“Të vegjlit” e medhenj

Aug 14 • Meditimi i ditës

14 gusht 2018 – E martë, Shën Maksimilian Kolbe, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 2,8-3,4; Ps 118; Mt 18,1-5.10.12-14)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të shpreh ndjenja falënderimi.

Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik pikë për pikë, fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.


Mt 18,1-5.10.12-14

 

1 Në atë moment nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën:

“Kush, pra, është më i madhi në Mbretërinë e qiellit?”

2 Atëherë Jezusi thirri një fëmijë, e vuri para tyre 3 e u tha:

“Përnjëmend po ju them: nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit. 4 Prandaj, kush e përul vetveten e bëhet i vogël si ky fëmijë, ai është më i madhi në Mbretërinë e qiellit. 5 Dhe kushdo e pranon në Emër tim një fëmijë siç është ky, ai më pranon mua.”

10 “Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them: engjëjt e tyre në qiell shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim qiellor. [11]

12 Ç’ju thotë mendja? Po pati ndokush njëqind dele dhe po i humbi njëra prej tyre, a nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në mal e nuk shkon për të kërkuar atë që i humbi? 13 Dhe, po ia doli ta gjejë, për të vërtetë po ju them: për atë gëzohet më tepër se për nëntëdhjetenëntë të tjerat, që nuk i humbën. 14 Kështu as Ati juaj që është në qiell nuk do të humbë asnjë ndër këta të vegjëlit.”


Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Më shumë se një herë në këtë pasazh, pjesë të ungjillit, Jezusi flet për “të vegjëlit”, “të vegjëlit” për të cilët Hyji ka një kujdes dhe shqetësim të veçantë. Kush janë “të vegjëlit” në botën në të cilën jeton – në vendin tënd, në qytetin tënd? Kush janë njerëzit që nuk kanë pushtet apo forcën e vet për t’u mbështetur?
  • Jezusi bën diçka që duket një kërkesë mjaft e çuditshme dhe shumë e hapur këtu. “Nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.” Çfarë dëshiron të thotë? Cilat janë cilësitë e fëmijëve që Jezusi dëshiron që ne t’i kemi?
  • Jezusi e tregon shumë qartë se në sytë e tij çdo jetë është e vlefshme. Çdo person që e takoj është shumë i çmueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Jezusi e rrotullon mënyrën e ngrirë të të menduarit, e ndryshon: «Të vegjlit», njerëzit të cilët bota nuk i konsideron të rëndësishëm, janë më të çmueshmit nga të gjithë. A do të pasqyrojë mendimi im këtë qëndrim sot?
  • Po të kisha qenë i vetmi person në këtë botë që do te kishte nevojë për shpëtim, Jezusi do të vdiste për mua. A më tmerron apo më entuziazmon kjo e vërtetë? Pse? Ndërsa e dëgjon përsëri pjesën e Ungjillit, vë re se për çka flitet kur përmenden fëmijët dhe ‘të vegjëlit’ që Jezusi thotë se i bën ata të veçantë në sytë e Hyjit.

 

Bashkëbisedimi

Ndoshta e sheh veten si një nga të vegjëlit, një nga delet e humbura, për të cilat flet Jezusi. Apo ndoshta kjo pjesë e ungjillit të ka thënë diçka për njerëzit që i has, të cilët janë të humbur apo të rrezikuar, apo edhe për fëmijët e tu. Çfarëdo ndjesie që ky ungjill të ketë nxitur në ty, silli të gjitha para Zotit tani – në këtë moment. Bisedo me të për atë që ta thotë zemra.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »