Respektimi i autoriteteve civile dhe fetare

Aug 13 • Meditimi i ditës

13 gusht 2018 – E hënë,  MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Ez 1,2-5.24-28c; Ps 148; Mt 17,22-27)

 

Prania e Hyjit
Kur jam i/e grishur të rri me mikun,

mezi pres të takohem dhe e ndiej veten se më bëhet nder.

Kur më grish Hyji që ta kaloj një kohë në afërsinë e tij,

Ai dëshiron që ta njoh dhe ta ndiej dashurinë e tij.

Me besim dhe shpresë e hap mendjen dhe zemrën ndaj Hyjit,

Dhe e lus që të më ndihmojë që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për dashurinë dhe praninë e tij.

 

Liria
Çdo kohë të lutjes mund t`i fillojmë duke i kërkuar Hyjit hirin që të jem plotësisht i hapur ndaj tij gjatë kësaj kohe.

Tani mund ta bëj të njëjtën lutje tani:

“Bëj, o Zot, që të gjitha qëllimet, veprimet dhe aktivitetet e mia të drejtohen në mënyrë të kulluar për të të dhënë nder e lavd dhe për të shërbyer ty.”

 

Ndërgjegjësimi
S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet qenë të plotësuara.

E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë sime

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Fjala
Tani e lexoj, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj, dëgjoj me vëmendje, dhe ndalem dhe e shijoj fjalinë apo ngjarjen që më lë përshtypje.


Mt 17, 22-27

22 Kur u bashkuan në Galile, Jezusi u tha:

“S’do të vonojë e Biri i njeriut do t’u lihet në duar njerëzve 23 dhe ata do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallet.”

Ata u pikëlluan së tepërmi. 

24 Kur arritën në Kafarnaum, iu afruan Pjetrit ata që mbledhin tagrin e Tempullit e i thanë:

“A nuk e paguan mësuesi juaj tagrin e Tempullit?”

25 “E paguan” ‑ iu përgjigj Pjetri.

Kur Pjetri hyri në shtëpi, Jezusi ia priti përpara:

“Simon, çka të thotë mendja, mbretërit e dheut, prej kujt e mbledhin taksën ose tatimin? Prej fëmijëve të vet apo prej të huajve?”

26 Kur iu përgjigj: “Prej të huajve”, Jezusi i tha: “Pra, fëmijët qenkan të lirë!”. 27 Por, për të mos i shkandulluar, shko në det, hidhe grepin dhe, peshkun e parë që të zësh, merre, hapja gojën e do të gjesh një staterë. Merre dhe jepua për mua e për ty.”


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ndërsa e dëgjove këtë skenë, çfarë vërejte? A të tërhoqi biseda rreth tagrit, dmth. taksave? Apo fjalët e Jezusit për fëmijët që janë të lirë? Apo ndoshta për dëshirën e tij për të mos shkandulluar? Çfarë të mbeti në kujtim gjatë dëgjimit? Çka do të marrësh me vete nga ky lexim?
  • Merr një moment për të qëndruar te një pjesë e skenës, duke i kujtuar fjalët ose imazhet. Le të shkojë vëmendja jote te Jezusi teksa flet me Pjetrin. Kur e vështron Jezusin në këtë pasazh, çfarë ndjen? Si reagon ti ndaj tij?

    Dëgjoje sërish këtë histori, bisedën mes këtyre miqve, Pjetrit dhe Jezusit. Përsëri, vë re se si ndihesh kur i dëgjon.

 

Bashkëbisedimi

Merr pak çaste tani për t’iu bashkuar bisedës me Jezusin.

Mund të dëshirosh të flasësh për këtë histori – ose mund të ketë diçka tjetër që është në mendjen tënde.

Bisedo me të si do ta bëje këtë me një mikun tënd, dhe dëgjoje atë që ai mund të të thotë.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. 
Na ndihmo që t`i përgjigjemi nxitjeve të Shpirtit Shenjt, ndërsa kërkojmë të jetojmë në një mënyrë që i jep dinjitet të gjithëve që udhëtojnë me ne. 

Le t’u japim atyre një shembull të mirë, dhe të përpiqemi që mos t`i lëndojmë.
Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »