Misteri i mëshirës, burim gëzimi, qetësie dhe paqeje

Aug 16 • Meditimi i ditës

16 gusht 2018 – E enjte, Shën Rroku, MOMENT I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Ez 12, 1-12; Ps 77; Mt 18,21 – 19, 1)

 

Prania e Hyjit

Hyji është me mua. Edhe më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.
Do të pushoj një çast në praninë jetëdhënëse të Hyjit
në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,
madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,
edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.
Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Po i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Po pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 18,21-19,1

 

21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe e pyeti:

“Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?”

22 Jezusi iu përgjigj:

“Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!

23 Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. 24 Kur filloi të bëjë llogari, i sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. 25 E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. 26 Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbe dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ 27 Zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.

28 Porse, pikërisht ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të tij, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti në fyt duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ 29 Atëherë shoku i tij i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ 30 Por ai nuk deshi dhe shkoi dhe e futi në burg derisa të kthente detyrimin.

31 Kur shërbëtorët e tjerë ‑ shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ndodhi. 32 Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. 33 A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ 34 Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthente tërë detyrimin.

35 Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.” 1 Si i kreu Jezusi këto fjalime, doli prej Galilesë e erdhi në krahinën e Judesë, matanë Jordanit.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Sa e vështirë është të falim dikë që na ka lënduar ose na ka borxh! Megjithatë, në këtë ungjill Jezusi na fton të jemi shumë bujarë dhe të përzemërt në marrëdhëniet tona. Cili është reagimi yt i parë kur e tregon Jezusi këtë histori?
  • Çfarë dëshiron në marrëdhëniet e tua? Në çfarë mënyra dëshiron të jesh bujar, shpirtmadh, ose pajtues? A mund ta kujtosh ndonjë shembull konkret në jetën tënde?
  • Siç thotë Papa Françesku, “Ne duhet vazhdimisht të mendojmë për misterin e mëshirës, që është burimi i gëzimit, qetësisë dhe paqes. Prej kësaj varet shpëtimi ynë.”
  • Jezusi pohon se mëshira nuk është vetëm vepër e Atit, por bëhet kriter për të vendosur se kush janë fëmijët e tij të mirëfilltë. Thënë shkurt, jemi të ftuar të tregojmë mëshirë, sepse mëshira është e para dhe në rend të parë na është treguar ne.
  • Nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë apo motrën tuaj… a nuk është ky thelbi i mëshirës? Aq shumë na është falur – edhe kur s`jemi të vetëdijshëm për këtë. A po të kujtohet dikush apo diçka – kujt, çfarë, duhet të fal?

Ndërsa e dëgjon përsëri pjesën e dytë të historisë, vë re se çfarë të lë përshtypje te njerëzit që mund ose nuk mund të falin.

 

Bashkëbisedimi

I/e vetëdijshëm/e se ende jam në praninë e Hyjit,
e paramendoj Jezusin sesi qëndron apo është ulur afër meje,
dhe i flas gjithçka kam në mendje, çka ma thotë zemra,
si shoku shokut.

Shprehja dëshirat e tua Zotit.

Tregoji atij për atë që dëshiron në marrëdhëniet e tua, për hiret që i dëshiron dhe si ndikon ky lexim në ty.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »