Shëmbëlltyrat, fara jete

Jul 26 • Meditimi i ditës

26 korrik 2018 – E enjte, Shna Prenda, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 2,1-3.7-8.12-13; Ps 35; Mt 13,10-17)

 

Prania e Hyjit

Hyji është me mua. Madje edhe më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.

Një moment do të pushoj në praninë jetëdhënëse të Hyjit

në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

Kur e ndjej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,

edhe atëherë, në qetësinë e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty, o Zot.

 

Ndërgjegjësimi

Dëshirat tona më të thella janë të dhëna-nga-Zoti.

Të të marrë malli për intimitet, marrëdhënie të ngushta me Zotin apo me të tjerët, ose të kesh etje për mençuri, drejtësi, apo paqe, kjo do të thotë ta takosh Zotin në një mënyrë shumë reale, krejtësisht njerëzore.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik pikë për pikë, fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.

 

Mt 13, 10-17

10 Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën:

“Pse po u flet me shëmbëlltyra?”

11 Ai u përgjigj:

“Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën. 12 Për të vërtetë, atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. 13 Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë. 14 Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë:

Mirë do të dëgjoni ‑ por s’do të kuptoni,

mirë do të shikoni ‑ por nuk do të shihni.

15 Vërtet zemra e këtij populli s’ka më ndjenja,

u bë i rëndë ndër veshë,

sytë i janë mbyllur,

që të mos shohë me sy,

të mos dëgjojë me veshë,

që të mos kuptojë shpirti i tyre

e të mos kthehen.

E unë i kisha shëruar!”

16 Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë! 17 Përnjëmend po ju them; shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi flet me shëmbëlltyra në mënyrë që domethënia e tyre të lëshojë rrënjë në dheun e jetës: në lutje e pranoj fjalën e Zotit që më është drejtuar. Do t`i hesht zërat e zakoneve dhe shprehive të mia duke dëgjuar pëshpëritjen që i flet zemrës sime.
  • Edhe atëherë kur ofron jetën në plotësi Jezusi e pranon që do të ketë edhe të tillë që s`do të mësojnë as pranojnë asgjë. S`kam nevojë të jem i/e brengosur për ta por të lus për gjithë ata që s`e kanë gjetur burimin e jetës.
  • Jezusi më ofron më shumë – duke forcuar besimin tim, më formon në dashuri dhe këndell shpresën time.

E lexoj, e dëgjoj pjesën e Ungjillit edhe një herë, nëse duhet disa herë. Ndalem në pjesë të tekstit që më lënë më shumë përshtypje. I lëshohem fuqisë së fjalëve, pa u ngutur, me këmbëngulje dhe besueshmëri. Para se të kaloj nga një pikë në tjetrën, ndalem, mendoj për veten, duke pyetur se çka është duke më folur ky tekst, kjo ngjarje për jetën time personale.

 

Bashkëbisedimi

Dhuntia e të folurit është një dhuratë e jashtëzakonshme.

Bëj, o Zot, që këtë dhuratë të mund ta përdori me dashamirësi.

Qofsha i ngadalshëm ndaj fjalëve të vrazhda që plagosin,

ndaj fjalëve të thëna në zemërim.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »