Përqendrohu në Jezusin, jo në përplasjen e valëve

Aug 7 • Meditimi i ditës

7 gusht 2018 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 30,1-2.12-15.18-22; Ps 101; Mt 14,22-36)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të rri me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Ma jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma kujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do
i vështroj të gjithë ato gjëra që më kanë ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
I kujtoj të gjitha ndodhitë që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë shpreh ndjenja falënderimi.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çka më flasin; lutem për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik pikë për pikë, fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.


Mt 14, 22-36

 

Në ato ditë, pasi që e ngiu turmën,

22 Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin. 23 Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.

24 Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valëve, sepse era fryente kundër. 25 Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. 26 Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. 27 Por, menjëherë Jezusi u tha:

“Guxim, jam unë, mos kini frikë!”

28 Pjetri u përgjigj:

“Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!”

29 “Eja!” ‑ i tha.

Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. 30 Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti:

“Më shpëto, o Zot!”

31 Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha:

“Fepakët! Përse dyshove!”

32 Kur hynë në barkë, pushoi era. 33 Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë:

“Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”

34 Pasi kaluan detin, u kapën në breg në Gjenezaret. 35 Njerëzit e atij vendi, posa e njohën, e vunë në dijeni mbarë krahinën dhe ia sollën të gjithë të sëmurët. 36 I luteshin t’i lejonte t’i preknin vetëm kindin e petkut të tij. Ata që e prekën, u shëruan.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi shpesh u thotë ithtarëve, nxënësve të tij “mos kini frikë”. Ekzistojnë njëqind arsye për çdo ditë që të kemi frikë. Por Jezusi na siguron se ai është gjithmonë i pranishëm – pa marrë parasysh sa tmerruese janë rrethanat apo sa dëshpëruese është situata. A mund t’i dëgjoj ato fjalë sigurie, por me të vërtetë t’i dëgjoj?
  • A mund ta imagjinosh se si do të ishte po të kishe marrë pjesë në këtë histori? Kaloje një moment duke e imagjinuar atë – errësirën, detin, erën, zhurmën, madje edhe aromën. Si duhet të jetë ndjerë njeriu në atë situatë? Tani imagjinoje veten tënde atje, paramendoje si të kishe qenë Pjetri ose një nga të tjerët në barkë, gjatë kohës që e rilexon, e dëgjon edhe një herë historinë.

 

 Bashkëbisedimi

E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e lexova.
Ç`më nxiti më së shumti të mendoj?
Lejo skenën të vazhdojë, të shpaloset, ndërsa ulesh në barkë me Jezusin pasi era ka pushuar. Çfarë ndjen se duhet t’i thoni njëri-tjetrit?

 

 Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »