Kush ushqehet me Zotin, do të jetojë për amshim!

Aug 18 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela XX gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   Fu 9, 1-6

Të ftosh dikë për drekë do të thotë të bashkëndash me të njëfarë miqësie. Me imazhin e drekës Hyji shfaq afërsi me ne, të ftuarit e tij dhe shpall tryezën e Eukaristisë. Çdo Meshë e shenjtë ripërtërin ftesën për drekë me Hyjin.

 

Lexim prej Librit të Fjalëve të Urta

Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet dhe i latoi shtatë shtylla. I kushtoi flitë e veta, e përzjeu verën dhe e shtroi tryezën e vet. I dërgoi shërbëtoret e veta në qytezë, në vendet e larta për të grishur: “Kush është i papërvojë, le të vijë tek unë!” e të pamendit i çoi fjalë: “Ejani, hani bukën time, pini verën që e kam përzier për ju! Lëreni marrëzinë e jetoni dhe ecni udhëve të mençurisë!” Fjala e Zotit

 

Psalmi   34

 

Ref.: Përherë do ta bekoj Zotin, Hyjin tim

——————————————-

Përherë do ta bekoj Zotin,

në gojën time përherë është lavdi i tij.

Shpirti im mburret në Zotin:

le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.

——————————————-

Nderojeni Zotin, ju shenjtërit e tij,

s’u mungon gjë atyre që e druajnë.

Pasanikët u varfëruan dhe patën uri,

ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.

——————————————-

Ejani, o bij, e më dëgjoni:

do t’jua mësoj frikën e Zotit.

A e dëshiron jetën, o njeri?

A dëshiron ditë të shumta për të gëzuar të mirat?

——————————————-

Rrudhe gojën tënde prej së keqes,

gojën tënde prej fjalëve gënjeshtare.

Ik prej së keqes e bëj të mirën,

kërkoje paqen e ndiqe atë!

——————————————-

 

Leximi i dytë   Ef 5, 15-20

Ata që janë zgjuar nga gjumi i mëkatit prej Krishtit, nuk mund të kenë një jetë si persona të çrregullt. I krishteri është i ndriçuar nga dituria për të zgjedhur vullnetin e Hyjit dhe i udhëhequr nga Shpirti Shenjt që shndërron të gjithë jetën në një falënderim.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, vëreni me kujdes si jetoni: jo si njerëz të marrë, por si njerëz të urtë, të cilët dinë ta shfrytëzojnë mirë kohën, sepse ditët janë të këqija. Prandaj mos jini të paarsyeshëm, por dini ta kuptoni mirë vullnetin e Zotit. Mos u dehuni me verë, në të cilën është shfrenia, por mbushuni me Shpirtin Shenjt. Thoni së bashku psalme, himne e këngë të përshpirtshme! Këndoni e lavdëroni Zotin në zemrat tuaja! Gjithmonë dhe për çdo gjë falënderoni Hyjin Atë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krishtit! Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim, thotë Zoti, ai mbetet në mua dhe unë në të.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Gjn 6, 51-58

Sot do të dëgjojmë pjesën e fundit të “diskutimit mbi bukën e jetës” të Jezusit. Pas protestave të judenjve Ai ripohon realitetin e mrekullueshëm të dhuratës së tij hyjnore. Mishi dhe gjaku i tij i komunikojnë njeriut jetën hyjnore dhe e shndërrojnë në një krijesë të re. Ata që i afrohen Bukës së jetës pa u shtirur dhe jo për zakon e dinë se aty gjendet përgjigjja e gjithë të qenit të tyre të krishterë.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës.” Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi-shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë korpin e vet për ushqim?”. Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. Sepse korpi im është ushqim i vërtetë, e gjaku im është pije e vërtetë. Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që ha mua do të jetojë për mua. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Ashtu si trupi ka nevojë për ushqim natyror për të jetuar, ashtu jeta e brendshme e njeriut jeton nëse ushqehet nga një ushqim që konsiston në kërkimin e kuptimit të vërtetë të jetës. Çdo njeri, e di apo jo, kërkon këtë kuptim.

“Buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës”. Jezusi ripohon se trupi i tij i ngrënë zotëron jetën në plotësi e ofron jetën e amshuar që tani. Kush ha trupin e tij banon në Të dhe hyn në jetën e Hyjit.

“Si mundet ky të na japë korpin e vet për ushqim?”. Fjalët e shpallura nga Jezusi turmës kanë tingëlluar thellësisht skandaloze e të pakuptueshme. Për hebrenjtë jeta e çdo qenie të gjallë është gjaku i tij, për këtë kushdo që pi gjakun është kundër ligjit dhe eliminohet.

“Nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete!”. Për ungjilltarin ajo që ka rëndësi është ‘të kemi brenda nesh jetën e Jezusit’, bashkimi i thellë me Birin e Hyjit. Nëse nuk arrihet ky qëllim çdo kremtim humbet kuptimin e vet.

“Kjo është buka që zbriti prej qiellit”. ‘Fjala u bë njeri’, zbrit prej Qiellit, ka depërtuar jetën e brishtë e të vdekshme të njeriut, duke u dhuruar, si ushqim, trupin e tij të kryqëzuar dhe të ngjallur, që të fitojmë jetën e amshuar. Zbritja e tij prej qiellit, duke u bërë trup, është akti i dashurisë e përvujtërisë, që hap ecjen drejt Eukaristisë, që do të jetë shenja reale e trupit të tij dhuruar për jetën e njerëzve. Hyji shfaq fuqinë e tij në dobësinë ekstreme të trupit.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër, liturgjia e sotme na fton të jetojmë në plotësi misterin eukaristik në të cilin Jezusi na dhurohet si ushqim për shpëtimin tonë. Mirënjohës për këtë dhuratë i lartësojmë drejt Atit lutjet tona. Të lutemi së bashku e të themi:

 

Na jep, o Zot, bukën e jetës.

L. Që kisha, të tregojë me këmbëngulje praninë shpëtimtare të Krishtit e të hapë rrugë të reja në takim me të. Të lutemi.

L. Që qeveritarët, të marrin dhuratën e urtësisë në mënyrë që të kuptojnë vullnetin e Hyjit e të veprojnë për të mirën e përbashkët. Të lutemi.

L. Që të ushqyer nga ushqimi i vërtetë, të dimë të qëndrojmë afër atij që është në dhimbje e në provë. Të lutemi.

L. Që bashkësia jonë e krishterë të bëhet vegël e paqes dhe e shpresës. Të lutemi.

L. Që në ne të gjithë, që kemi marrë Eukaristinë me besim, të lindë angazhimi për të qenë para së gjithash adhurues dhe pastaj dëshmitarë të Krishtit të ngjallur, shpresa e botës. Të lutemi.

 

M. O Zot Jezus, që thërret secilin në emër për të na bërë ne miqtë e tu, shikoje dobësinë tonë e shto në lutjen tonë atë që nuk kemi guxim të shpresojmë. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »