Të dëgjosh – por mirë!

Jul 27 • Meditimi i ditës

27 korrik 2018 –E premte, Shën Joakimi e Ana, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 3, 14-17; Ps Jer 31; Mt 13,18-23)

 

Prania e Hyjit

Në pikën e qetë të botës sime në lëvizje,
në thelbin e qenies sime,

pres ta dëgjoj dhe ta ndiej praninë e butë të Hyjit
i cili më thërret ta hap zemrën dhe të lejoj të shkoj tek Ai.
A mund të shkoj në atë vend ku po më thërret Hyji?

 

Liria

Edhe pse Hyji e di se si jemi duke e ndier veten, ndihmon t`i ndajmë me të mendimet dhe ndjenjat tona më intime, jo thjesht sepse kjo ndihmon për t`i qitur gjërat “jashtë vetes”, por për shkak se Hyji dëshiron një marrëdhënie intime me ne.

 

Ndërgjegjësimi

Kur është fjala për lutjen, ji i/e sinqertë.

Ndershmëria/sinqeriteti, edhe për emocionet e dhimbshme apo nevojat urgjente, do të të ndihmojë të ndihesh më afër Hyjit i cili dëshiron të të ngushëllojë, rehatojë – dhe, mbi të gjitha, të dëgjojë.

 

Fjala

I jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Zotit,

dhe ndalem në atë fjalë apo fjali që më lë përshtypje, që më flet pikërisht mua.

 

Mt 13, 18-23

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:
18 “Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: 19 Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i Keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll ‘pranë udhës’. 20 E i mbjelli ‘në zallinë’, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, 21 porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete ‑ pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin. 22 E i mbjelli ‘në ferra’, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbetet pa fryt. 23 E i mbjelli në ‘tokë të mirë’, është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Shëmbëlltyra e mbjellësit shpjegon se si njerëzit e pranojnë fjalën e Hyjit. Jezusi është i vetëdijshëm se ka nivele të ndryshme të dëgjimit dhe pranimit të Fjalës – pranimi dhe dhënia fryt ose refuzimi kur efektet e Fjalës janë të dobëta. Si do ta përshkruaja zemrën time? A është ndonjë pjesë e ngurtë, shkëmbore apo me gjemba?
  • Fjala e Zotit më është dhënë si një dhuratë. Lutem që t`i lejoj mirësisë së saj të lëshojë rrënjë në jetën time në mënyrë që të sjellë fryte të bollshme duke më çuar rrugës së të vërtetës dhe dashurisë.

 

E lexoj, e dëgjoj pjesën e Ungjillit edhe një herë, nëse duhet disa herë. Ndalem në pjesë të tekstit që më flasin më shumë. I lëshohem fuqisë së fjalëve, pa u ngutur, me këmbëngulje dhe besueshmëri. Para se të kaloj nga një pikë në tjetrën, ndalem, mendoj për veten, duke pyetur se çka është duke më folur ky tekst, kjo ngjarje për jetën time personale.

 

Bashkëbisedimi

Nuk po më vijnë lehtë fjalët, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shihe dëshirën e madhe për paqe.

Më ruaj, o Zot. E di se gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllje

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »