Besimi lëviz malet
11 gusht 2018 – E shtune, Shën Klara, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Hab 1, 12-2, 4; Ps 9; Mt 17, 14-20)
Prania e Hyjit
Nganjëherë më pushtojnë brengat e kësaj bote.
Me kohë, si kjo tani, bëj që të bëhem i/e vetëdijshëm/e për kënaqësinë e pranisë tënde
si dhe për dashurinë tënde të pakufizuar ndaj meje.
Liria
Po të dëshironte Hyjit të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?
Po të donte të më jepte zemër a sfidonte, a do të mund ta vëreja këtë?
Lus për hirin e çlirimit nga brengat personale
dhe çiltërinë, të jem i/e hapur ndaj asaj çka dëshiron Hyji të më komunikojë.
Ndërgjegjësimi
Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çka ndiej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.
Fjala
Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.
Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm
Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.
Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.
Mt 17, 14-20
14 Kur mbërritën te populli, iu afrua një njeri, ra në gjunjë para tij 15 dhe i tha:
“Zotëri, ki mëshirë për djalin tim: i bie e tokës dhe po vuan shumë. Shpesh bie herë në zjarr e herë në ujë! 16 E solla te nxënësit e tu, por ata s’mundën ta shërojnë.”
17 “O brezni e pafe dhe e prishur ‑ u përgjigj Jezusi ‑ deri kur do të jetoj mes jush? Po deri kur do t’ju duroj? Ma bini këtu!”
18 Atëherë Jezusi e urdhëroi djallin e ky doli prej djaloshit, që u shërua në atë çast.
19 Atëherë nxënësit, iu afruan veçmas Jezusit dhe e pyetën:
“Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?”
20 Ai u përgjigj:
“Për shkak të besimit tuaj të pakët! Përnjëmend po ju them: në paçit fe edhe vetëm sa një kokërr sinapi e i thoni këtij mali: ‘Dil këndej e shko atje!’, do të kalojë dhe asgjë s’do t’ju jetë e pamundshme!”
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Nuk është çudi që Jezusi mund të jetë i frustruar nga prishja dhe mungesa e besimit tonë. Në cilat fusha të jetës sime jam duke treguar një mungesë përgjegjësie ose gatishmërie? Ç`mund të bëj në këtë drejtim?
- Jezusi nuk dyshon se në qoftë se do të kishim besim të mjaftueshëm, do të mund t`i lëviznim malet. Me fjalë të tjera, nëse raporti im me Atin do të ishte aq i fortë sa ishte i Jezusit, fuqia e Zotit do të mund të rridhte lirisht nëpërmjet meje dhe të arrinte gjëra të mëdha. A e dëshiroj unë këtë?
Bashkëbisedimi
Jezus, po më flet personalisht me tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes sate të sotshme.
Më mëso ta shoh dorën tënde në vepër në jetën time të përditshme.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Me rastin e 90-vjetorit të shtegtimit të dritës nga Letnica në Kalkutë dhe nga Kalkuta në Letnicë (1928-2018) Jezusi: “Unë jam buka që zbriti prej qiellit.” »