Ose e zotëron ose të zotëron pasuria

Aug 21 • Meditimi i ditës, Teologji

21 gusht 2018 – E martë, Shën Piu X, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 28, 1-10; Ps Lp 32; Mt 19,23-30)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në çdo kohë të ditës a të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet të jenë të plotësuara.

E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë sime

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

ma kujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj, ta dëgjoj Fjalën e Hyjit me vëmendje e kuptim,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

———————————————————————————————————————

Mt 19, 23-30

 

23 Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet:

“Për të vërtetë po ju them: vështirë do të hyjë i pasuri në Mbretërinë e qiellit. Prapë po ju them: 24 Është më lehtë të përshkohet deveja nëpër vrimë të gjilpërës se i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit.”

25 Nxënësit, kur i dëgjuan këto fjalë, u habitën së tepërmi dhe thoshin:

“Vallë, atëherë, kush do të shpëtojë?”

26 Jezusi i shikoi dhe u tha:

“Për njerëz është punë që s’bëhet, porse Hyji mund të bëjë gjithçka!”

27 Atëherë Pjetri mori fjalën dhe e pyeti:

“Ja, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas teje, çka, pra, do të fitojmë?”

28 Jezusi u tha:

“Për të vërtetë po ju them: ju që erdhët pas meje, në ripërtëritje të botës ‑ kur Biri i njeriut të rrijë mbi fronin e lavdisë së vet ‑ edhe ju do të rrini mbi dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 29 Edhe kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur.

30 Shumë prej atyre që janë të parët, do të jenë të fundit, kurse shumë prej atyre të fundit do të jenë të parët.”

————

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Ungjillit:

 

  • Duke përdorur disa imazhe të gjalla, Jezusi i mëson dishepujt, nxënësit për të bërë dallimin mes vlerave të botës dhe vlerave të Hyjit. Imagjinoje veten mes tyre, duke e dëgjuar Jezusin. Si ndikojnë fjalët e tij në ty?
  • Jezusi nuk arriti ta ndante djaloshin pasanik nga pasuria e tij. Problemi me pasurinë është që ajo lehtë mund të na zotërojë, gjegjësisht mund të bëhemi skllevër të pasurisë.
  • Cilat janë pasuritë që je duke i mbledhur për veten tënde? A mos është duke të të penguar ndonjë pasuri prej tyre në rrugën tënde të ndjekjes së mësimit të Jezusit?

    Ndërsa e dëgjon përsëri këtë pjesë të ungjillit, dëgjoje pyetjen e Pjetrit: “Çka, pra, do të fitojmë?” dhe dëgjoje përgjigjen e Jezusit …

 

Bashkëbisedimi

Jezusi premton se kushdo që e ndjek atë do të fitojë përmbushjen, plotësinë dhe gëzimin. Çka dëshiron të kërkosh që Jezusi të të japë sot?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty. Ti na thërret për një ndryshim radikal në jetë, një ndryshim që na duket joreal – i parealizueshëm. Megjithatë, Jezus, ti na kujton se, gjatë kohës që ne të vdekshmëve diçka na duket e pamundur, “për Hyjin asgjë nuk është e pamundur.”

Ti, o Zot s` do të kërkosh asgjë nga unë që pa ndihmën tënde s` do të isha në gjendje për ta bërë? Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »