Çka më pengon që t`i dorëzohem plotësisht Zotit?
15 gusht 2018 – E mërkurë – TË NGRITURIT E SHËN MARISË VIRGJËR NË QIELL (E kremte), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Zb 11,19a; 12,1-6a.10ab; Ps 44; 1 Kor 15,20-27a; Lk 1,39-56)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment dhe mundohem të ndërgjegjësohem se Hyji është i pranishëm:
afër meje, në atë çka bëj, në njerëzit që i takoj,
në çdo rrethanë të përditshme në të cilat ndodhem.
Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?
Liria
Janë pak vetë që e kuptojnë
ç`do të mund të bënte Hyji me ta
po të dorëzoheshin në duart e tij
dhe t`i lejonin që t`i formojë hiri i tij. (Shën Injaci)
Lutem për hirin e shenjtë që t`i dorëzohem plotësisht dashurisë së Hyjit.
Ndërgjegjësimi
Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë ftohur, disa janë dëmtuar, disa ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lutem për dhuratën e pranimit dhe faljes.
Fjala
E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik pikë për pikë, fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.
Lk 1, 39-56
39 Ndër ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën.
41 Tashti, Elizabetës, posa e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharor. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt 42 dhe brohoriti me zë të lartë:
“Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! 43 Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 44 Ja, që, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. 45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”
46 Atëherë Maria tha:
“Shpirti im e madhëron Zotin,
47 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
48 sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur:
ja, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
49 sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm
‑ i shenjtë është Emri i tij!
50 Mëshira e tij brezni më brezni
për ata që e druajnë.
51 E tregoi fuqinë e krahut të vet:
i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
52 i rrëzoi princat prej froneve të tyre
e i lartësoi të përvuajturit.
53 Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë
e të pasurit i nisi duarthatë.
54 I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
55 ‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve
të tij në amshim.”
56 Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.
Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Ky është një rrëfim mbresëlënës i një takimi mes dy grave që i ka kapluar hareja. Që të dyja duan ta festojnë jetën e tyre në këtë kohë, dhuratat që i kanë marrë. Cilat janë imazhet apo fjalët që po krijohen, gjegjësisht jehojnë në ty nga takimi i tyre? Si reagon ti ndaj gëzimit, haresë, kënaqësisë së tyre?
- Në cilat mënyra të tërheqin këto gra në lutje? Ndoshta je i tërhequr për të lavdëruar Hyjin me to. Merr disa momente për të qëndruar me Hyjin. Lejo të jesh i pranishëm me Hyjin me çdo gjë që ndien, pavarësisht asaj se a e ndan me të këtë disponim të kënaqësisë a jo.
- Maria dhe Elizabeta janë shpirtra të afërm të lidhura me një lidhje që shkon përtej çdo fjale. Një miqësi e tillë është një dhuratë nga Hyji dhe, si te çdo bekim, kërkon mirënjohje në lutje. Ia kujtoj vetes përvojat e mia më të mira të miqësisë dhe u lejoj të më flasin se kush është Hyji dhe çka më thërret Hyji të bëhem.
- E kremtja e Ngritjes së Zojës në qiell e pranon që Maria plotësisht i është përgjigjur thirrjes së Zotit. Kjo e kremte më fton të mendoj se çka më pengon ende që s`po mundem plotësisht t`i dorëzohem Hyjit dhe e lus për ndihmën e tij.
Ndërsa i dëgjon përsëri fjalët e Marisë, vë re se si ndihesh. Le të jetë kjo përgjigjja jote lutjes së saj.
Bashkëbisedimi
Edhe një herë lejo të jesh i pranishëm me Hyjin duke vërejtur se si je duke u ndier; tani lejo të të tërheqin këto ndjenja në bisedë me Zotin.
Përmbyllja
O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.
Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.
I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.
Po lëshohem në duart e tua. Ati ynë…
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Të falemi Mari…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« “Të vegjlit” e medhenj Misteri i mëshirës, burim gëzimi, qetësie dhe paqeje »