më i madh etnokulturor i këtij populli. Kjo kulturë do të fisnikërohet prore nga tradita e gjatë e antikës greko-romake, e sidomos nga ajo latino-perëndimore, me një fizionomi të formantit latino-roman, kulture, pra, të cilën do ta dëshmojnë, para ardhjes së turqve, sidomos humanistët dhe historianët e parë shqiptarë.[63] Prandaj na duket mjaft i logjikshëm konstatimi i M. Shuflait se edhe në bazë të onomastikës etnonimike mund të thuhet se në kohën paraturke “Shqipëria ekzistonte si një koncept gjeografik dhe etnik paralelisht me konceptin politik të Bullgarisë e të Serbisë”.[64] [65] [66] [67] Konceptin e unitetit e argumentojnë tiparet kombëtare të gjuhës dhe të fesë së përbashkët të krishterë, e cila kishte një organizim kishtar qysh në shek. IV.

Kur është fjala te shtrirja e etnonimit sipas një harte të Fra Mauros nga viti 1459 dhe sipas shënimeve të R. Barron, emri i Albanisë është shënuar tri herë, prej të cilave më shkronja më të dalluara është shkruar në viset qendrore shqiptare, kurse dy herë me shkronja të vogla, një herë në viset veriore mbi Shkodrën (Zeta), dhe në viset qendrore të Maqedonisë së sotme, kështu që, siç ka konstatuar K. Biçoku, edhe Zeta përfshihej në Shqipëri edhe në hartat e mëvonshme, kurse sipas Gjon Buzakës, kufiri lindor i Arbërisë ishte Bullgaria. Së këndejmi Albania Veneta mbante emrin në qarkun e grykës së Kotorit, kështu që banorët e kësaj province edhe gjatë shek. XVIII-XIX quheshin “shqiptarë”, ndonëse flasin gjuhën sllave dhe ishin ortodoksë.[68]

Atributi Albanensis (Arbëresh) zakonisht karakterizonte shqiptarin katolik (gegë), kurse atributi Graecus dhe Romaios shqiptarin ortodoks dhe (më vonë) Turcus (Turca) të islamizuarin, kryesisht para shek. XIX, që do të thotë para Lidhjes së Prizrenit (1878). Prandaj edhe mund të thuhet se ky atribut i arbëneshit ka të bëjë burimisht me trevën gjuhësore gege dhe me ritin latin. Në fakt, në burimet e tij, përhapjen e këtij etnonimi duhet kërkuar gjithherë në krahinat e sotme të trevës gege, ani pse, sipas mendimit të Hahnit. “toponimi Arbëria, në kuptimin më të ngushtë, shënonte malësinë pas Vlorës (Kurveleshin ose Labërinë), kurse në një kuptim më të gjerë, ky emër përfshin edhe Himarën, si dhe vetë zonën e Delvinës, d.m.th. gjithë Kaoninë.”[69] Prandaj edhe këto vlerësime mund të ndihmojnë në përcaktimet e shtrirjes së Arbërit.

Për prejardhjen gege të këtij etnonimi është i vetëdijshëm edhe S. Frashëri, duke thënë se “prindërit tanë të vjetër u quajtën arbën, fjalë të cilën na toskët, pas zakonit tënë që bëjmë nr, e kthejmë në arbërë, si e përdorim edhe sot.”[70]

Dallimi përmbajtësor ndërmjet emërtimeve të shqiptarëve me Romaioi dhe Graecoi qëndron vetëm në faktin se burimet greke – bizantine të kohës do t’i quajnë romejë, burimet latino – perëndimore grekë, kurse (më rrallë), si për lindorët, ashtu edhe për perëndimorët në shek. VIII-XI, shqiptarët do të quhen edhe Bulgaroi, Bulgarus.[71]

Në lidhje me këtë çështje do të shtrohet edhe çështja e shtrirjes së emërtimit të Arbanon-it ose Albanon-it në kuptimin e gjerë të fjalës, i cili në burimet latino-perëndimore dhe sllave fillon të përmendet si Arbanum, Albanum, Raban, Arbania e Albania. Mirëpo, nga përcaktimi i shtrirjes së këtij etnonimi, mbase nuk mund të përcaktohet plotësisht shtrirja e shqiptarëve gjatë shekujve, sepse, në fillim të shek. XIV, me emërtimin arbanit, albanit, kuptohet gjithnjë shqiptari katolik, kurse ortodoksët (shqiptarë) edhe në kohën e Karlit I Anzhuj zakonisht quhen “grekë” (Albanenses et Graeci – d.m.th. shqiptarë katolikë dhe shqiptarë ortodoksë),[72] sepse koncepti kombëtar kishte më tepër kuptimin fetar dhe politik, kurse më pak koncept etnik. Së këndejmi, në Gegëri ose në Shqipërinë Veriore, shqiptarët, që kufizoheshin me ortodoksizmin sllav, manifestonin përkatësinë e tyre kulturore të Arbënit, duke u mbrojtur nga ligjet drastike të parapara me Kodin e Car Dushanit (1349-1355). Edhe momentet e tjera, që lidhen me influencën ortodokse greke dhe sllave, ndikonin në përforcimin dhe integrimin kombëtar të emrit arbën, si emër diferencues të gjuhës dhe të kulturës, përkatësisht si “emër i Shqipërisë e i shqiptarëve në mesjetë,”[73] kështu që këto diferencime të shqiptarëve si arbëneshë, grekë dhe bullgarë do të jenë më tepër të natyrës formale të dokumentacionit e të burimeve që ishin kryesisht të huaja, kurse nga aspekti i brendshëm diferencime të këtilla nuk do të ketë.

Kur është fjala te shtrirja e emërtimit Arban (Arbër) në territorët e Maqedonisë Perëndimore, të Kosovës dhe më gjerë, pra, në vendbanimet e dikurshme të dardanëve, të pajonëve, të penestëve e të tjerë, duhet thënë se në shek. XI-XV ende ishin në përdorim emërtime nacionale historike të krahinave Maqedoni dhe Epir, ndonëse nuk kishin të bënin fare me karakterin etnik të popullsisë,[74] që ishte vazhdimisht nën sundimin bullgar dhe serb, kurse nga koha e Skënderbeut është ruajtur një letër që ia ka dërguar atij Jan Huniadi më 03.11.1443, ku ndër të tjerat shënohet se “ushtria rritej nga dita në ditë, shumë bullgarë, shqiptarë, serbë, boshnjakë vijnë drejt nesh,”[75] [76] që sipas shjegimit të K. Biçokut, “tregon se numri i luftëtarëve vullnetarë shqiptarë, ishte më i madh dhe se banorët e krahinave pranë Nishit ishin kryesisht shqiptarë”, kështu që edhe turku Ballabanbeg në mitin 1415 titullohet “subasha kruiski i rabinski”.[77] Në viset lindore shqiptare, por edhe në rrethinat e Kërçovës, Tetovës, Ohrit, Shkupit, Kumanovës etj., ka mjaft toponime, sidomos të fshatrave, me emërtimin Arbanas, Arbit (majëmali), Arbinë (vendbanim) etj.[78]

Në këtë mënyrë mund të thuhet se në kohën e Rilindjes Kombëtare, sikurse edhe në historiografinë bashkëkohore shqiptare në një shtrirje të përgjithshme ekzistonte emri kombëtar mesjetar arbër (Arbëri).[79]/drita.info

 

— — —

 

[1] F. Cordignano, Geografia ecclesiastica dell’Albania, Romë, 1934,31.

[2]Koço Zheku, Kulla krutane, te: Konferenca e Dytë, II, 205.

[3]S. Islami, Qyteti ilir Zgërdheshi, 208.

[4]Krh. Th. Desdevisses du Desert, Geographie ancienne de la Macedonie, Pariš, 1862, p. 70 et 228.

[5]Cituar sipas: Dokumente të shekujve, vëll. II, p. 260.

[6] Esnafët shqiptarë, 22.

[7] Në tekstin Fetih-name-i Akçehisar (Shpallja mbi pushtimin e Krujës), ndërmjet tjerash thuhet: ”Kur të pafetë e Akçehisarit dëgjuan zërin e fortë e dridhmëdhënës, që lëshuan forcat gjithmonë fitimtare dhe plot vlera të ushtrisë lavdimadhe të kopshteve të qiellit, nuk munden të qëndronin më në fortesën e tyre. Kjo ishte një fortesë e bardhë si veja e Simurgut, ngritur mbi kojken e Kafit. Ajo fillonte nga fundi i tokës dhe arrinte gjer te kulmi i Shënjezavet. Asnjë nga mbretërit e kohës së kaluar që nga fillimi e gjer në mbarim të botës, nuk pat mundur ta pushtonte atë për shkak të atij muri rrethues që kishte fortesa.” Kjo ka ndodhur më 21 prill 1478 (ose me 18 të muajit të muharremit 883). (Cituar sipas: Selami Pulaha, Lufta shqiptaro-turke në shek. XV, Tiranë, 1968, p.379.)

[8]PaIlmerayer, Das Albanische Element, 107.

[9]S h u f 11 a y , Serbët dhe Shqiptarët, 209.

[10] D. Luka, Studime gjuh., I, 107

[11]   “Jo larg Krujës në katundin Kurbin, ku gjendet tempulli i Shën Prendës i ndërtuar me gur të plotë”. (Cituar sipas Thaloczy, Vëzhgime, 154.)

[12]Sipas Shuflait (Acta et Diplomata, I, nr. 92), “aliud altare a sinistro latere sacravit Lasarus episcopus Arbanensis,” a dextro videlicet latere sacravit altare Johannes episcopus Dulcinensis,” që do të thotë se Lazëri Arbëresh e ka kuptimin “arbëresh”, sikurse Gjoni që e ka kuptimin “ulqinak.”

[13] F r a s h ë r i, Trojet e shqiptarëve, 11.

[14]   Për ritin latin të kësaj ipeshkvijve, A. Meksi ka dhënë edhe shënime plotësuese, duke cituar disa abaci katolike të benediktinëve, siç ishin ajo e Rubikut dhe e Malit të Shenjtë. (Peshkopata e Arb.,36).

[15]  Acta et Diplomata, 1,10.

[16] Acta et diplomata, I, nr.10, 60,75.; D e m i r aj, Gjuha shqipe, 225.

[17]Krh. Dokumentet e shekujve, 1, p. 212.

[18]S h u t e r i q i, Fjalë nga leksiku i shqipes, 330.

[19]Z a m p u t i, Dokumente 1, 358.

[20]Z a m p u t i, Dokumente 1, p.342.

[21]Z a m p u t i, Dokumente II, 242.

[22]M . J a c o v , Spisi tajnog Vatikanskog arhiva , SANU, Beograd, 1983, p.42.

[23]   K. Frashëri, Trojet e shqiptarëve, 201.

[24]  Acta et Dipl., I, 116.

[25]  Thallaczy, Vëzhgime, 75.

[26]  K. Frashëri, Trojet c shqiptarëve, 10.

[27]  P. Thëngjilli, Disa aspekte, 72-73.

[28]S h u f 11 aj, Serbët dhe Shqiptarët, 52.

[29]Krh. B . F e r j a n ë i ae, Albanci u vizantijskim izvorima, te: “Iliri i Albanci”, p. 289.

[30]  I. Zamputi, Dy mbishkrimet, 28.

[31]  Thalloczy, Vëzhgime, 74.

[32]  K. Frashëri, Trojet e shqiptarëve, 11.

[33]  “Zot mjaft i fuqishëm ndër krahina të Arbërisë” (Thalloczy, Vëzhgime, 75.)

[34] Ç a b ej, Studime etimologjike, II, 64.

[35]  Dh. Frangu, Skënderbeu, Tiranë, 2000

[36]  Peter Bartl, Shqipëria, 26.

[37] Acta et Diplomata, I,dok. nr. 808.

[38] Etleva Lala, Mbretëria e Arbërisë, 25.

[39] S h u t e r i q i, Aranitët, 62.

[40]  Sub gravi tirannide illius regis perfidi Rascie nedum scismatici et religionis christiane lolaliter inimici. (Gituar sipas: Etleve Lala, Mbretëria e Arbërisë, 26.)

[41]  Thalloczy, Vëzhgime, 156.

[42] E. Dulaj, Konceptet, 26.

[43] Vështruar historikisht dhe etnografikisht fisi paraqet një “grup njerëzish me gjuhë dhe zakone të përbashkëta, që jetojnë si një bashkësi, me një prijës nëkrye”(Fjalori i gjuhës së sotme shqipe), ose , siç e jep definicionin e fisit N. Gazuli, (Fjalori toponomastik, 184.) si “nji numër i madh familjesh, të shpërndara, por që e numërojnë veten me prejardhje prej të parit të përbashkët”, kurse fjala (fis) ,mbase është huazim nga greqishtja (e re) fusis, përkatësisht phyle (në greqishten e vjetër).

[44]S h u f 11 a y , Serbët dhe Shqiptarët, 31.

[45]S h u f 1 ay, Serbët dhe Shqiptarët, 149; Më gjerësisht për këto fise: Shuteriqi, Aranitët, pp. 56-59, 87-88.

[46]D u c e 11 i e r, La façade maritime, 138.

[47]F r a s h ë r i, Trojet e shqiptarëve, 11.

[48]S h u t e r i q i, Aranitët, 86.

[49] Cituar sipas: E. Çabej, Studime etimol. II, 65. (Ndërkaq, kjo krahinë e Arbërisë është mjaft e gjerë dhe e madhe … nga katër lumenj të mëdhenj ujitet mbarë krahina, që do të thotë, Erzenta, Mati, Shkumbini, Epasa”.

[50]Cituar sipas: Burimet bizantine, 177.

[51]K. Bozhori, Vëzhgime, 138.

[52]P u 1 a h a, Popullsia shqiptare, 14.

[53]  Acta et Diplomata, I, nr. 140.

[54]  Acta et Diplomata, I, nr. 527.

[55] S h u f 11 a j , Serbët dhe Shqiptarët, 54.

[56]Acta et diplomata, I, 133.

[57]S h u t e r i q i, Aranitët, 63.

[58]F r a s h ë r i, Trojet e shqiptarëve, 19.

[59]S h u t e r i q i, Aranitët, 63.

[60]Krh. Jahja Drançolli, “Mbreti shqiptar” në mesjetë, te ”Rilindja”, më 2. VIII. 1980, Prishtinë, 1980, p. 13.

[61]Acta et Diplomata,II, nr. 497

[62]Acta et Diplommata, II, nr.613.

[63]  Krh. E. Sedaj, Shqipja arbërore, pp.49-68.

[64]  Thalloczy, Vëzhgime, 147.

[65]  Antiche Cartc Geografiche, nr. 11.

[66]   Mappa Geographica Graeciae Septentrionalis Hodiernae sive Provitiarum Macedoniae, Thesaliae et Albaniae, Norinbergae Cura Homanninorum Heredum, A=1770 (Cituar sipas: K. Biçoku, Viset etnike, 28.)

[67]  K. Hopf, Chroniques Greco-Romanes inedites ou peu connes, Berlin, 1873, p. 281. (Cituar sipas: K. Biçoku, Viset etnike, 29.)

[68]  Thalloczy, Vëzhgime, 201.

[69]H a h n, Albanesische Studien, p. 230.

[70]F r a s h ë r i, Vepra 2, p.20.

[71]F r a s h ë r i, Trojet e shqiptarëve, 9.

[72]F r a s h ë r i, Trojet e shqiptarëve, 19.

[73]Ç a b ej, Problemi 1 burimit, te: “Studime gjuhësore”, V 36.

P u 1 a h a, Popullsia shqiptare, 14.

[75]  Szues Jeno, Huniadi Janos, Budpest, 1956, 28 (Cituar sipas: K. Biçoku, Viset etnike, 28.)

[76]   Ibidem.

[77]  “Subash krutan dhe arbëresh” (Thalloczy), Vëzhgime, 68.

[78]  Q. Murati, Dëshmime onomastike për autoktoninë e shqiptarëve në trojet etnike të tyre në Maqedoni, „Fan Noli“, Tiranë, 1993, pp. 8-9 et passim.

[79]  K. Biçoku, Emri kombëtar mesjetar arbët (Arbëri, Albani), te: „Rilindja“, më 5 qershor 1993, p.9.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »