Shugurimi meshtarak dhe mesha e parë e Don Marjan Topallit

Aug 4 • Kisha në Kosovë

Shugurimi – Katedralja Shën Nënë Tereza në Prishtinë

Kisha katolike në Kosovë me 28.07.2018 përjetoi gëzim të madh. Biri i sajë, Marjan Topalli pranoi shugurimin meshtarak. Ai e dorëzoi lirinë dhe jetën e vet në duar të Zotit, për ta shenjtëruar me dhuratat e Shpirtit Shenjt, për ta aftësuar që të shërbej në Kishë në nder e lavd të Zotit për shpëtimin e shpirtrave. Kjo Kishë vendore u bashkua rreth Meshtarit hyjnor, Jezu Krishtit, për të kërkuar prej tij hirin, mbështetjen dhe mbrojtjen për meshtarin e ri. Katedralja Shën Nënë Tereza u zbukurua edhe një herë nga prania e ipeshkvijve, meshtarëve, besimtarëve, prindërve e familjarëve, rektorit të seminarit, shokëve e miqve të Don Marjanit, të cilët, me anën e ndarjes së sakramentit të meshtarisë, e ndien praninë e Krishtit të gjallë që vepron në mesin e tyre.

Sakramentin e meshtarisë e ndau Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit, në bashkëcelebrim me ipeshkvit e vendit Imzot Dodë Gjergji, Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv emerit i Tivarit, Imzot Simon Kuli, ipeshkëv i Sapës, dhe një numër të madh të meshtarëve nga Kosova, Shqipëria dhe Maili i Zi.

Në pretkun e rastit, Imzot Dodë Gjergji, shprehi gëzimin e tij dhe falënderimin Zotit, i cili edhe sot nxit e prekë zemrat e besimtarëve për t’ia kushtuar jetën në meshtari. Është një shenjë e dukshme se Krishti që nuk e harron kurrë Kishën e vet dhe gjithmonë e pasuron me meshtarë të rinj për ta përçuar tutje veprën shëlbimprurëse të tij. Sot, ti Don Marjan – theksoi ipeshkvi – do të bashkohesh me Krishtin, kryemeshtar, në sakramentin e meshtarisë, i cili të ka ftuat të bëhesh misionar i tij në popullin tonë, te ata njerëz që kanë shumë nevojë për Fjalën, sakramentet, shoqërimin dhe dashurinë e Jezusit. Ata presin misionar të Krishtit, janë afër dhe në rrethin tonë. Ta kemi guximin e fesë dhe vullnetin e shpalljes për t’i takuar ata, që të mund ta pranojnë Krishtin shpëtimitar, që aq shumë e duan. Në këtë kohë jemi të ftuar të gjithë të bëhemi një kishë misionare në popullin tonë, sepse na presin dhe duan ta kenë në mesin e tyre meshtarin e Krishtit. Pasi i falënderoj prindërit për të birin që ia kanë falur Kishës, ipeshkvi iu drejtua Don Marjanit duke i thënë se të marr ngryk me duar të bariut, mirë se ke ardhur në misionin e shenjtë.   

Në fund të meshës Don Marjani mbajti një fjalim rasti duke shprehë falënderimet e tija për Zotin dhe të gjithë ata që në çfarëdo mënyrë kanë ndihmuar atë për arrit qëllimin e tij, në mënyrë të veçantë u falënderua Don Marjan Demaj, famullitar, i cili e ka dërguar në seminar dhe e ka përcjell gjatë gjithë kësaj kohe me shembullin dhe ndihmën e tij. Mbas meshë u shtrua një koktej rasti për të pranishmit nga Ipeshkvia.

 

Mesha e parë – Kisha famullitare Zoja Rruzare në Bishtazhin

Të nesërmen, më 29.07.2018, Don Marjani kremtoi meshën e parë në famullinë e tij të lindjes në Bishtazhin, në kishën e Zojës Rruzare. Ai është meshtari i gjashtë nga kjo famulli dhe kjo meshë e parë është e mesha e parë mbas 30 viteve e kremtuar në këtë famulli.

Edhe këtë ditë të veçantë për meshtarin e ri, meshën e parë që ia kushton Atit Qiellor, ishin shumë meshtarë, motra të nderit, prindërit, familjarë, miq e dashamirë, rektori i seminarit, shokët, e besimtarët e shumtë të kësaj famullie.

Don Marjani, si meshtar i ri, sipas traditës kishtar, ditën e parë të udhëtimit e tij meshtarak e fillojë nga shtëpia e lindjes duke rënë në gjunjë para prindërve, prej të cilëve e kërkon bekimin për të shkuar në misionin e tij të shenjtë, e pastaj masa e besimtarëve e familjarëve të udhëhequr nga meshtarët e pranishëm e përcjellin drejt kishës së famullisë.

Besimtarët e shumtë, prania e prindërve dhe familjarëve, meshtarëve të pranishëm, korit të famullisë dhe atmosferës kremtuese e bënë madhështore kremtimin e kësaj meshe.

Pretkun e rastit e mbajti ish famullitari i Bishtazhinit, tani argjipeshkëv në Tivar, Imzot Rrok Gjonlleshaj.  Ai theksoi rëndësinë e meshtarit në jetën e Kishës, i cili duhet jo vetëm të shpall Ungjillin, por edhe ta jetojë atë, tu iu dale në ndihmë të gjithë atyre që u shërben. Si meshtar i ri – tha argjipeshkvi – ju ke bashkuar bashkësisë së meshtarëve në krye me ipeshkvin, dhe duhesh ta ushtrosh meshtarinë tënde në botë. Meshtari duhet të duaj dhe të shërbej. “Euharistia është fillimi, mesi dhe qëllimi i shërbesës meshtarake. Në çdo lutje ne vetë dalim para Zotit, kurse në meshën shenjte nuk jemi vetë. Meshtar i mirë është ai i cili e ushtron jetën shpirtërore dhe lutjen. Identiteti i tij është shenjtëria. Shenjtëri nuk ka nëse në qendër të jetës së tij nuk është lutja, kremtimi i çdoditshëm i Euharistisë, lutja e breviarit, adhurimi, rruzarja, rrëmimi i ndërgjegjes dhe rrëfimi i rregullt personal, ushtrimet shpirtërore,… të gjitha këto na ndihmojnë të jetojmë identitetin tonë (…) E nevojshme është me lutje t’ia përgatitim rrugën Zotit deri të shpirtrat. Kur një meshtar lutet, populli është i sigurt.”

Në fund të meshës don Marjani mbajti një fjalim rasti e falenderimi.

Njeriu më i gëzuar dukej se ishte famullitari i Bishtazhinit, don Marjan Demaj. Ai kishte përkrahur Marjanin e ri, e kishte dërguar në Seminar, e kishte përcjellë gjatë gjithë kohës e formimit të tij meshtarak, ishte lutur për të, i kishte dhënë shembull me jetë, vepra e fjalë, dhe tash ishte duke i shijuar frytet e para të angazhimit të tij. Dhe para të pranishmëve i premtoi se do ta përkrahë gjatë gjithë jetës me të gjitha mundësitë e veta që Don Marjani të ketë ta realizojë sa më mirë jetën e tij meshtarake në shërbim të Zotit.

Mbas meshe, familja Don Marjanit kishte shtruar një drekë vëllazërore me shumë të ftuar të cilët gjithë së bashku shijuam gëzimin e bashkësisë.

 

Kush është Don Marjan Topalli: jetëshkrim i shkurtër

Dom Marjan Topalli, nga Famullia e Bishtazhinit, ka lindur më 15/04/1992 në fshatin Kushavec, komuna Gjakovë, i biri i Pjetër dhe Vera Topalli. Shkollën fillore e mbaroi në shkollën “At Gjergj Fishta” në Bishtazhin dhe maturën në gjimnazin “Hajdar Dushi” – Bishtazhin.

Në vitin 2011 filloi vitin Propedeutik në Seminarin Ndërdioqezan Shqiptar “Nëna e Këshillit të Mirë” në Shkodër. Pas një viti, pranohet në Seminarin e Lartë ku i vazhdon studimet filozofike – teologjike.

Më 14 mars 2015 u pranua si kandidat për urdhrin e diakonatit dhe të meshtarisë, me 25 prill 2016 mori shërbesën e lektoratit, dhe me 8 prill 2017 mori shërbesën e akolitatit.

Më 30 korrik 2017 u shugurua diakon nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Administraturës Apostolike Prizren – Kosovë. Ndërse vitin e VI të studimeve e mbaroi dhe u diplomua pranë Fakultetit Papnor Teologjik i Italisë Jugore, Seksioni Shën Luigji, Napoli (Itali).

Më 28 korrik 2018 u shugurua meshtar nga Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, kurse më 29 korrik 2019, e kremton meshën e parë në kishën famullitare Zoja Rruzare në Bishtazhin./drita.info

Përgatiti: Don Nikson Shabani

Shpërndaje

Comments are closed.

« »