A bëj pjesë në farefisin e Jezusit?

Jul 24 • Meditimi i ditës

24 korrik 2018 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Mik 7,14-15.18-20; ps 84; Mt 12,46-50)

 

Prania e Hyjit

Shpirti im me mall e dëshiron praninë tënde, o Zot.

Kur i drejtoj mendimet e mia drejt teje,

gjej paqe dhe pushim.

 

Liria

Mund të jesh duke kaluar kohën jashtë në një ditë me diell, duke parë dritën e diellit sesi është duke ndriçuar çdo gjë, duke e ndier ngrohtësinë e tij në trupin tënd, dhe duke imagjinuar se si Hyji është duke të krijuar dhe përshkuar me dashuri.

Ndërgjegjësimi

Thuaj Hyjit atë që ke në mendje dhe zemrën tënde.
Ky lloj i kundrimit, soditjes mund të na çojë të dëshirojmë ta duam Hyjin me gjithë mendjen, zemrën dhe shpirtin tonë, për t’u bërë mik me Hyjin, i cili dëshiron të jetë me ne.

 Fjala

Kujtohu çka je duke bërë në ballafaqim me Fjalën e Zotit dhe çka dëshiron nga ky takim. Hyji është i pranishëm dhe për shkak se Hyji është I Pranishmi mbështetesh në Hyjin.


Mt 12, 46-50

46 Ndërsa ai ende po i predikonte popullit, përjashta prisnin nëna e tij e vëllezërit dhe po e kërkonin të flisnin me të. 47. Dikush i tha: [“Shih! Nëna jote dhe vëllezërit e tu presin jashtë dhe dëshirojnë të flasin me ty.”]

48 Ai iu përgjigj atij që e lajmëroi:

“Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?”

49 E shtriu dorën e vet drejt nxënësve të vet e tha:

“Ja, nëna ime e vëllezërit e mi! 50 Sepse vëllai im, motra ime e nëna ime është ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell.”


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi këtu më fton të jem dishepull, nxënës. Kjo nuk do të thotë të ecësh këmbëngulur pranë tij, por të bëhesh anëtar i dashur i familjes së tij.
  • Jezusi më numëron ndër më të afërmit e tij, ndër farefisin e tij. Kur e kryej vullnesën e Zotit e tregoj që ky është identiteti im i vërtetë.
  • Maria është një shembull se si të jesh nxënës/e: ajo është plotësisht e hapur ndaj vullnetit të Hyjit dhe e mbështet Jezusin në misionin e tij. Ajo është nëna jonë e butë dhe i ndihmon fëmijët e Hyjit të bëhen vëllezër dhe motra në Zotin.
  • “Familja është vendi themelor i besëlidhjes midis Kishës dhe krijesave të Hyjit”. – Papa Françesku

Lutem që të mund ta bëj vullnesën e Zotit me gëzim dhe guxim. Duke lutur uratën Ati ynë e lus Zotin që vullnesa e tij të bëhet në qiell dhe në tokë. E lexoj, e dëgjoj pjesën e Ungjillit edhe një herë, nëse duhet disa herë. Ndalem në pjesë të tekstit që më lënë më shumë përshtypje. I lëshohem fuqisë së fjalëve. 

Bashkëbisedimi

Sot, o Zot, jam duke e gjetur praninë tënde në të gjitha sendet.

Rri, vështroj dhe mrekullohem për bukurinë e krijesave të tua.

Dëgjoj cicërimën e zogjve.

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »