Në cilat mënyra marrëdhënia jote me Jezusin të jep jetë?

Aug 19 • Meditimi i ditës

19 gusht 2018 – E diela 20-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximi i librit: Fu 9, 1-6; Ps 33; Ef 5, 15-20; Gjn 6, 51-58)

 

Prania e Hyjit
Me të filluar këtë kohë lutjeje të qetë, gjeje një vend të rehatshëm për t’u ulur me shpinë drejt dhe këmbët lëshoji në tokë. Lejoji vetes ta vësh re frymëmarrjen tënde ndërsa vazhdon të marrësh frymë normalisht. Merr frymë. Qite frymën jashtë.

 

Liria
O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë me lehtësi e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi
Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

Ma kujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala
Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për të zbuluar çka po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Gjn 6, 51-58

 

Në atë kohë Jezusi i tha popullit të vet:

51 Unë jam buka e gjallë

që zbriti prej qiellit:

nëse ndokush ha këtë bukë,

do të jetojë për amshim.

E buka që unë do ta jap

është trupi im

‑ për jetën e botës.”

52 Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi‑shoqin e thoshin:

“Si mundet ky të na japë trupin (e vet) për ushqim?”

53 Prandaj Jezusi u tha:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

nëse nuk e hani trupin e Birit të njeriut

e nuk e pini gjakun e tij,

nuk keni jetë në vetvete!

54 Kush ushqehet me trupin tim

dhe pi gjakun tim

ka jetën e pasosur.

Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit.

55 Sepse trupi im është ushqim i vërtetë

e gjaku im është pije e vërtetë.

56 Kush ushqehet me trupin tim

dhe pi gjakun tim

ai mbetet në mua

dhe unë në të.

57 Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë

dhe unë jetoj për Atin,

po ashtu edhe ai që më ha mua

do të jetojë për mua.

58 Kjo është buka që zbriti prej qiellit,

jo porsi ajo që hëngrën etërit

e vdiqën:

kush ushqehet me këtë bukë

do të jetojë në amshim.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Hebrenjtë këtu refuzojnë atë që u duket atyre si kanibalizëm. Të paktën është një përgjigje e ndershme ndaj asaj që kishin dëgjuar. Cila është përgjigjja e jote e parë kur i dëgjon këto fjalë të Jezusit?
  • A e sheh një ndryshim midis atyre që “nuk kanë jetë në vetvete” dhe atyre që kanë jetë në vetvete për shkak të besimit të tyre, për shkak të marrëdhënies së tyre të ngushtë me Jezusin? Në cilat mënyra besimi yt, marrëdhënia jote me Jezusin të jep jetë?

Me sytë e mendjes sate, bashkohu me turmën e popullit në sinagogën e Kafarnaumit, ndërsa e dëgjojnë përsëri këtë predikues të ri radikal.

 

Bashkëbisedimi
Vështirë mund të ketë ndonjë shprehje tjetër më eksplicite apo përshkrim më befasues të pjesëmarrjes së pathyeshme të një jete në tjetrën. Në gjuhën hebraike shprehja ‘mishi dhe gjaku’ e kanë kuptimin e qenies/tërë personit. Realiteti i pranisë së Krishtit në Eukaristi tejkalon të arsyetuarit dhe të kuptuarit tonë. Nga ne nuk kërkohet që këtë ta kuptojmë, por ta shijojmë, ta përjetojmë.

Jezusi premton se «ata që hanë mishin tim dhe pinë gjakun tim kanë jetën e pasosur.» Çfarë nxit ky premtim i jetës së përjetshme në mendjen dhe zemrën tënde? A mund të flasësh tani me Zotin për këtë?

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ti na përsërit vazhdimisht: “Qëndroni në mua”. Na fton që të bashkohemi me ty dhe të bëhemi një me ty. Atëherë do ta kemi një jetë të vërtetë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »