Gëzimi i zbulimit të thesarit të vërtetë

Aug 1 • Meditimi i ditës

1 gusht 2018 – E mërkure, Shën Alfons de Liguori, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 15,10.16-21; Ps 58; Mt 13,44-46)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment dhe e marr me mend praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke u dhënë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke bërë që ato të ndiejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto, edhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.

 

Liria

Trungu i trashë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
i cili me gjeninë e tij depërton për të nxjerr gjithë atë që mund të bëhet prej këtij trungu (Shën Injaci).
Lus për hirin shenjtë që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin për mua.

 

Fjala

Fjala e Zotit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Përqendrohu në Ungjillin e sotëm për meditim. Lexoje, dëgjoje me vëmendje.

Qëndro në porosinë që ta jep Zoti.

Shpirti Shenjt e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që t`i përgjigjem porosisë së ungjillit:

Që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.


Mt 13, 44-46

 

Në atë kohë, Jezusi i tha popullit:

44 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me thesarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë.

45 Pastaj Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. 46 Kur gjen një perlë me vlerë të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.


Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Një lexim i shkurtër, por me një imazh të fuqishëm. Thesar i fshehur! Një ide e njohur nga librat, nga filmat, madje edhe nga lojërat kompjuterike. Imagjinoje për një çast se si e ndien veten kur e zbulon një thesar si ky.
  • Por flitet edhe për blerjen. Thesari vjen me një çmim. Tregtari duhet të shesë gjithçka për të blerë perlën e çmuar. Fusha me thesarin në të kushton gjithçka që ka zbuluesi. Pra, a është kjo një marrëveshje, një punë e mirë? A mund ta imagjinosh veten të sillesh në këtë mënyrë?
  • Çfarë mund të jetë aq e mirë sa që ti të shesësh gjithçka që ke pasur, me gëzim, për ta marrë atë? Për Jezusin, përgjigja është “Mbretëria e Hyjit”. Pra, kemi të bëjmë me diçka që ndërlidhet me organizimin e botës ashtu siç e dëshiron Hyji. Çfarë ndryshimi do të ndodhte po të angazhoheshe me të vërtetë që këtë kuptim të Zotit ta bëje pjesë të jetës sate?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri këtë shëmbëlltyrë, vëreje intensitetin e gëzimit që i mbush ata që i bëjnë këto zbulime.
  • Nëse je pjesë e turmës, së cilës Jezusi ia thotë këto shëmbëlltyra, si i përgjigjesh atij?

     

    E lexoj, e dëgjoj pjesën e Shkrimit Shenjt edhe një herë, nëse duhet disa herë. 

    Ndalem në fjalët që më lënë më shumë përshtypje. 

    Ndalem, mendoj për veten, duke pyetur se çka është duke më folur ky tekst, kjo ngjarje për jetën time personale.

     

    Bashkëbisedimi

    Fjala e Zotit tregon rëndësinë që të di të çlirohem, të jem i aftë t`i lëshoj gjërat – që mos të varem prej tyre.

    E lus Zotin që të ma japë lirinë që më duhet që t`i lë anash preokupimet e mia, planet – madje edhe shpresat – kështu që të bëj vend për Zotin dhe planet e tij.

    Bashkëbisedo me Zotin për këtë porosi.

     

    Përmbyllja

    Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

    Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
    Si ka qenë në fillim, ashtu tash
    e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »