Të bësh atë që mundesh

Aug 4 • Meditimi i ditës

4 gusht 2018 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës:  Jer 26,11-16.24; Ps 68, Mt 14,1-12)

 

Prania e Hyjit
O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.
Mos qofsha kurrë aq shumë i/e preokupuar me punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të jem me ty.

 

Liria
Vdekja jote në kryq më ka liruar.

Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë nga vdekja.
Mëshira jote nuk njeh kufi.

 

Ndërgjegjësimi
E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të shpreh ndjenja falënderimi.
Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të kërkoj falje.

 

Fjala
O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.
Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.


Mt 14, 1-12

 

Në atë kohë Herodi tetrark dëgjoi ç’flitej për Jezusin dhe u tha shërbëtorëve të vet: ’Ky është Gjon Pagëzuesi! U ngjall së vdekuri! Ja, përse ka pushtet të bëjë mrekulli!’
E vërtet Herodi e kishte zënë Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte qitur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet. Sepse Gjoni i kishte thënë: ’Nuk guxon ta mbash për grua Herodiadën!’ Herodi donte ta vriste, por druante nga populli, sepse Gjonin e mbanin për profet.Në ditëlindjen e Herodit, bija e Herodiadës vallëzoi para të ftuarve dhe aq i pëlqeu Herodit, sa që me përbetim i premtoi se do t’i jepte çkado që t’i kërkonte. Ajo, e mësuar prej së ëmës: ’Ma jep – tha – këtu në pjatë kokën e Gjon Pagëzuesit!’ Mbretit i erdhi keq, por për shkak të përbetimit e të të ftuarve, urdhëroi t’i jepej. Dërgoi dikë dhe ia preu Gjonit kokën në burg. Kokën e Gjonit e sollën në pjatë, ia dha vajzës e kjo së ëmës.
Pastaj erdhën nxënësit e Gjonit, e morën trupin, e varrosën, shkuan dhe i treguan Jezusit.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Herodi nuk deshi ta ekzekutonte Gjonin atë natë. Por gruaja e tij e bindi ta bënte këtë, sepse ishte i dobët. Kishte frikë nga njerëzit që e respektonin Gjonin. Ai tani ka frikë nga reagimet e miqve nëse ai e tërheq besën e dhënë.
  • Sa shpesh bëj vendime nga dobësia? O Zot, më jep guximin të bëj atë që është e drejtë, pa marrë para sysh a është a jo popullore – e pëlqyeshme a jo për masat e popullit.
  • A e di (unë) se si ndodh kur dikujt “ia pret kryet” për të shmangur të dëgjoj të vërtetën nga të tjerët?

Nxënësit e Gjonit bënë çka kanë mundur, shkuan te Jezusi dhe i treguan. E lus Zotin që të më japë fuqi të bëj atë që mundem, atëherë do t`i drejtohem Jezusit në lutje.

E lexoj, e dëgjoj pjesën e Shkrimit Shenjt edhe një herë, nëse duhet disa herë. 

Ndalem në fjalët që më lënë më shumë përshtypje. 

Ndalem, mendoj për veten, duke pyetur se çka është duke më folur ky tekst, kjo ngjarje për jetën time personale.

 

Bashkëbisedimi

Bashkëbisedo me Zotin për këtë porosi.

Falënderoje, adhuroje, lute, pendohu, premtoji të bësh çfarë kërkon …

Shëno atë që konsideron që për ty është e rëndësishme.

Lute që ta zbatosh në praktikë atë çfarë ai pret prej teje.


Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »