A e pranoj veprën që Hyji e ka bërë për mua?

Aug 5 • Meditimi i ditës

5 gusht 2018 – E diela 18-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 
Dal 16, 2-4.12-15; Ps 77; Ef 4, 17.20-24; Gjn 6, 24-35)

 

Prania e Hyjit
“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh.”
Ja ku jam, o Zot.
Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.
Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria
I kërkoj Hyjit që të më ndihmojë

që të lirohem nga mërzitë dhe brengat e mia,
që t`i hapem përmes kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi
Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala
Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim.
Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për të zbuluar çka po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo ç`po ndodhë në zemrën tënde.


Gjn 6, 24-35


24
 Kur njerëzit panë se aty nuk ishte Jezusi as nxënësit e tij, hynë në lundra dhe kaluan në Kafarnaum për të kërkuar Jezusin. 25 Kur e gjetën në anën tjetër të detit, i thanë:

“Rabbi, kur erdhe këtu?”

26 Jezusi iu përgjigj:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

më kërkoni, jo pse patë mrekullitë,

por pse hëngrët nga ato bukë

dhe u ngitë.

27 Veproni,

por jo për ushqim që prishet,

por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme:

atë do t’jua japë Biri i njeriut,

sepse këtë e vulosi Ati‑Hyj.

28 Atëherë ata i thanë:

“Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?”

29 Jezusi iu përgjigj:

“Vepra që Hyji kërkon është kjo:

besoni në Atë

që Ai e dërgoi.”

30 “Çfarë shenje bën ti, ‑ i thanë ata ‑ që ta shohim e të besojmë? Cila është vepra jote? 31 Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë si shkruan edhe në Shkrim e shenjtë: ‘U dha të hanin bukë prej qiellit. ’

32 Jezusi iu përgjigj:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit,

por Ati im jua jep bukën prej qiellit,

atë të vërtetën:

33 sepse buka e Hyjit është Ajo,

që zbret prej qiellit

dhe që i jep botës jetën.”

34 Atëherë i thanë:

“Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!”

35 Jezusi u përgjigj:

“Unë jam buka e jetës.

Kush vjen tek unë

nuk do të ketë më kurrë uri,

kush beson në mua,

nuk do të ketë më etje.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nuk është e pazakontë që njerëzit të pyesin veten: “Çfarë pune kërkon Zoti nga unë?” Përgjigja e Jezusit duket të jetë “thjesht pranoni veprën që Hyji ka bërë për ju!” Çfarë të kujton përvoja jote në lidhje me ballafaqimin e Hyjit me ty?
  • A e bën ndonjë gjë të vështirë për ty të pranosh atë që thotë Jezusi? Ç`ndodh kur e pranon Jezusin si vullnetin e Hyjit për ty?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri Fjalën e Zotit, qëndro te ndonjë gjë pozitive në lutjen tënde … vë re se Jezusi e quan këtë «buka e jetës». A të ushqen kjo? 

 

E lexoj, e dëgjoj pjesën e Shkrimit Shenjt edhe një herë, nëse duhet disa herë. 

Ndalem në fjalët që më lënë më shumë përshtypje. 

Ndalem, mendoj për veten, duke pyetur se çka është duke më folur ky tekst, kjo ngjarje për jetën time personale.

 

Bashkëbisedimi

Njerëzit i thanë Jezusit: “Zotëri, na jep vazhdimisht atë bukë!”

Ti mund të dëshirosh t’i bësh këto fjalë të tua, t`i përvetësosh ato ndërsa i kalon momentet e fundit të lutjes së sotme në bisedë me Zotin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »