Si reagon kur e di se Zoti të vështron me dashamirësi?

Aug 17 • Meditimi i ditës

17 gusht 2018 – E premte, MOMENT I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Ez 16, 1-15.60.63; Ps Is 12; Mt 19, 3-12)

 

Prania e Hyjit

Para se të fillosh këtë meditim, është e nevojshme ta zgjedhësh hapësirën/vendin;

ta kesh paqen e jashtme; të marrësh pozitën e mirë të trupit dhe të krijosh paqen e brendshme.

Duhet ta kesh para sysh: tani është koha e dëgjimit të Zotit. Jam në praninë e Zotit. Asgjë nuk duhet të më shqetësojë. I lë të gjitha aktivitetet. Para Zotit mund të jem ai/ajo që jam.

 

Liria
 Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.
Madje edhe nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdori në mënyrë të mençur.

 

Ndërgjegjësimi

Lutem për hirin e shenjtë, për atë që dua, atë që dua të arrij në këtë meditim.

Lutem që Zoti të më flasë; ta takoj; ose të mos jem i shurdhër ndaj thirrjes së tij, por të jem në dispozicion i dëgjueshëm;

ose ta dalloj atë që më porositë teksti i përzgjedhur i Shkrimit Shenjt për jetën time.

 

Fjala
Fjalët fillestare të Biblës – Toka ishte e shkretë dhe e zbrazët; terri e mbulonte humnerën dhe fryma e Hyjit endej përmbi ujëra – e përshkruan gjendjen e tanishme të gjërave, jo njëfarë ngjarje të kaluar. Kur lutem në bazë të Shkrimit Shenjt, i lejoj Shpirtit të Hyjit që të endet përmbi kaosin dhe errësirën e qenies sime.

E lexoj, e dëgjoj Fjalën e Zotit, dhe vërej çka po ndodh në zemrën time.

 

Ez 16, 1-15.60.63

 

8 Kalova përbri teje e të pashë; mosha jote, ja, ishte mosha e dashurimit. E hodha mbi ty mallotën time dhe e mbulova lakuriqësinë tënde; atëherë unë t’u përbetova dhe lidha besëlidhjen me ty ‑ thotë Zoti Hyj ‑ e ti u bëre imja.

9 Unë atëherë të lava me ujë dhe ta pastrova gjakun dhe të leva me vaj. 10 Të vesha me petka të larme, në këmbë t’i mbatha sandalet prej më të mirës lëkurë, të ngjesha me li të përpunuar e të vesha me mëndafsh. 11 Të stolisa me stoli, të vura në duar mëdorëzat, gjerdan në fytin tënd. 12 Me unazë të zbukurova hundën, me vathë veshët e tu e me kurorën e shkëlqimit kokën tënde! 13 U stolise me ar e me argjend, u veshe me li të përpunuar e me mëndafsh shumëngjyrësh. U ushqeve me më të mirin miell, me mjaltë e me vaj. U bëre shumë e bukur, tejet e hijshme, e denjë për mbretëreshë. 14 Zëri yt i mirë u hap ndër popuj për shkak të bukurisë sate, sepse ishe e përsosur në stolinë time që ta kisha dhënë ‑ thotë Zoti Hyj.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Si i përgjigjesh këtij përshkrimi të pasur, që të tregon se si Zoti kujdeset për ty dhe të stolis? A mund ta vendosësh veten në pozicionin e atij që është i stolisur, i cili kujdeset dhe zbukurohet me dhurata të bukura? Si do ta ndiente njeriu veten?
  • Ndërsa e imagjinon veten të veshur dhe stolisur në këtë mënyrë, si po të sheh Hyji? Si i përgjigjesh atij vështrimi, çfarë do të bësh ose të thuash?

Lejo që fjalët e këtij pasazhi të të tërheqin më tej në imagjinatën tënde, duke e parë veten të larë, të veshur, të stolisur dhe të dhuruar nga Hyji.

Mundohu të shohësh dhe të ndjesh se çfarë po ndodh, gjatë kohës që e dëgjon përsëri …

 

Bashkëbisedimi
Merr kohë për t`i lejuar Hyjit të t’i tregojë mënyrat me të cilat je i dhuruar në jetën tënde dhe bisedo me të rreth këtyre dhuratave. Bisedo me Zotin për mënyrën se si ndihet njeriu kur është i kujdesur dhe vlerësuar prej tij.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Mirënjohës lutem për të gjithë njerëzit që i njoh, që kanë mundur t’i jetojnë dëshirat dhe ëndrrat e tyre, por lutem me dhembshuri për të gjithë ata që janë të zhgënjyer me rrethanat e jetës.

Ati ynë… 
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »