Besim veprimesh apo marrëdhëniesh?

Aug 20 • Meditimi i ditës

20 gusht 2018 – E hënë, Shën Bernardi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 24, 15-24; Ps Lp 32; Mt 19,16-22)

 

Prania e Hyjit

“Qëndroj para derës dhe trokas”, thotë Zotëria.

Çfarë privilegji i mrekullueshëm që Krijuesi dhe Zotëruesi i të gjitha krijesave dëshiron të vijë tek unë!

Me gjithë zemër e pranoj ardhjen e tij.

 

Liria

O Zot, më ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Më jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Më përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

Kujtohu çka je duke bërë para se ta dëgjosh Fjalën e Zotit dhe çka dëshiron nga ky takim.

Hyji është i pranishëm dhe për shkak se Hyji është I Pranishmi mbështetesh në Hyjin.

Lexoje, dëgjoje leximin e sotëm nga Shkrimi Shenjt
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 19, 16-22

 

16 Dhe ja, iu afrua një njeri dhe e pyeti:

“Mësues, çfarë të mire më duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”

17 Ai iu përgjigj:

“Përse më pyet për të mirën? Sepse vetëm Njëri është i mirë! Por, nëse dëshiron të hysh në jetë, zbatoji urdhërimet!” 18 “E cilat? ‑ pyeti ai.

Jezusi i tha:

“Mos vra

Mos the kurorën!

Mos vidh!

Mos bëj dëshmi të rreme!

19 Ndero babain e nënën tënde!

Dhe duaje të afërmin tënd porsi vetveten.”

20 Djaloshi i tha:

“Të gjitha këto i kam zbatuar. Çka më mungon tjetër?”

21 Jezusi iu përgjigj:

“Nëse do të jesh i përsosur, shko, shit çka ke, faljua skamnorëve e ke për të pasur thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq mua!”

22 Por, kur djaloshi e dëgjoi këtë fjalë, shkoi i trishtuar, sepse kishte pasuri të mëdha.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Djaloshi e pyet Jezusin çfarë veprimi të mirë duhet të bënte për të fituar jetën e përjetshme; por në vend të kësaj për çka ia tërheq Jezusi vëmendjen?
  • Jezusi duket të jetë më i shqetësuar për mënyrën se si i trajtojmë ne njerëzit, si sillemi me ta sesa për atë që bëjmë – veprat. Reflekto për disa momente rreth njerëzve me të cilët je në kontakt, me njerëzit me të cilët ke punë … a sillesh me ta siç dëshiron ti të sillen ata me ty?
  • Djaloshi u përpoq sa më mirë që mundi, por e kuptoi se diçka i mungonte; diçka që ende e pengonte. Pavarësisht përpjekjeve të tija më të mira, duket sikur Jezusi nuk e inkurajon, por nga ai kërkon që të ballafaqohet me të vërtetën.
  • Besimi i djaloshit pasanik është besim veprimesh thjesht të jashtme, jo besim marrëdhëniesh dhe lidhjesh. Çfarë është besimi im?

Ndërsa e lexon, e dëgjon përsëri pjesën e ungjillit, dëgjoje Jezusin se si e fton djaloshin për të shitur atë që posedonte, për ta çliruar veten nga ajo që e pengonte shkuarjen pas Jezusit.

 

Bashkëbisedimi

Mund të bisedosh me Jezusin nëse ka diçka në jetën tënde për çka je posesiv, i lidhur dhe pa të cilën gjë mendon se nuk mundesh, që të pengon për ta ndjekur atë më lirshëm.

 

Përmbyllje

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Koha e lutjes sime më çon në kontakt me mesazhin, porosinë tënde, e cila është sfiduese dhe shkakton një trishtim të caktuar. Nëpërmjet Fjalës tënde më lë të kuptoj se ty më pak të intereson se çka bëj, por më shumë se si ndërtohem. O Zot, ti më fton të shkoj përtej thjesht një aktivitetit – më fton në një lidhje, marrëdhënie më të thellë me ty.

Ati yne..

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »