Shtegtarët e Dritës

Aug 21 • Kisha në Kosovë

Më 14 gusht, Kisha e Kosovës, e prirë nga bariu i saj, Imzot Dodë Gjergji, ka shtegtuar me Dritën e Qiriut të Nënë Terezës në Shenjtëroren e Zojës në Letnicë.

Qiriu i ndezur në varrin e Nënë Terezës në Kalkuta nga Imzot Dodë Gjergji, gjatë shtegtimit të tij vitin e kaluar (nëntor 2017), i cili pati një ndalesë në Vatikan, gjegjësisht në meshën e kremtimit të Ditës së parë botërore të të varfërve, të prirë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në bashkëmeshim me kardinaj e ipeshkvij, u soll në Shenjtëroren e Shën Nënë Terezës dhe u vendos te altari i reliktit të gjakut të Nënë Terezës. Aty, që atëherë, qiriu jep dritë pandërprerë, për të simbolizuar dritën e Nënës për bijtë e vet.

Sivjet, në vigjiljen e festës të ngjiturit e Marisë Virgjër në qiell – Zoja e Letnicës, më 14 gusht, ipeshkvi e ka ftuar të gjithë kishën që të njëjtin qiri ta dërgojmë së bashku në shtegtim te Zoja, pasi shënojmë 90-vjetorin e nisjes së Nënë Terezës për në Indi, pra vitin e vendimit të shenjtëreshës që e mori para Zojës së Letnicës për t’u bërë murgeshë misionare për të shërbyer të varfërve.

Dita e martë, ora 13:30 nisja e shtegtimit u bë nga kisha e Zemrës së Krishtit në Viti, pasi ishte sjell qiriu nga Shenjtërorja e Nënë Terezës në Prishtinë, nga vetë ipeshkvi i Kosovës. Pas lutjes dhe këndimit të këngës së Zojës Cërngaore, ipeshkvi me qiriun në dorë u nisë këmbë në shtegtim drejt Letnicës, i përcjell nga meshtarë, rregullarë e rregulltare dhe besimtarë të moshave të ndryshme, nga pleq deri të fëmijët.

Shtegtimi në rrugën 11 km ishte dëshmia e mrekullueshme e Kishës shtegtare nën dritën e shenjtëreshës sonë, Shën Nënë Tereza. Drita e qiriut na printe, e cila bartej nga të gjithë shtegtarët me plotë gëzim e emocione. E kështu të gjithë u bëmë shtegtarët e dritës, dëshmitarët e dritës dhe shpallësit e dritës. Me lutje e këndim, me nijete personale e bashkësiore u kujtua 90 vjetori i nisjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, në Indinë e largët, për të shëruar plagët e njerëzve të dërrmuar nga varfëria, braktisja e përjashtimi. Me dritën që ajo e bartte në zemrën e saj, të marrë në pagëzim, e kurrë e fikur, u bë dritë për gjithkënd, e posaçërisht ata që errësira e kësaj bote i kishte lemerisur në gropën e mjerimit.

Shtegtimi rreth 3 orësh, pasqyra e jetës së kishës sonë shtegtare, e gjallë, e përkushtuar, plotë dëshmi dhe dashuri. Edhe pse ditë e nxehtë, vapë e mundim, gëzimi nuk u largua asnjëherë nga fytyrat e shtegtarëve. Ky gëzim është një dritë e vërtetë e besimtarit, sepse të jesh i krishterë do të thotë të jesh njeri i gëzuar, që shpërndan dritë e dashuri në rrethin që jeton. Rreth orës 17:00 mbërrimë në Shenjtëroren e Letnicës. Rrenin kambanat e Shenjtërores, që shprehnin gëzimin dhe mikpritjen e dirës së bijës së saj, që dukur para 90 vjetëve e kishte pasur mysafire të njomë, të dëlirë dhe në gjunjë para Nënës Qiellore. Tani bijtë e saj, gjurmëve të të parëve, e bëjnë të njëjtën gjë. Nën tingujt e bukur dhe emocionues të kambanave, rektori i shenjtërores Don Marjan Lorenci, me meshtarë e besimtarë i pritnin shtegtarët e Dritës.

Qiriu i Nënë Terezës u vendos te altari i Zojës. U lutëm bashkë, kënduam dhe qëndruam në lutje.

Në meshën e orës 19:00, qiriu u soll te altari e qëndroi aty gjatë tërë meshës. Bariu ynë, Imzot Dodë Gjergji, gjatë homelisë së tij, e shpjegoi historikun e shtegtimit të kësaj drite, që nga pagëzimi i Gonxhes në Shkup, në Letnicë, pastaj nga Kalkuta, Bazilika e Shën Pjetrit në Romë, Shenjtërorja e Nënë Terezës në Prishtinë e përsëri në Letnicë. Një shtegtim një shekullor, një dëshmi që shkon e bëhet e pranishme gjithnjë e më shumë në kishën tonë. Ai e ftoj Kishën që të bëhet Dritë për shoqërinë, dëshmitare e Dritës së Zotit, ashtu si Nënë Tereza që ishte një jetë që ka ecur nën dritën e Kishtit. Kështu sot kisha bëhet Dritë për popullin, për ata që janë në kërkim të të vërtetës dhe të dritës së ungjillit.

 

 

Në mbarim të meshës, në procesionin tradicional me truporen e Zojës së Lurdit, Qiriu u bartë nga rektori i shenjtërores, me të cilën u ndezën qirinjtë e të gjithë besimtarëve të pranishëm. Procesioni me qindra besimtarë me qirinj në dorë, u bë procesioni i Dritës. Kënga dhe urata ngjiteshin në lartësi qiellore, e të ngazëllyer dëshmonim fenë. Një pamje e mrekullueshme e kishës dhe një dëshmi e gjallë e të qenit katolik në ditët tona.

Qiriu i Nënë Terezës tani qëndron në këtë shenjtërore dhe e simbolizon dritën e Nënë Terezës, i cili mund të porositet prej besimtarëve për nijete të tyre, kurse dhuratat që do të jepen për këtë qiri do të shkojnë për mensën e të varfërve në Prishtinë, e cila tash 11 vjet iu ndan drekë të varfërve dhe të pastrehëve.

Shenjtërorja e Shën Nënë Terezës në Prishtinë dhe Shenjtërorja e Zojës Bekume në Letnicë, tani janë dy vende të shenjta që bartin reliktin e Nënë Terezës dhe Dritën e Qiriut të saj. Dhashtë Zoti, ndërmjetësia e Zojës së Letnicës dhe e Shën Nënë Terezës, që të vazhdojmë të jemi shtegtarë të dritës së ungjillit e të shndrisim të gjithë ata që e kërkojnë këtë dritë, për t’u bashkuar në shtegtimin tonë./drita.info

Fotografitë: Antigona Toma, Arian  Ramaj, Kristian Gjeraj, Don Nikson Shabani

Shpërndaje

Comments are closed.

« »