Fuqia e lutjes ndërmjetësuese

Aug 8 • Meditimi i ditës

8 gusht 2018 – E mërkurë, Shën Domeniku, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 31,1-7; Ps: Jer 31,10-13; Mt 15,21-28)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që të hyj e të vendosem plotësisht në praninë tënde.

Më përshko me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Lutem për hirin e fesë,

të besoj në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja

vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,

që ai të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi

Kur e ndiej ngrohtësinë e diellit në fytyrë,

jam i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde në këtë botë, o Zot.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


Mt 15, 21-28


21 Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e të Sidonit. 22 Dhe, ja, një grua nga Kananeja, që kishte ardhur prej atyre anëve, filloi të bërtiste e të thoshte: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!” 23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë:

“Bëja këtë nderë e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!”

24 Ai u përgjigj:

“Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.”

25 Por ajo u afrua, u përkul thellë në nderim para tij e tha:

“Më ndihmo, o Zot!”

26 Jezusi iu përgjigj:

“Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua japësh këlyshëve të qenve.”

27 “Po, o Zot ‑ shtoi ajo ‑ se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”

28 Atëherë Jezusi iu përgjigj:

“O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!”

Në atë moment bija e saj u shërua.


Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Çfarë të lë përshtypje më shumë te gruaja kananease në këtë histori? Çfarë lloj personi të duket se është? A mund ta imagjinosh se si duket, çfarë zëri ka? Si shfaqet personaliteti i saj?
  • Merre me mend për një çast këmbënguljen e saj, qëndresën e saj. Në këtë pasazh të shkurtër, apelet e saj të përzemërta përmenden katër herë.
  • Por gjithashtu, vetëm mendo se çfarë përvujtërie kishte. Kur krahasohet me një qen, ajo thjesht kërkon atë që u jepet qenve, thërrimet që bien nga tavolina e zotit të tyre.

    Ndërsa  e lexon apo e dëgjon sërish historinë, çka të duket se i bën aq shumë përshtypje Jezusit te kjo grua?
     

 

 

Bashkëbisedimi

A ta kujton kjo histori ndonjë gjë në përvojën tënde personale? A je ndjerë ndonjëherë si gruaja kananease, duke u përballur me refuzimin dhe këmbënguljen? Ose ta kujton ndonjë person që e ke lëshuar poshtë apo e ke refuzuar në njëfarë mënyre? Apo ka cilësi te kjo grua që ti do të dëshiroje t`i kishe më shumë te vetja jote? Cilado ndjenja që i ke, ndiqe shembullin e kësaj gruaje besimi dhe silli ato me një çiltërsi të plotë para Zotit.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që munda t`i kaloj këto pak minuta me ty.

Jezus, Zotërues i gjithë krijimit, dëgjoji lutjet tona ndërmjetësuese për ata që i duam.

Shëroji të sëmurët tanë, ngushëlloji ata që janë të trishtuar për shkak të vdekjes së ndonjë të afërmi, na pajto me atatë cilët na kanë lënduar dhe që ne i kemi lënduar.

Na i falë mëkatet tona dhe na ndihmo të rritemi në besimdhe njohjen tënde.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »