Kremtimi i festës së Shna Prenes në Dunav të Karadakut

Jul 30 • Kisha në Kosovë

Në Dunav, fshat në komunën e Gjilanit, të enjten, më 26 korrik, u kremtua festa e shna Prenës, virgjër e martire. Meshën e udhëhoqi ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, në koncelebrim të meshtarëve, Don Jeton Thaqi, famullitar i Stubllës, Don Marjan Lorenci, famullitar i Letnicës, Don Kastriot Idrizi, famullitar i Binçës dhe misionarët tanë, Don Kristë Gjergji, Don Agimi Qerkini dhe Don Nikson Shabani, në prani të shtegtarëve të shumtë nga famullitë përreth për të nderuar Shna Prenën, këtë martire shumë të respektuar nga besimtarët e kësaj ane.

Fshati Dunav gjendet në kufi me Maqedoninë. Është filiale e famullisë së Stubllës. Dikur kjo pjesë kishte shumë shtëpi e familje, jetë e gjallëri. Sot, familjet janë shpërngulur dhe fshati është bosh. E vetmja gjë që gjendet në këmbë ende, është kisha e Shna Prenës. E ndërtuar nga Imzot Gjon Gnidovec (ipeshkëv i Ipeshkvisë Shkup-Prizren, tani shërbëtor i Zotit, në procesin e beatifikimit) për besimtarët të cilët kishin dalë haptas në fe dhe kishin dëshmuar krishterimin. Kjo kishë simbolizon qëndresën dhe dëshminë e fesë të katolikëve shqiptarë, e cila ishte ujitur me gjakun e martirëve.

Besimtarët e të gjitha moshave kishin mbushur hapësirat rreth kishës, prej të cilëve, numër i madhe i tyre, kanë shtegtuar këmbë, nëpër malet e Karadakut, duke bërë katër orë rrugë deri tek kisha e Shna Prenës.

Ipeshkvi, fjalët e para në homelinë e tij, i rezervoj për shtegtarët e pranishëm, të cilët me praninë e tyre e dëshmojnë dashurinë dhe fenë, me ndërmjetësinë e shenjtëreshës: “Shna Prenja na nxit e na bien këtu me u lutë. Gjatë lutjeve tona, i kujtojmë dëshmitë e martirëve, sikurse është Shna Prenja, të cilët kanë ditë me i mbet besnik fesë dhe me e dëshmue atë. Edhe pse i kanë torturuar, i kanë poshtëruar, i kanë rrahur, i kanë vrarë, por një gjë nuk e kanë bërë kurrë, nuk i kanë ra mohut fesë. Nuk i kanë mbyllur veshët ndaj fjalës së Ungjillit, Fjalë kjo e cila e frymëzon zemrën e atij që beson. Të parët tanë, familja jonë e dikurshme, kanë jetue nëpër këto male, tu u mshefë prej atyre që kanë dashur ta shkulin fenë prej zemrës së tyre. Por ka pasë edhe kohëra të mira, kur kisha ka pasur mundësi ta ndërtojë një objekt, një shtëpi për shpirtin e vet, dhe për shpirtin e të bijve dhe bijave të veta, që është kjo kishë. Ne që kemi ardhur prej famullive e katuneve të largëta përreth, kemi dashtë mi mbështetë këta besimtarë, për të mos u ndier të vetmuar, të braktisur këtu ndër male, por që ta ndjejnë se kanë një familje që kujdesen për ta. Kjo familje është bashkuar këtu edhe sot me ipeshkvin, priftat, motrat e veta, me burrat, gratë, familjet, fëmijët.”

Në vazhdim të homelisë, ipeshkvi qartësoj festën e ditës dhe atë të Shën Joakimit dhe Anës, që në përvojën e përshpirtërisë së krishterëve shqiptarë, jo rrallë, kanë qenë të ngatërruara e, për pasojë, edhe ka mbretëruar një mosqartësi:

Në kalendarin kishtar, më 26 korrik, dy festa kanë qenë me të njëjtën datë, festa e Shna Prenës dhe e Shën Joakimit e Anës, prindërve të Zojës së bekuar. Duke qenë që në përvojën e Kishës dhe në traditën e popullit, ndonjëherë nuk ka pasur qartësi mes këto dy festave, Konferenca e Ipeshkvijve të Shqipërisë ka vendos me i nda këto festa; më 26 korrik të festohet Shna Prenja, virgjër dhe martire e shek. II, kurse një ditë pas, më 27 korrik, Shën Joakimi dhe Ana, prindërit e Virgjërës Mari. E kjo është bërë që të ruajmë kjartësinë e fesë dhe traditën e përshpirtërisë së popullit. Sepse në përshpirtërinë e popullit, kujtimi i Shna Prenës është më i fuqishëm.”

Ipeshkvi Dodë Gjergji, përmendi edhe dëshminë e besimtarëve që ai i kishte parë duke ardhur kamë e me mjete tjera të komunikacionit, si dëshmi e mirë e fesë, dhe e krahasoi me kohën kur ai ishte fëmijë e kur edhe ata kishin ardhë në këtë vend të shenjtë, por me kushte krejtësisht tjera, duke vënë në theks varfërinë por edhe disa gjëra tjera: “Kemi qenë të varfër, por kemi pasur shpirtin më të mirë, zemrën më të sinqertë, fenë më të fortë, dashurinë ndaj njëri-tjetrit më të madhe, gatishmërinë për të ndihmuar tjetrin më shumë, krejt një zemër tjetër. Sot, ka ndryshuar zemra e mendja jonë. Sot, zemra jonë nuk e falënderon Zotin për atë që ka, por e akuzon atë për atë që do me pasë e s’e ka mbërritur ende. Mendja jonë nuk arsyeton. Kurrë nuk kemi qenë më mirë se sot. Duhet menduar me Ungjillin, d.m.th. me Shpirtin e Zotit. Fuqia e Zotit na mban afër e të bashkuar. Kisha është familja e Zotit, shtëpia e tij, zemra e tij, ku krejt e të gjithë, veç e veç e të bashkuar e falënderojnë Zotin, e lypin dhe e marrin bekimin e tij.”

Mbasi ipeshkvi i bekoj të gjithë në fund të meshës, u shtrua një koktej rasti për besimtarët e pranishëm, në të cilën besimtarët patën mundësi edhe të ndanin përvojat e tyre të fesë e të jetës. Të gjithë të kënaqur u shpërndamë në paqe duke e falënderuar Zotin dhe shna Prenën për këtë ditë të bekuar, me urimin e shenjtë se edhe vitin e ardhshëm të bashkohemi si familja e Zotit në kremtimin e shna Prenës, si një vazhdim i fesë që duhet të jetohet e të dëshmohet pandërprerë./drita.info

Përgatiti për “Dritën”: Don Nikson Shabani   

Shpërndaje

Comments are closed.

« »