Madhështia e përvujtërisë

Jul 25 • Meditimi i ditës

25 korrik 2018 – E mërkurë, Shën Jakobi Apostull (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Kor 4,7-15; Ps 125; Mt 20,20-28)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat që më preokupojnë,

që të jem i/e hapur ndaj asaj çka Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Edhe pse Hyji e di se si po e ndiejmë veten, ndihmon t`i ndajmë me të mendimet dhe ndjenjat tona më intime, jo thjesht sepse kjo ndihmon për t`i qitur gjërat “jashtë prej vetes”, por për shkak se Hyji dëshiron një marrëdhënie intime me ne.

 

Fjala

Kujtohu çka je duke bërë në ballafaqim me Fjalën e Zotit dhe çka dëshiron nga ky takim.

Hyji është i pranishëm dhe për shkak se Hyji është I Pranishmi mbështetesh në Hyjin.

Lexoje, dëgjoje Ungjillin e sotëm
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 20, 20-28

 

20 Atëherë iu afrua nëna e bijve të Zebedeut me të bijtë dhe e përshëndeti me fytyrë për dhe për t’i lypur diçka. 21 Jezusi i tha:

“Çka dëshiron?”

Ajo iu përgjigj:

“Urdhëro që këta të dy, bijtë e mi, të rrinë në Mbretërinë tënde njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.”

22 Jezusi u përgjigj:

“Nuk dini çka lypni. A mundeni ta pini ju kelkun që unë do ta pi?”

“Mundemi!” ‑ iu përgjigjën.

23 Jezusi vijoi:

“Me të vërtetë ju do ta pini kelkun tim, por të më rrini njëri në të djathtë e tjetri në të majtë, nuk është në dorë time t’jua japë, por do t’u jepet atyre, për të cilët u bë gati prej Atit tim.”

24 Kur morën vesh dhjetë të tjerët, u zemëruan me dy vëllëzërit. 25 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes e u tha:

“Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet. 26 Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, 27 kurse ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj, 28 sikurse edhe Biri i njeriut, që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nëna e bijve të Zebedeut kërkonte madhështi për bijtë e vet; ajo donte që të dy të zinin pozita udhëheqëse në Mbretërinë e Jezusit. Në emër të tyre shumë e dëshironte njohjen, famën, por Jezusi thekson se madhështia e mirëfilltë duhet të tregohet në përvujtëri të thellë dhe dëshirën për të shërbyer.
  • O Zot, më ndihmo të jemi i/e përvuajtur dhe i/e sjellshëm/e me të gjithë njerëzit që i ke vërë në rrugën time. Ma dhuro hirin që ta dalloj praninë tënde në ta.
  • Lutem gjithashtu për hirin e shenjtë që të jap pa pritur asgjë në këmbim, i/e sigurt se do të marrë shpërblimin e siguruar në Mbretërinë tënde qiellore.

 

E lexoj, e dëgjoj pjesën e Ungjillit edhe një herë, nëse duhet disa herë. Ndalem në pjesë të tekstit që më lënë më shumë përshtypje. I lëshohem fuqisë së fjalëve, pa u ngutur, me këmbëngulje dhe besueshmëri. Para se të kaloj nga një pikë në tjetrën, ndalem, mendoj për veten, duke pyetur se çka është duke më folur ky tekst, kjo ngjarje për jetën time personale.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonës sime të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »