Çka ka bërë Jezusi në jetën tënde?

Aug 3 • Meditimi i ditës

3 gusht 2018 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 26, 1-9; Ps 68; Mt 13,54-58)

 

Prania e Hyjit

Në këtë moment, Hyji është i pranishëm,
ai i jep jetë jetës sime dhe gjithë asaj që më rrethon.

Qëndroj në heshtje një moment,
dhe bëhem i/e vetëdijshëm për praninë e Hyjit.

 

Liria

Falë hirit të shenjtë të Hyjit më është dhuruar jeta në liri.

Lirisht kënaqem në të mirat që Ai i ka krijuar për mua.

Zot i dashur, bëj që të mund të jetoj ashtu siç e ke paramenduar ti,

me besim të plotë në kujdesin tënd të butë për mua.

 

Ndërgjegjësimi

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

ma kujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Përqendrohu në Ungjillin e sotëm për meditim. Lexoje, dëgjoje me vëmendje.

Qëndro në porosinë që ta jep Zoti. 


Mt 13,54-58

54 Si erdhi në qytetin ku ishte rritur, i mësonte qytetarët në sinagogën e tyre ashtu që, të mahnitur, thoshin: “Nga i erdhi këtij kjo dije dhe kjo fuqi mrekullish? Po a nuk është biri i zdrukthëtarit? 55

Po a nuk i quhet e ëma Mari e vëllezërit Jakob, Jozef, Simon e Judë? 56 Po a nuk janë ndër ne të gjitha motrat e tij? Nga, atëherë, i erdhën këtij të gjitha këto?” 57 E kjo u shkaktonte mosbesim në të. Prandaj Jezusi u tha: “Profetit nuk i jepet nderim vetëm në vendlindjen e vet e në shtëpinë e vet!”

58 Për shkak të mosbesimit të tyre nuk bëri aty shumë mrekulli.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi Shenjt

 

  • Ndoshta situata në të cilën Jezusi e gjen veten sot, tingëllon e njohur për ty. Ai kthehet te njerëzit ku ishte rritur. Ata nuk mund ta shihnin se sa ishte rritur që kur ai ishte larguar. Ata e njohin atë dhe e njohin familjen e tij. Ai nuk është asgjë e veçantë. A po vëren ndonjë jehonë, paralele në jetën tënde?
  • Jezusi e di se reputacioni i tij është i lartë diku tjetër. Si një profet, ai është pranuar me nder, me respekt në shumë vende të tjera. Si mendon atëherë se ndihet në reagimin e qytetit të vet?
  • Çfarë do të doje t’u thoshe njerëzve që reagojnë ndaj Jezusit në këtë mënyrë? Çfarë mund t`i thuash atij/asaj që të lëshon poshtë si ky rast?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri, vë re se pasazhi dy herë flet për “vepra mrekullish” të Jezusit. A mund të tregosh gjëra të fuqishme që Jezusi ka bërë në jetën tënde?
  • Bashkoju Jezusit kur ai largohet nga shtëpia e tij pas këtij takimi. Çka i thua atij kur ai largohet?

     

    E lexoj, e dëgjoj pjesën e Shkrimit Shenjt edhe një herë, nëse duhet disa herë. 

    Ndalem në fjalët që më lënë më shumë përshtypje. 

    Ndalem, mendoj për veten, duke pyetur se çka është duke më folur ky tekst, kjo ngjarje për jetën time personale.

     

    Bashkëbisedimi

    Ti e transformon, e shndërron atë që lexon apo dëgjon në një bisedë me Zotin.

    Ti i shpreh mendimet e tua dhe Zoti të dhuron një shikim të lidhjevetë reja me njëra-tjetrën ose pika orientuese, dhe kështu fiton nga ajo që ke lexuar apo dëgjuar, forcë dhe drejtim për veprim, duke të dhënë zemër dhe përkrahur. Zoti e dëshiron ndryshimin, shndërrimin.

    Ndaji ndjenjat e tua me Zotin.

     

    Përmbyllja

    Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

    Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
    Si ka qenë në fillim, ashtu tash
    e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »