Çka dëshiron të kërkosh nga Zoti?

Aug 6 • Meditimi i ditës

6 gusht 2018 – E hënë, Shndërrimi i Zotit (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 7, 9-10.13-14 ose 2 Pjt 1, 16-19; Ps 96; Mk)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma kujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie, raporte,

në lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I lejoj vetes t`i ndiej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë dëmtuar, disa janë këputur:
për këtë arsye ndoshta ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuntinë që të mund të pranoj dhe të fal.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik pikë për pikë, fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.

 


Mk 9,2-10


2 Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre. 3 Petkat e tij u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu. 4 Atyre iu dukën Elia me Moisiun e po bisedonin me Jezusin.

5 Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit:

“Rabbi, për ne është mirë të qëndrojmë këtu. Po ndërtojmë këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”

6 Në të vërtetë s’dinte çka të thoshte tjetër, sepse ishin trembur keqas. 7Ndërkaq u duk një re dhe i mbuloi me hijen e vet e prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im ‑ djali i Dishirit! Atë dëgjojeni!” 8 Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta.

9 Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë derisa Biri i njeriut të ngjallej prej së vdekuri. 10 Ata e mbajtën porosinë, por njëri‑tjetrin e pyesnin çka do të thotë ajo fjalë: “të ngjallet prej së vdekuri?”


Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri? 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Si u duk ajo ngjarje? – Shndërrimi. Ky pasazh, kjo pjesë leximi na tregon se ‘rrobat e tij u bënë të bardha’ dhe se Moisiu dhe Elia u shfaqën. A mund të imagjinosh për një moment se si u duk e gjithë kjo?
  • Reagimi i Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit ndaj gjithë kësaj është frika, por cili është reagimi yt, cilat janë ndjenjat e tua, kur e imagjinon se po e sheh këtë skenë?
  • Ndërsa e lexon pasazhin përsëri, imagjinoje veten si Pjetri, Jakobi ose Gjoni, të pranishëm në këtë skenë, duke parë dhe dëgjuar të gjitha këto për veten tënde … çka po vëren?
  • Dëshira e Pjetrit këtu është të ndërtojë banesa në majë të malit, për ta zgjatur përvojën, për ta bërë momentin të përjetshëm. Por realiteti është se ata duhet të kthehen nga mali dhe të kthehen në jetën normale. Çka dëshiron të kërkosh nga Zoti kur ta përfundosh këtë kohë të lutjes dhe të vazhdosh me pjesën tjetër të jetës tënde?

 

E lexoj, e dëgjoj pjesën e Shkrimit Shenjt edhe një herë, nëse duhet disa herë. 

Ndalem në fjalët që më lënë më shumë përshtypje. 

Ndalem, mendoj për veten, duke pyetur se çka është duke më folur ky tekst, kjo ngjarje për jetën time personale.

 

Bashkëbisedimi

Ti e transformon, e shndërron atë që lexon apo dëgjon në një bisedëme Zotin.

Ti i shpreh mendimet e tua dheZoti të dhuron një shikim të lidhjeve të reja me njëra-tjetrën ose pika orientuese, dhe kështu fiton nga ajo që ke lexuar apo dëgjuar, forcë dhe drejtim për veprim, duke të dhënë zemër dhe përkrahur. Zoti e dëshiron ndryshimin, shndërrimin.

Ndaji ndjenjat e tua me Zotin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »