Pse jemi kështu si jemi?

Jul 22 • Opinion

Një përqasje psikologjike mbi (mos)edukimin e jetës shqiptare, e mbështetur në studimet e psikoanalistit dhe psikiatrit të njohur gjerman Hans-Joachim Maaz.

 

 

“Shqiptaret nuk kane dashni per njeni – tjetrin, jane e keqja e vetvetit”

At Zef Pllumi

 

 

Nga Zef Ahmeti

 

Ka kohë që po përpiqem të kuptoj si dhe pse ka ndodhur që për dekada jetuan shqiptarët në sistem diktatorial komunist, dhe mbas dy dekadash e gjysmë askush nuk e ndjen vetën për fajtor. Sikur në këtë vend dhe në atë sistem të ishin njerëzit nga një vend ku nuk i dihet fija. Nga e kaluara dhe e sotmja kam kuptuar se grupet radikale, ekstremiste dhe ideologjike u ofrojnë njerëzve me vetje të shthurur struktura hierarkike që u mundësojnë mbështetje dhe orientim. Mungesa e njohjes së vetes, njeriun e bën të rrëshqasë në ideologji apo t`i bashkohet një grupi të caktuar, në kuadër të së cilit mund të fitojë reputacion.

Nëse i shikojmë nevojat themelore të njeriut në gjenezën e tyre, ato ndahen në kërkesa trupore, mentale, sociale dhe shpirtërore. Trupi kërkon oksigjenin, ushqimin, ujin, rregullatorin e ngrohjes, lëvizjen, seksin dhe sekrecionin. Mentalja kërkon mirëkuptim, vërtetim, nxitje, përkrahje, inkurajim, mbrojte, ngushëllim dhe kufizim – ndryshe dashuri. Ekzistenca jonë si qenie sociale kërkon kontaktin, pasqyrimin, bashkësinë, domethënien, njohjen dhe kritikën. Ndërsa shpirtërorja kërkon kuptimin, realizimin dhe përvojën për ndërlidhjen me marrëdhëniet më të larta – vendlindja, kombi, njerëzimi, natyra e Zoti. Ndodh që këto nevoja bazike paraqiten shpesh te njeriu në tensione emocionale, pasi secili ka nevojat e veta. Të kujtojmë vetë atë si bënte Sigurimi, duke i shfrytëzuar këto nevoja themelore me sugjestion: ti je i rëndësishëm dhe ajo çfarë ke për të na treguar është për ne një çështje e mirë, se do jetë edhe në shërbim të familjes që ti i përket.

Disa kanë nevojë për më shumë kontakte sociale, disa të tjerë kanë nevojë për besim e meditim, disa të tjerë akoma me përjetimet në natyrë i plotësojnë nevojat e besimit. Mirëpo, një gjë është më se e sigurt; një ditë, herët a vonë, do “demaskohet” te secili njeri, po që se një nga këto nevoja themelore ka mbetur e plotësuar. Nëse një nga këto nevojat themelore mbetet e parealizuar, atëherë kërkohet një “zëvendësim”, që në fakt s’e kënaq asnjëherë nevojën themelore origjinale. Për pasojë kemi përherë një shtytje që të rritet kërkesa për këto kënaqësi të zëvendësueshme.

Si krijesë sociale, njeriu marrëdhëniet i vendos për zhvillimin e tij, ndërsa kultura e marrëdhënieve përcakton cilësinë e jetesës. Menjëherë pas lindjes njeriu është subjekt i marrëdhënieve. Ndërkohë fëmija i lindur me kohë programohet nga ndikimet e prindërve. Zhvillimi i shëndoshë i fëmijës lidhet ngushtë me aftësinë e prindërve në detyrën e tyre. Është e pranishme bindja se fëmija është objekt i edukimit, që duhet t`i mësohet çka është mirë e çka është keq. Fëmija ekspozohet edukimit sipas mendimeve të familjes dhe në kuadër të normave që ofron shoqëria dhe pritjeve zhvillimore të saja. Edukimi bëhet sipas shtypjes autoritare, frikësimit, manipulimit, lavdërimit dhe dënimit duke përfunduar në nënshtrimin e fëmijës ndaj vullnetit të të rriturve. Kjo nuk është e huaj dhe as e re për rrethanat shqiptare. Kjo mënyrë e edukimit shpesh nxit edhe rebelimin e fëmijëve dhe mbase edhe shkakton sëmundje, si pasojë e ndrydhjes në vete të nevojave personale.

Sot, është e njohur se shanset e zhvillimit të mirë të fëmijës varen thellësisht nga raportet e tij që ka me prindërit, vëllezërit e motrat, gjyshërit, çerdhet etj., sa këta janë të aftë të kuptojnë saktë marrëdhëniet me fëmijët, t`i kuptuar drejtë dhe të reagojnë në mënyrë preferuese adekuate. Kjo do të thotë të krijohet një kënaqësi optimale në cilësi dhe sasi në nevojat e demonstruara, optimale në ndjesitë e fëmijës dhe jo sipas mendimeve dhe gjykimeve të kujdestarit. Si qëndron kjo në shoqëritë shqiptare? Si edukohet sot fëmija apo më saktë si programohet sot fëmija shqiptar? Për fëmijën, thonë studimet psikologjike, cilësia e marrëdhënieve të hershme me nënën është shumë e rëndësishëm për mirëqenien e mëvonshme të tij.

Fati i një shoqërie varet krejtësisht nga pyetja vendimtare se si sillemi me fëmijët, se duhet të edukohen apo të reflektojmë me marrëdhënie optimale. Në fakt, ne jemi mësuar të dëgjojmë se fëmija duhet të edukohet. Këtë e dëgjojmë gjithandej. Sipas kësaj, na del se edukimi prodhon fëmijë të mirë apo të këqij, fitues apo humbës, fëmijë me sjellje të mira apo me sjellje të këqija. Në këtë mënyrë, format e edukimit mund të jenë fajtore për zhvillime të deformuara shoqërore. Dhe kjo vlen edhe për fëmijën shqiptar, ai del i edukuar mirë apo keq, i sjellshëm apo i pasjellshëm.

Në anën tjetër marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve nuk kanë synime zhvillimore dhe vlerësime, por kërkojnë nxitjen e mirëkuptimit, vlerëson dallimet, fuqizon vlerën për vetën, e mundëson integrimin social dhe, nëse thjeshtësohet edhe më shumë ky dallim, atëherë këtu mund të thuhet: dashuri e jo pushtet, komunitet në vend të konkurrencës.

Shpesh, prindërit shqiptarë dëgjohen duke u arsyetuar se fëmijëve u dëshirojnë vetëm më të mirën ndërsa fëmijët në fakt përjetojnë krejt të kundërtën, nëse nuk kuptohet ndjesia dhe nevojat e tij. Lidhja e hershme emocionale luan një rol vendimtar në zhvillimin e shëndoshë të tij dhe nuk mund të zëvendësohet me edukim. Kështu që një fëmijë me shthurje emocionale dhe programime me mangësi psiko-sociale mund të ketë më vonë një edukim të mirë, porse mbetet një person me mangësi, që do përpiqet t`i zëvendësojë në moshën e rritur me veprime tjera, të cilat do paraqiten më poshtë.

Cilësia e marrëdhënieve e të rriturve me fëmijët është një qëndrim i brendshëm që i ndërmjetësohet fëmijës në mënyrë energjike të brendshme dhe emocionale. Një edukim me ndikim represiv dhe autoritar shpien në një zhvillim deformues. Si e kemi gjendjen e familjes shqiptare në këtë aspekt sot? Si ishte kjo dje?

 

Disa sqarime konceptuale

Në vijim do bëjmë një dallim që do përdoret këtu: vetja dhe uni nuk janë të njëjta. Të sqarojmë. Përderisa vetja është struktura e personit, i cili që nga lindja është i dallueshëm, i dhënë, që mund të formohet vetëm në jetën e hershme – deri në moshën trevjeçare. Vetja si shprehje e strukturës së personalitetit ndikohet në zhvillimin e tij nga rrethanat ndikuese. Kështu që cilësia e hershme e marrëdhënieve, që fëmijët i përjetojnë para, gjatë dhe pas lindjes, është formues në vetëzhvillim. Kësaj i shtohet uni si funksion shpirtëror që përpiqet të baraspeshojë pengesat e vetes, ato t`i rregullojë, kompensojë si dhe të ndërmjetësojë e pajtojë mes çarjeve dhe fragmenteve të vetes. Uni ndërmjetëson kontributet sekondare psiko-sociale për të ndërmjetësuar mes mundësive strukturore dhe kërkesave të realitetit; uni ndihmon përshtatjen, ndryshimin dhe zhvillimin me rrezikun që kontributet e unit largohen shumë nga baza strukturore e vetes.  Kurse po u bë  ngatërrimi  mes unit dhe vetjes, atëherë lindin problemet.

Ta shikojmë veten si dhuratë që nuk mundemi ta refuzojmë e që përbën bazën e individualitetit, unikal të ekzistencës sonë.

Për ta kuptuar më mirë se ku dëshirojmë të dalim, le të vazhdojmë më tutje me rëndësinë e madhe që ka vetja që e përshkruam, se si bëhet formësimi i saj te një fëmijë deri në moshën trevjeçare e që është vendimtare për sjelljet e mëvonshme të njeriu i pjekur. Çrregullimet e vetjes ndikohen nga disa faktorë: kërcënimet e nënës, që më vonë i përjetojmë si kërcënime të vetjes; kapja prej nënës, që në moshën e pjekur përjetohet si vetje e torturuar; mungesa e nënës që më vonë kalon në padashurinë e vetjes; helmimi i nënës, që ka për pasojë varësinë e vetjes; terrorit atëror, me rezultat të mëvonshëm frenimin e vetjes; mallkimi atëror, me pasojën e mëvonshme të neglizhimit të vetjes; keqpërdorimi atëror, që ka rezultat vetjen e mbingarkuar.

Po çka kuptojmë me këto? Duken shumë të thata, andaj kanë nevojë për shpjegime të mëtejshme.

Kërcënimi i vetjes, vjen si pasojë e ndjenjës së fituar në fëmijëri nga “kërcënimet e nënës”, si rezultat i refuzimit të një fëmije si të padëshiruar, që ka përjetuar dhunë fizike dhe psikike, në zhvillimin e tij do bëhet i pasigurt, labil dhe mbetet i fragmentuar e do ndjehet i kërcënuar. Kjo shprehet me mendimet: nuk jam i autorizuar, jam i padurueshëm, unë nuk mundem të jem. Këtu për t`u bërë i aftë për jetesë uni i vetes ka dy mundësi: identifikimi me kërcënimin ekzistencial ku zhvillon sjellje destruktive – konsumi i alkoolit, drogës – apo edhe me provokimin e konflikteve të ashpra, dhunë. Kështu me sjelljen e tij i jep të drejtë sjelljes refuzuese të nënës ndaj tij – bëhet i padurueshëm real. Ose si rrugë e dytë kërkon rrugë dhe mjete për t`u hakmarrë, që duke u bërë vetëkryes i një vepre që të mos jetë më viktimë. Tragjike është qenia e tij në fëmijëri viktimë (si refuzim i hershëm ekzistencial), individualisht nuk mund të kuptohet më. Kërcënimi i brendshëm brendashpirtëror, në fakt, bëhet burimi i vërtetë i çdo radikalizmi dhe ushtrimit të dhunës. Çdo autor dhune fillimisht ka qenë vetë viktimë e dhunës psikike apo fizike. Andaj radikalizimet nuk mund të mënjanohen me përjashtime apo dënime, por vetëm me ndihmë psikosociale afatgjate – si parandalim. Kështu për t`i ikur kërcënimit të vetes, kërcënon vetë dhe është i gatshëm për dhunë.

Kapja prej nënës, do të thotë së një nëne i duhet fëmija si vërtetim për rëndësinë e saj dhe rivlerësim të unit, por edhe si shpërqendrim dhe kompensim. Dhe kjo shprehet në shprehjet: ti je i imi, ti je prej meje, unë mundem të bëj me ty çfarë të dua, ti je pronë e imja. Kjo tendencë pronësie nuk vërehet nga nëna me arsyetimin se fëmijëve u dëshiron vetëm më të mirën. Nënat e tilla keqpërdorin energjinë e jetës së fëmijëve – përderisa nga jashtë duket se ato po bëjnë gjithçka të mundshme për fëmijët. Nëna “helmon” fëmijën që të sillet si i pëlqen asaj, ai manipulohet ashtu që t`i ndjej dhe plotësojë dëshirat e nënës, ose i ofrohet kinse dashuri fëmijës, por nuk ka asnjë ndjenjë empatie për ndjesinë e fëmijës. Në fakt, disa prej tyre shkojnë aq larg sa u marrin peng shpirtin e fëmijëve, dhe nuk është për t`u habitur nëse fëmijët e prekur kalojnë në heshtje, tërhiqen, mënjanojnë apo e refuzojnë kontaktin, bëjnë vetëm njoftime të kontrolluara, sepse nuk mund të shprehin çka vërtetë mendojnë. Në momentin kur nëna gjen zëvendësim për t`u marrë me dikë a diçka tjetër, fëmija harrohet e kështu te ai shkaktohet një konfuzion dhe paaftësi orientimi.

Mungesa e nënës, lidhet ngushtë me mungesën e kujdesit, e mbrojtjes, të qenit i dëshiruar, i kuptuar. Këto marrëdhënie mund të shpjegohen ndryshe me një fjalë të vetme: me qenë i dashur prej nënës. Po mungoi kjo, atëherë njeriu në moshën e pjekur ka ndjenjën e padashuri ndaj vetes. Dashuria e nënës ndaj fëmijës nënkupton t`i jap fëmijë dashuri, kujdes, mbrojtje, kureshtje dhe atë për ta kuptuar e njohur. Një dashurie e pakushtëzuar, që fatkeqësisht shpesh mungon te shumë raporte prindër-fëmijë. Duke pasur parasysh se nëna ka edhe detyrime e nevoja tjera, përveç fëmijëve, atëherë shtrohet pyetja se si duhet t`i shpjegohet fëmijës, që ai të mos ndjejë se nuk është i dashur dhe i refuzuar. Një rol të madh luan edhe ndjenja e brendshme – empatike – përballë fëmijës: a është ajo egoiste apo shpreh energji dashurie. Shumë nëna vuajnë nga deficitet narciste, të cilat fëmijën e keqpërdorin si dëmshpërblim, si supernënë, të cilës ai përherë duhet t`i jetë falënderues. Dashuria e nënës është një parakusht vendimtar për një zhvillimin psiko-social të fëmijës. Sidomos tri vitet e para të fëmijës janë vendimtar për zhvillimin e vetjes së mëvonshme. Në këtë ndërlidhje dashuria – e vërtetë e nënës – është të lirosh, të kujdesesh, që ai të jetë mirë, i aftë të jetojë vetëm me të gjitha mundësitë, veçoritë dhe kufizimet. Ata njerëz që kanë përjetuar padashurinë, kanë frikën më të madhe se mund të duhen vërtetë prej ndonjë personi, sepse një gjë e tillë do të “provokonte” kujtesën e dhimbshme, se sa do ta përjetonte si plotësim i dashurisë së munguar.

Në anën tjetër, kush nuk ka dëshirë të jetë i pavarur dhe i lirë? Paralel me dashurinë, liria është një prej dëshirave më të mëdha. Kurse, përgjegjës për përvojën e lirisë së brendshme dhe autonomisë së fëmijës, është qëndrimi parimor i nënës ndaj tij: të bëhet çfarë dëshiron ajo, ka pritje nga fëmija dhe edukohet: bëhu si dua unë të të kem e si më nevojitesh, helmimi i nënës që ka për pasojë varësinë e vetjes së fëmijës. Kjo gjë nga nënat e tilla nuk është në fakt fare problem e as nuk e ndjejn si të tillë, sepse e ka të trashëguar ndër breza të njëjtën bindje. Në rastet e tilla fëmija i përshtatet ndjesive dhe nevojave të së ëmës dhe mirëqenia e tij varet edhe nga gjendja e nënës. Ndërsa mamatë e tilla nuk kanë idenë se çfarë u bëjnë fëmijëve. Përderisa ky lloj edukimi ndikon në largimin nga orientimi i brendshëm i fëmijës, nënat e tilla nuk e shohin tjetërsimin tragjik të tij. Kështu në vend se të dëgjojë nevojat e brendshme personale që ka fëmija, ai mësohet të orientohet nga ndikimet e jashtme. Dhe për të fituar njohje, vëmendje ose të paktën të mos dënohet, ai bën jetë parimisht të varur nga jashtë. Mëson të bëjë e veprojë atë çka dikush e pret prej tij dhe e harron vetveten. Kështu që në fillim ngufatet zhvillimi i vetes dhe nuk do ja dalë të mësojë se kush është ai vërtetë. Me bllokimin e përjetimit të vetes nuk mund të zhvillohet autonomia e me këtë humbet edhe liria e brendshme. Kështu vetja e rreme përpiqet të gjejë rrugë të tjera kompensimi të mungesës me para, pushtet, besim, ideologji. Kështu që liria e brendshme nuk mund të vihet në një linjë me lirinë e jashtme. Kështu bie fjala të drejtat e njeriut apo të qytetarit nuk sigurojnë edhe lirinë e brendshme.

Edhe shqiptarët, gjatë komunizmit, për “mungesën e lirisë” tyre mund të thuhet se kanë qenë për të ardhur keq. Lirisë së jashtme i është dhënë edhe nivel gati ideologjik, duke mendua se me kalim në demokracinë liberale do arrihet liria. Kur ngushtimi psikik zbukurohet me lirinë e jashtme, atëherë kemi një situatë groteske dhe të rrezikshme. Zëvendësimi i mungesës së lirisë së brendshme bëhet viktimë e varësisë nga kompensimet e jashtme, konsum, modë, luks. Kështu që vetja nuk ka mundësi të zhvillohet lirshëm. Shumë njerëz nuk e dinë kush janë e çfarë kërkojnë, sepse kanë humbur ndjenjën me veten. Vetja e varur ka nevojë përherë për “ushqim” nga jashtë, ndryshe mund të përfundojë në paqëndrueshmëri. Nga kjo rezulton që personat e tillë përherë përpiqen të përshtaten, bëhet ndjekës, bëjnë karrierë si bashkëfajtorë, apo edhe pësojnë shmangie duke konsumuar mjete që mund të jenë të dëmshme si, interneti, TV, droga.

Vetëzhvillimi i një fëmije varet edhe nga kurioziteti dashamirës me personat e parë me të cilët ka raporte marrëdhëniesh, pra me prindërit. Se fëmija duhet të ketë kufizime kur ka të bëjë me sigurinë e tij, nuk ka dyshim. Mirëpo shpesh nuk është lehtë të përcaktosh, ndash se çka është e rrezikshme e çka penguese në vetëzhvillimin e fëmijës. Prindërit kanë zakonisht vështirësi të pranojnë tipare personaliteti të fëmijëve të tyre që janë ndryshe nga ato, që i njohin dhe i vlerësojnë si të mira apo të këqija. Zakonisht prindërit thirren në normat, rregullat, ligjet që i njohin nga përvoja e tyre jetësore, që në fakt nuk mund t`i ketë edhe fëmija i tyre. Ata kanë frikë nga të rejat, të panjohurat, të huajat. Vetëzhvillimi pengohet zakonisht nga baballarët autoritarë dhe të ashpër. Me ashpërsinë e tyre ata zakonisht shpalosin mallin e pashuar që kanë për nënën, të cilën pa e ditur, e kanë bartur te gratë e tyre. Dhe padyshim deri në momentin sa nuk ka lindur fëmija, ata janë trajtuar nga gratë e tyre si zëvendësim i nënave. Kështu këta burra që kanë mall amënor, e kanë bartur atë te gratë e tyre, me lindjen e fëmijës e shohin atë si konkurrent në favorin amënor. Kjo situatë zakonisht është e pavetëdijshme dhe bëhet pa mundësi reflektimi. Në vend se të shihet problemi te vetja, sulmohet fëmija. Ai frikësohet, shahet, nënçmohet me pasojë pengimin e vetëzhvillimit të fëmijës, terrorit atëror me rezultat të mëvonshëm frenimin e vetjes së fëmijës. Ky frenim shpie në pasigurinë e vetjes së fëmijës, tërheqje dhe kujdes si dhe në rastet ekstreme në sjellje të ngurta. Jeta më nuk jetohet, por vetëm i shkohet mbrapa asaj çka i kërkohet dhe jetohet, duke penguar e shtypur jetën e vet.

Përderisa vetja e frenuar në zhvillimin e fëmijës pengohet në mënyrë aktive, vetja e lënë pas nuk përjeton nxitje, përkrahje, inkurajim. Nëpërmjet komoditetit dhe përtacisë shmang aventurat e jetës, humb mundësin e vetëzhvillimit. Kështu që për fëmijën është shumë i rëndësishëm roli i atëror si një kopsht zhvillimi njerëzor. Nga ky kopsht atëror, i ati mund të ndihmojë fëmijën duke nxitur, inkurajuar për të provuar e për të marrë përvoja – sepse në aspektin psikik-social janë nevoja themelore. Me mungesën e promotorimit te fëmija lenë deficite shpirtërore. Përkrahja e fëmijës nuk duhet ngatërruar me kërkesa të gabueshme që shkaktojnë vetëm varësi. Përkrahje do të thotë të nxitësh talentet dhe aspektet ekzistuese te fëmija. Përderisa kërkesat paraqesin mundim dhe prodhojnë maje suksesesh në shpinë të raporteve të shëndosha. Mallkimi atëror, me pasojën e mëvonshme të neglizhimit të vetes. Andaj një raport stimulues përkrahës, jo kërkues, atëror i talenteve dhe potencialeve tjera te fëmija është shumë i rëndësishëm për një sistem shoqëror.

Kështu vetja e mbingarkuar është rezultat tragjik i një personi me arritje e suksese, sepse shpie te një vetëfryrje ku shpesh është tejet i suksesshëm në jetën e rreme, por njëkohësisht edhe në një krizë të rëndë vetëvlerësimi posa të shpërthejë flluska e suksesit. Shpesh nuk ka dallim mes zhvillimit të talentit, por vetëm suksesi. Këtu luan rol humbja ose fitorja. Te këta njerëz tragjedia është e dyfishtë, keqpërdorimi i talenteve ekzistuese dhe mospërfillja e raporteve në njërën anë dhe, në anën tjetër, iluzionet e sukseseve që shpien në fitimin e çmimeve dhe mirënjohjeve, por jo në paqen shpirtërore dhe çlodhje. Vetja mbetet edhe më tutje e vuajtur dhe e përndjekur. Frika e përhershme për mbajtjen e niveli të suksesit apo edhe nga frika e pamundësisë së rritjes së këtij niveli. Si pasojë kemi mungesën e vetërealizimit dhe vetëdashurisë. Këto të fundit fitohen me dashurinë e hershme, që u jepet fëmijëve nga prindërit. Paraja dhe  lavdia nuk e zëvendësojnë dashurinë. Kjo që thamë është keqpërdorimi atëror, që mund t`i bëhet fëmijës e si pasojë ka mbingarkesën e vetë fëmijës.

 

Jeta e rreme

Gjithë këto janë elemente që ndërtojnë mure të një jete të rreme të vetjes së rreme. Nëse nevojat themelore të vetjes nuk pranohen apo nuk kënaqen rregullisht në mënyrë adekuate nga ana e prindërve, krijohet një presion tensioni, një gjendje mungese vullneti që kërkon çlirim. Kur mungon një kënaqje e nevojave themelore, atëherë kërkohet një zëvendësim. Kjo rrugë e zëvendësuar shfrytëzon mundësitë ekzistuese reale. Në fëmijëri janë dëshirat vazhdimisht të bezdisshme, uria për ëmbëlsira, lojërat e pafundme – në kompjuter, interneti i pakufizuar, shpesh shpijnë në varësi të rrezikshme. Mandej, në aspektin e sjelljes, në mungesë të marrëdhënies së dëshiruar, kalohen në tërheqje, refuzim, sjellje të shthurura në arsimin parashkollor, në shkollë dhe në kohën e lirë provokojnë vëmendje dhe ushtrohet hakmarrje kundër prindërve. Në moshat e mëvonshme bëhet marrja e ushqimit si zëvendësim për dashurinë e munguar, paraja duhet të sjell mungesën e njohjes, pafuqia dhe papërkrahja në moshën e pjekur të jetës së rreme neutralizohen me pushtet dhe pozita drejtuese. Përherë bëhet fjalë për zëvendësimin e nevojave themelore me gjëra të jashtme, veprime zëvendësimi, meqë përmbushja e atyre themelore është e pamundur. Kështu shpesh kalohet në varësi: ngrënje, pirje, punë dhe rezultate, seks, përpjekja për njohje bëhet si lloj droge. Mandej shkaktohen mbase edhe varësi alkooli, droge, lakmia në konsum, suksesi egoist, që shpie në dëmtimin armiqësor të sjelljes sociale, keqpërdorim i pushtetit, mospërfillja dhe keqpërdorimi i interesave publike. Në këtë mënyrë, një demokraci që ka për bazë strukturat e pushtetit me njerëz, të cilët mbështeten në këto nevoja kompensuese të personave si mungesë e dashurisë dhe marrëdhënieve të shëndosha në fëmijëri, ndihmojnë marrjen e vendimeve të rrezikshme me anë të mjeteve demokratike. Fëmijës që i ka munguar dashuria amënore, i mbetet si një therë në këmbë, si dhembje nxitëse për të arritur rezultate dhe për të fituar vëmendjen. Mungesa e dashurisë mund të jetë vdekjeprurëse, si rezultat i përpjekjeve të pandërprera për ta arritur zëvendësimin e dashurisë së munguar me karrierë, pushtet. Kështu që përpjekjet për arritje janë të shëndosha përderisa nuk tejkalojnë kufijtë e mundësive për t`u shpalosur. Një vetje e rreme tejkalon shkallën normale, duke kërkuar kompensimin për dashurinë e amnore të munguar e që mund të nxisë pasoja të ndryshme shëndetësor fizike e kriza psikike.

 

Ndikimet tjera të jetës së rreme

Të kesh një lidhje me familje, vendlindjen, komb është normale dhe si qenie sociale që është njeriu, ka nevojë të jetojë në lidhje sociale, t`i takojë një trupi social. Personat me vetjen e kërcënuar, në proceset e hapjes ndaj të panjohurave, reagojnë në vetëmbrojte duke qëndruar në distancë dhe përherë i gatshëm për “luftë”. Vetja e torturuar i ikën dinamikës së përshtatjes duke u tërhequr, me refuzim. Në anën tjetër vetja e varur është kampione e përshtatjes si strategji e mbijetesës. Këtu kujtohen përshtatjet në kohën e fëmijërisë, që i bëhen pritjeve të nënës, edhe si i rritur ngritën në formë karakteri dhe gjatë gjithë jetës kanë nevojë për udhëzime, udhëheqje, këshillime, sepse nuk arrihet asnjëherë të mund të gjejnë atë të veten. Kështu nga këta njerëz përfitojnë, reklamat, religjionet, udhëheqjet politike. Reduktimi i aftësisë së përshtatjes në varësi, u ofron komuniteteve ndjekës të mjaftueshëm që u tregohet se çfarë është mirë e çfarë është keq, se çfarë duhet bërë e çfarë jo.

Personat me vetje të rreme bëjnë një jetë për të tjerët. Në raste tilla, jeta e vërtetë nuk është e vdekur – vetëm se është e shtypur, e mbuluar. Herë pas here ia del të dalë në sipërfaqe. Kjo shpesh bëhet me ndihmën e terapive psikologjike për t`i kuptuar sinjalet autentike të jetës, por edhe për ta gjetur të vërtetën shpirtërore. Jeta e rreme njoftohet edhe në forma të tjera pa qenë detyrimisht i sëmurë; me anë të pakënaqësive, tensioneve të brendshme, nervozizëm, ankesave të shumëfishta, konflikte psiko-sociale të fyerjeve (prekjeve), lëndimeve, nervozizëm, dëshpërimit, me akuza dhe disponim për grindje. Mandej çështja torturuese e kuptimit, ndjenja se diçka po humbet (po humbin mundësitë). Këta njerëz kanë turp të madh nga qetësia, janë jo të qetë, inatosur, me plot akuza. Kanë frikë të komunikojnë me jetën e vërtetë, andaj përherë kërkojnë zhvendosje vëmendjeje për nevojat themelore të dhimbshme, dhe kanë dëshirë të zjarrtë për një jetë tjetërfare; kështu kalohet në aventura me partner/e të ri/re, aventura seksuale, ndërrohen vendet e punës, banimet. Shpesh në situata të tilla merren rrugë alternative, duke u futur në kaheje ideologjike dhe fetare si zëvendësim për zbrazëtirën e brendshme, ruhet nga detyrimet për të bërë përherë diçka. Një nga elementet moderne të largimit të vëmendjes nga dhembjet e brendshme bëhet me konsumimin e mediave, si interneti, rrjetet sociale si mundësi për të qetësuar agresivitetin e akumuluar apo për ta shprehur atë me akuza e ofendime.

Vetja e rreme – që del si rezultat i marrëdhënieve që kanë prindërit me fëmijët e tyre deri në moshën trevjeçare – sikur detyron për një sjellje që përdorë falsifikimin dhe mbrohet nga të kuptuarit të së vërtetës dhe të vërtetës. Vetja e rreme ka nevojë për armiq që i ndihmojnë për ta shpjeguar sikletin e jetës personale dhe për t`u mbrojtur në rregullimin e jetës së rreme.

Njeriu që jeton një jetë të rreme, si produkt i vetes së rreme, ndodhet në një luftë të brendshme shpirtërore të përhershme mes nevojave që duhet të shuhen dhe tendencave zhvillimore ekzistuese që kërkojnë të zhvillohen, në njërën anë, dhe ndikimeve negative nga marrëdhëniet e dëmtuara nga fëmijëria, në anën tjetër. Dhe kjo shpesh bëhet shkaktare e sëmundjeve të ndryshme. Një zhvillim i shëndoshë i vetjes mundësohet me vetënjohjen reflektuese. Një vetje e vërtetë kërkon pasqyrim, vërtetim, pranim dhe kritikë në kuadër të një kulture marrëdhëniesh empatike, liruese, dashamirëse.

Frika e hershme e përjetuar formon një ndjenjë parimore kërcënuese, e cila mund të aktivizohet edhe në moshë të madhe, edhe atëherë kur nuk ka ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë. Shpesh një kritikë e vogël shikohet si një perceptim rrezikues që menjëherë kërkon aktivizimin preventiv sa njeriu bën një jetë me mjaft konflikte. Një jetë e bërë në raporte në distancë – ri reagim për t`i mbrojtur nga lëndimet e mundshme. Shpesh si rezultat e kësaj, marrëdhëniet me njerëzit janë tejet të ngarkuara dhe asnjë punë nuk e plotëson kuptimin e jetës; pra jeta bëhet një fushëbetejë dhe nuk ka aftësi për të mbajtur marrëveshjet, të jetë i besueshëm. Nga ngarkesa shpirtërore ngritët urrejtja si përgjigje e brendshme, e cila shpërthen në dy drejtime. Me veprime shkatërruese në drejtim të brendshëm ose të jashtëm me qëndrime armiqësore dhe duke përdorur dhunën. Kështu kërkohen armiq, figura armiqësore, ideologjie, grupe radikale, predikues urrejtës, figura drejtuese demagogjike. Aktet e dhunës lehtësohen me përkrahjen e dinamikës në grup dhe mbase merr edhe lëvdata për veprën, kështu që kalohet nga vetja e kërcënuar në kërcënues.

Liria dhe dashuria janë dëshirimet më të mëdha të njeriut, por njëkohësisht edhe iluzionet më të mëdha, fatkeqësisht. Helmimet e nënës ndikojnë në varësinë e vetes ose me kërcënimin me refuzim, nënçmime, e dënim apo edhe “vetëm” me heqje apo ndërprerje të dashurisë. Ndjenja e brendshme e fituar në fëmijëri nga helmimet amënore “nëse nuk i plotësoj dëshirat e kërkesat e nënës, atëherë do mbetem në vetmi”, mund të kenë pasoja kërcënuese për jetën. Me kohë këta fëmijë nuk dinë kush janë e çfarë duan nga jeta, mbeten në varësinë e njohjeve të jashtme, lavdërimeve e kritikave. Ndërsa shpesh kritika dhe akuzat injorohen, me rëndësi është që njeriu ka ndjenjën se në një mënyrë është i rëndësishëm. Kështu ndodh që njerëzit e varur orientohen në atë çfarë bën masa dhe orientohet sipas asaj, pra çfarë bënë shumica bëhet elementi kryesor për orientim. Kështu që këtë e përdorin propagandat politike, fetare.

Vetja e frenuar është përherë në frenim, kështu që nuk guxon të jetohet jeta jote. Në jetë nuk provohet, nuk rrezikohet, u iket vetiniciativave, u largohet aventurave, mungojnë eksperimentimet  – gjithçka e re është e mbuluar me plot frikë. Këto hezitime vijnë si rezultat i edukimeve autoritare, kështu që duhet të veprohet çfarë i thuhet. Në një mënyrë kjo duket se siguron qëndrueshmëri jetësore, mirëpo në anën tjetër pengon zhvillimin e jetës personale. Një pedagogji e zezë, që detyron dëgjesë dhe disiplina, e njëkohësisht, edhe tërbim e urrejtje si dhe dëshirë për hakmarrje. Agresiviteti i grumbulluar nga druajtja dhe frikësimi janë mandej reagimi kundër “fajtorëve” të jashtëm. Njerëzit me vete të frenuar mbajnë në vetvete një sasi të madhe urrejtjeje që shpesh vetë e mohojnë sipas thënies “ujku në lëkurën e qengjit”. Në fakt vetja e frenuar vjen si rezultat i edukatës atërore të ashpër dhe frikësuese. Ashtu edhe normat sociale e të menduar për arritje e suksese, që demonstrojnë pushtet dhe pasuri, provokojnë hezitim nëse nuk arrihen qëllimet e kërkuara.

Një person me vete të neglizhuar është si një bimë pa kujdes, që zhvillohet egërsisht pa qëllim e rend. Në njërën anë, një vetje e neglizhuar demonstrohet si dobësi, pafuqi me një karakter apeli të fuqishëm. Andaj një vetje e neglizhuar mund të dobësohet dhe pengohet aq shumë sa nuk mund të shkojë përpara pa ndihmë dhe ndihmues. Në anën tjetër, vetja e neglizhuar mund të paraqitet në skenë me një pamje tjetër, nëse një fëmijë nuk përkrahet nga prindërit në mënyrë adekuate, ai kërkon, posa t`i mundësohet, ndihmues, bartës idesh dhe përkrahës që për qëllime personale, instrumentalizojnë duke rekrutuar njerëz pa orientime dhe nevojtarë, sa që mbështetësit shkojnë deri në shkallët më të larta të fanatizmit politik, fetar apo sektar. Kjo bëhet e mundshme, sepse vetja e venitur papritmas hasë në interesim dhe fiton vëmendje. Në fakt, bëhet një vetëmashtrim, sepse nuk bëhet një zhvillim i potencialit vetjak, porse kalohet te një zëvendësim i vetes në interes të mbrotjes apo në interes të abuzuesit. Dobësia në vetjen e neglizhuar mbetet edhe më tutje, vetëm se shtypet duke u mashtruar me shanset e avancimit në karrierë apo duke u bërë pjesë e një grupi, duke e ndjerë vetën pjesë të një grupi të caktuar. Në rrethana të tilla edhe budallai më i dobët mund të bëhet drejtues apo hero në një shoqëri që në një mënyrë kultivon vetjen e rreme. Vetëm një vetje e pazhvilluar ndjehet mirë në pranimin e urdhrave dhe bëhet i dëgjueshëm me paskrupulla morale -sepse morali në një vetje të tillë as nuk ka mundur të lëshojë rrënjë – dhe është i gatshëm të bëjë edhe vepra kriminale. Duke u bërë pjesë e një grupi – edhe atëherë kur ky grup është njëkohësisht grup krimi – vetjes së neglizhuar i jepen krahë. Atë çfarë individi i tillë nuk e posedon në veten e tij, zëvendësohet me energjinë sociale të grupit. Një vetje e tillë lëngon nga dobësitë, pasiviteti, pafuqia, hutia, mungesa e orientimit dhe sëmuret nga pasojat psikosociale të komoditetit, koprracisë, se i mungojnë ndjesitë për saktësi si dhe përgjegjësitë e detyrave.

 

Si mundem të kuptoj se bëhet fjalë për veten time të rrejshme?

Ka disa mundësi. Nëse shpesh ndjehesh i kërcënuar, edhe në raste krejt të vogla, kur ndjehen kërcënimet e jashtme si ikja e partnerit, kriza financiare etj., shpërthejnë reagimet e ashpra. Kur ofendohesh shpejt dhe lehtë, gjë që vërehet sidomos te njerëzit që kanë problem me narcizmin, ndjehen detyrimisht të shtyrë të qetësojnë pasigurinë dhe inferioritetin e tyre të thellë. Njerëzit e tillë sukseset e tyre të mrekullueshme, që mund t`i arrijnë nuk dinë t`i shijojnë, ose vetëm në mënyrë të kufizuar, ndërsa nga kritikat edhe më të vogla lëndohen dhe ofendohen. Një refuzim peshon më shumë se njëqind pëlqime, nuk e përballojnë ironinë dhe përherë e vendosin veten në qendër të vëmendjes. Nëse një njeri e ka vështirë të jetë vetëm dhe nuk ka guxim të veprojë e të vendosë i pavarur, por pengohet, nëse ai me atë çfarë bën, a do i kënaqë të tjerët – në fëmijëri prindërit, më vonë mësuesin, gruan a burrin, shokët? Kështu këta njerëz nuk dinë çfarë vërtetë munden e çfarë vërtetë dëshirojnë. Në çdo vendim jete përjeton një krizë kur nuk e ka askënd afër t`i tregojë se çfarë është mirë e çfarë është keq, sepse janë mësuar përherë të drejtohen nga dikush tjetër. Mandej kur njeriu nuk ka guxim të realizojë mundësitë e veta, nuk rrezikon e as nuk provon asgjë, nuk ka inkurajim për rrugë të reja. Njeriu i frenuar mëton kujdesin dhe të përmbahet, ka mëdyshje, është një frikacak. Çdo ndryshim në jetë përjetohet si rrezik, frika shkaktohet me humbja e strukturave në të cilat është mësuar. Kur njeriu nuk dëshiron të marrë përgjegjësi, refuzon detyrimin, nuk është i përpiktë. Mossuksesi i bëhet kulturë jete dhe kërcënon prindërit ose shfrytëzohet shteti social. Atëherë njeriu kurrë nuk është i kënaqur, sepse nuk ngopet dot, kur një sukses përfundon e thërret atë menjëherë shtytja e brendshme e detyrueshme për suksesin tjetër. Një ambicie e ekzagjeruar që të bën të sëmurë dhe prodhon stresin e përhershëm. Me kërkesat dhe pritjet që e mundojnë pa ndërprerë njeriun, nga frika se dikush pret diçka nga ai dhe se nuk ka se si t`i ikë kësaj kërkese. Jeta e rreme bëhet edhe atëherë kur mendohet se njeriu mendon se duhet patjetër të jetë përherë perfekt dhe i suksesshëm, atëherë kur nuk tregon dobësi dhe kufizime si dhe në çdo mënyrë kërkon të mënjanojë gabimet dhe frikën. Dhe nëse për të jashtmen dhe para e karrierë i shpërfill fëmijët, atëherë jetën e rreme e barti më tutje te fëmijët.

Si në rastet e diktaturave, po ashtu edhe në sistemet demokratike, mund të vuajnë nga ata që bëjnë jetën e rreme e janë në pozita udhëheqëse. Elita narciste politike drejtuese është një rrezik i madh për zhvillimet shoqërore, nëse në pjesën dërmuese ndjekin qëllime e vlera për të mbuluar vetjen e tyre të rreme.

Aty ku ekzistojnë raportet e mira ndërnjerëzore, tkurret fuqia e parave. Si mund të arrihet të kuptohet kjo? Duke e kuptuar vetveten dhe burimin e sjelljeve tona. Gjithçka e thekuar dhe demonstruar nga jashtë – paratë, prona, pushteti, lavdia – janë të përshtatshme për të përfunduar në një jetë të rreme, përderisa gjithçka që orientohet me perceptimin e brendshëm, rezonancën, autenticitetin, ofrojnë mundësitë për momente të vetvetes së vërtetë, që lejjnë të kuptohen rrethanat e zhvillimit, lëndimet, kërcënimet, ofendimet dhe frikësimet emocionale, të përpunohen emocionalisht e kjo do të thotë që zemërimin dhe urrejtjen, dhembjen shpirtërore dhe mërzinë t’i shprehim duke u shoqëruar dhe mbrojtur.

Kushdo që nuk mund ose nuk do e shprehë urrejtjen e vet legjitime, për atë çdo shans për dhunë është i mirëseardhur. Ai që nuk ja lejon vetes vuajtjen shpirtërore, do mbetet përherë me mungesë të kësaj nevoje e kështu edhe viktimë potenciale e mirëseardhur për premtime- karrieriste dhe konsumet në vete. Kush nuk ka mësuar të mbajë zi mbetet i pa hareshëm dhe kështu kujdeset vetë për fatkeqësi.

 

Reflektimi i vetjes së rreme në jetën politike

Ka kohë që më ka munduar pyetja, si ka qenë e mundur që diktatura në Shqipëri për dekada e ngufati jetën e shqiptarit? Si ishte e mundur të ishte gjithë ajo simpati e madhe dhe e gjithë ajo dhunë e paparë, ndërsa masa ose heshti ose ndihmoi në mënyrë aktive? Aty dominonte konformizmi si prirje për t’iu përshtatur sa për sy e faqe qëllimeve, synimeve e interesave të më të fortëve a të shumicës! Mësohej në shkolla se si në mënyrë kolektive kishim luftuar në luftën antifashiste, se si tani me socializmin jemi njerëz më të mirë dhe se si duhet të luftohej elementi reaksionar imperialist e revanshizmi, se si këta kanë përndjekur fashistët italianë e gjermanë. Megjithëse e kaluara e këtij populli nuk ishte kuptuar fare nga regjimi antihuman, i instaluar në emër të njeriut- sepse përditshmëria e njeriut dhe sistemit të ri nuk ishte fare më e mirë, më paqësore dhe e drejtë se ajo fashiste. Tani e drejta, pushteti, privilegjet, por edhe përndjekja e atyre që mendonin ndryshe ishte rindarë ndryshe, në duart e strukturave të reja. E kishte kapluar psikologjia e manipulimit leninist e stalinist si mjet për ta mbajtur pushtetin madje duke shpikur përherë armiq të jashtëm. Kishin ardhur në pushtet njerëzit me shthurje psiko-sociale, e cila nuk hetohej.

Sot, kam kuptuar se me njerëzit nëpërmjet normave edukative, represionit ideologjik politik, mund të ngrihet një sëmundje kolektive e cila askush më nuk do e perceptojë si të tillë – e edhe më pak ta kuptoj atë. E ata që janë përpjekur të thonë diçka tjetër, janë përndjekur e lëçitur, sharë e kështu është realizuar përshtatja, konformizmi dhe formimi i dëshirës për tu bërë pjesë për mos të mbetur jashtë. Kështu në një shoqëri krijohet një shumicë me vetje të rreme, që verbohet ideologjikisht e që përshkohet nga një varësi ekonomike. Nga një klimë e tillë, duke pasur parasysh edhe nevojën substanciale të njeriut për të qenë pjesë e një bashkësie sociale, ndjekësve dhe bashkëpunëtorëve që janë në shumicë, u mungon edhe ndjenja e vetëdijes së fajësisë. Kjo përshtatje në mendimet e shumicës dhe pozicioneve të tyre reflekton se nuk bëhet fjalë se ato janë të vërteta, porse për më tepër se jeta e rreme në këtë mënyrë fshihet dhe mohohet më së miri, sipas parimit: atë çfarë masa e mendon me siguri se nuk mund të jetë gabim!

Sot një protestë sa më e dukshme dhe e theksuar të jetë, aq më e nevojshme dhe më e theksuar duhet të jetë analiza kritike edhe për shkaqet e gjenezës së saj. Politikanët që shajnë protestuesit në vend që ata të përpiqen për t`i kuptuar, lëndojnë detyrën politike që kanë, ndërsa sharja dhe ofendimi janë një shenjë e jetës së rreme, sepse ndjehen të kërcënuar nga kritika. Dhe ato forca e persona politikë që e mbajnë vetën pa alternativë në jetën politike, janë varrosës të demokracisë.

Kështu që vetja e kërcënuar përpiqet përherë të gjejë armiq të jashtëm për ta sulmuar me urrejtjen e tij, nga të qenit i kërcënuar kalon në kërcënues, një vete e neglizhuar, e padashuri dëshiron të tregojë se atij i kanë ndodhur padrejtësi, me gjithë demonstrimin e dobësisë, përpiqet t`u kushtojë vëmendje të tjerëve. Një person pa dashuri ndaj vetes – mungesa e nënës – në një shoqëri ku kultura e përshtatjes së masës bëhet si normë, e bën të suksesshëm ose si rast social në një shtet social, ndërsa vetja e varur – helmimi i nënës – kërkon përherë eprorë, sepse vetë nuk është gjoja në gjendje të vendosë. Personat e tillë, me vete të varur, kanë nevojë për drejtues si persona apo në grupe, parti, institucione. Këta njerëz janë simpatizantë potencialë për mënyrat e të menduarit turmorë. Një person që ka vuajtur nga terrori atëror, me rezultat të mëvonshëm frenimin e vetes, bëhet një i dëgjueshëm i shkëlqyeshëm, një person që realizon urdhrat dhe rekomandimet dhe përpiqet përherë të notojë në/me masën që të mos bjer në sy, dëshiron ta ketë qetësinë e vet, mundësisht të mos mendojë shumë. Mirëpo, pas kësaj maske, kemi një kolonë ndjenjash të akumuluara me plot agresivitet për shkak të represionit të përjetuar, kështu një baba “shembull”, një “bashkëshort besnik”, papritmas shkon me një grua tjetër. Mallkimi atëror, me pasojën e mëvonshme të neglizhimit të vetes mbetet në gjumë, i pa përkrahur, mbetët edhe më tutje pasiv, nuk e pëlqen përpjekjen dhe nuk merr përgjegjësi dhe detyrime. Në mungesë orientimi dhe mungesë suksesi dhe njohjeje, bëhet një pengues ziliqar, duke sulmuar të suksesshmit. Ndërsa keqpërdorimi atëror, që ka rezultat veten e mbingarkuar nuk ka qetësi të vërtetë, ndoshta përherë në tension për suksese të mëtejshme, duke vepruar shpesh edhe me arrogancë, duke ndjerë kënaqësi për humbësit. I mbingarkuari e mban vetën të ngritur, për një egoizëm dhe distancim social – i afërmi mbetet përherë konkurrent. Këta njerëz vuajnë nga lakmia e fitimi. Ajo çfarë e karakterizon një vete të rreme janë çrregullimet e raporteve me njerëzit me një potencial agresiviteti të theksuar.

E gjitha kjo është e rëndësishme për të kuptuar psiko-dinamikën e shoqërisë shqiptare në të kaluarën dhe të tashmen. Por, edhe sistemi diktatorial komunist shpjegohet si konsekuencë e shumicës me vetje të kërcënuar dhe me vetje të padashur. Dhe nëse analizojmë edhe vetë fëmijërinë e Enver Hoxhës, na del me ato mangësi që i kanë lënë raportet e prindërve të tij në t gjatë fëmijërisë. Të kujtojmë vetëm dhunën dhe represaliet sistematike që i bënte sistemi komunist, përkatësisht “nacionalçlirimtarët” ndaj “armiqve të brendshëm” dhe në emër të luftës së klasave. Sa oficerë, ushtarë, hetues, prokurorë, policë, funksionarë, leninistë, marksistë i ndoqën njerëzit në emër të ideologjisë komuniste si armiq, me një sadizëm sociopatik – e në fakt ishte për arsye të vetjes së rrejshme përkatësisht jetës së rrejshme që bënin. Argumentet e mbushura me ideologji u shfrytëzuan si arsyetim që vetjes së brendshme të kërcënuar t`i jepet një shpjegim i jashtëm për të kaluar vetë si kërcënues. Sa të sëmurë duhet të kenë qenë gjithë ata prindër e pasardhës që u përfshinë në heshtje apo me vepra në të gjitha ato krime gjatë regjimit komunist shqiptar; me dhunë, vrasje, denoncime, shpifje, arrestime, burgosje të atyre që mendonin ndryshe, të të afërmve. Urrejtja e akumuluar e vetjes së kërcënuar dhe e padashur kalon në një gjakmarrje kolektive.

Ne duhet të kuptojmë se pa akumulimin e fajit individual nuk mund të shpjegohet një zhvillim shoqërorë patologjik dhe se nuk ka pjekuri pa përpunimin dhe pa e kuptuar përfshirjen individuale në çmendin shkatërrimtare të krimit. Andaj nuk mund të ketë Shqipëri të “sëmurë” pa shqiptarë të “sëmurë”. Andaj, edhe nga ky aspekt mund të kuptohet pse ky popull dhe drejtuesit e sistemit diktatorial përherë kërkonin armiq të brendshëm dhe të jashtëm. Në fakt zhvillimi deformues shoqëror në Shqipërinë komuniste ishte një vazhdimësi e një konformizmi turmorë pararendës, me një fasadë tjetër – pra me kalimin në strukturat komuniste, ku pjesa dërmuese e individëve shqiptarë deklaroheshin si antifashistë. Me strukturën e re sunduese komuniste – u instalua një ideologji mashtruese duke përhapur frikë nga spiunazhi, denoncimi, dënimi. Përsëri përndjekkëshin ata që mendonin ndryshe. Përshtatja dhe nënshtrimi shpërblehej me karrierë. Kështu gjejnë veten ata me kërcënime të vetes; me veten e torturuar; me padashurinë e vetes; me varësin e vetes; me frenimin e vetes.

Edhe pas kthesës demokratike kjo do të vijojë të ekzistojë në forma tjera. Kryesisht bëhet fjalë për mohimin e përfshirjes individuale në patologjinë shoqërore. Edhe lirimi nga diktatura, si liri e jashtme, mungesa e lirive të brendshme mbetet edhe më tutje në forma të ndryshme. Andaj, mungesa e qetësisë politike vjen edhe si rezultat i manipulimit të jetës së rreme individuale, sepse me të “ikur” të armiqve të jashtëm fillon marrja me vetveten dhe marrja me vetvete nxjerr situata ku manifestohet jeta e rreme. Ose manipulimi i kësaj jete të rrejshme duke vrapuar mbas pasurisë materiale, pastaj varësia dhe lakmia shprehin po ashtu jetën tonë të rrejshme.

Kthesa politike u imponua nga rrethanat e jashtme. Popullata papritmas filloi të pranojë sipërfaqësisht rendin e ri shoqëror dhe askush nuk ishte fajtor për atë çfarë kishte ndodhur, secili duke i pastruar duart si i pafajshëm, me pohime si këto: nuk kam dashur, nuk e kam ditur, sistemi ishte i tillë, nuk kishte mundësi tjera apo edhe me arsyetimin se fajtor ishin komunistët jugosllavë dhe mandej Enver Hoxha etj. Ka edhe një tjerë: ta lëmë të kaluarën, të shikojmë përpara. Mirëpo, të gjithë e dinë se pa i njohur, kuptuar dhe pastruar gabimet e së kaluarës nuk mund të ketë ardhmëri të mirë. Fundja, pa një pjekuri mentale e shpirtërore në kuptimin e një demokratizimi të brendshëm (mental e shpirtëror) nuk mund të flitet për sukses e kthesë politike, mbase edhe si hap i domosdoshëm – si një prej parakushteve – për një demokratizim të vërtetë. Në vend të vetënjohjes ngrihen figura të reja armiqësore, energjia kriminale shfaqen gjithandej, duke u marrë me simptome e njëkohësisht duke mos e vërejtur mungesën e pjekurisë psiko-sociale. Kështu demokracia e jashtme ka nevojë për armiq për ta mbuluar papjekurinë e brendshme, përkatësisht demokratizimin e brendshëm shpirtëror dhe për të larguar vëmendjen nga papjekuria dhe tensionet e brendshme. Populli ka vërejtur në skenën politike se për politikanin shqiptar më me rëndësi është kompensimi psikik, individual se sa mirëqenia e popullit.

Ofendimet, sharjet, akuzat mes kundërshtarëve politikë rrjedhin si të vetëkuptueshme pa u marrë seriozisht me përmbajtjen. Sipas kësaj që u tha, skena politike shqiptare dominohet nga politikanë me vetje të rreme, duke kërkuar zëvendësimin e dashurisë së vërtetë të munguar prindërore në fëmijërinë e hershme të tyre. Liria e jashtme ka nevojë të plotësohet me lirinë e brendshme, që ajo të mos keqpërdoret. Do ishte tejet naive të mendohet se një shoqëri që ka përjetuar me dekada një autoritet diktatorial të dhunshëm e të frikshëm në rrethana sociale katastrofë, të mund të gjejë qetësinë pa u liruar nga ngushtimet shpirtërore mentale familjare, kulturore dhe fetare – pa një punë psiko-sociale.

 

Lëvizjet protestuese si pasqyrim i jetës së rreme

Protesta në një shoqëri demokratike është element legjitim për të shprehur pakënaqësi. Në anën tjetër, duhet bërë një diferencim të protestave të tilla se çfarë është emocionale (e rreme) e çfarë përmbajtjesore (e vërtetë).

Protestat me përmbajte të arsyetuara, logjike dhe të kuptueshme janë të kategorisë së vërtetë – përmbajtjesore. Protestat e tilla kanë qëllim të qartë dhe kërkojnë të bëjnë një ndryshim real, është jo egoiste, e më tepër e përgjithshme, protestat e vërteta mëtojnë integrim dhe janë në shërbim të zgjidhjeve optimale për të gjithë të prekurit dhe kërkon kompromise të mira, ndërsa protestat e rreme ngrihen e zhvillohen në afekt – që mbrojnë jetën e rreme – janë irracionale, pa përmbajtje, emocionale dhe refuzojnë diskutimin përmbajtjesor. Zihen pozicionet dhe palët nuk janë asnjëherë të gatshme të pranojnë gabime. Nuk bëhet fjalë për zgjidhje të përbashkëta e aq më pak për kompromise, por për marrje pushteti, për përmirësim apo ristabilizim të pozitës personale. Në fakt, protestat e tilla janë retorike, ideologjike, demagogjike dhe armiqësore kundruall mendimeve tjera.

Ndërsa me injorimin e ndonjë proteste me qëndrim opozitar kritik, duke nënvlerësuar apo fyer nga të kritikuarit, nuk mund të arrihet asgjë mbase vetëm se tregojnë simptome të një jete të rrejshme që e bëjnë.

Protestat për t`u kuptuar mirë duhet të analizohen në tri nivele: për motivet individuale (nuk po merrem seriozisht, ndjehem i indinjuar, nuk kam ndikim në vendimet politike, ndjehem i tradhtuar, i kërcënuar, nuk ndjehem i sigurt); motive sociale (ekzistenca, puna, sigurimi i statusit, ku do të mbetem nesër, çfarë do të punoj nesër, si do të jetoj nesër); dhe motivi shoqëror që lidhet me çështjet kritike për zhvillimet e demokracisë dhe formës së determinuar kapitaliste (rritja e varfërisë, ruajtja e ambientit, ndryshimet klimatike, vendlindja, kombi, tradita, kultura).

Me këto shpjegime që bëmë mund të fitojmë një qasje ndryshe të disa problemeve madhore e krizave të ndryshme politike, që po e tronditin me vite shoqërinë shqiptare gjithandej ku jeton.  Nga kjo që e thamë nuk përjashtohen as edhe popujt tjerë, që jetojnë në fqinjësi me shqiptarët, por as edhe ata në Europën politike./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »