Pse mediet nxitin lajme negative

Aug 23 • Opinion

Nga Phil Bosmans

 

Lajme të mira – për to as që kemi dëgjuar – thonë mediet. Ato thonë: lajmi i keq shitet mirë. Prandaj, për çdo ditë na e shkarkojnë një porcion të madh të katastrofave, aksidenteve dhe dhunës: tërmete, rrëzime të avionëve, problem të refugjatëve, plaçkitje, terror, përdhunime. Shumë njerëz mendojnë: asnjëherë nuk ka qenë kjo botë kaq e errët, dhe unë nuk mund të bëj asgjë, nuk mund të bëj asgjë për ta ndaluar atë. Përhapet një fatalizëm i depresionit dhe gjendjes së pafuqishme.

Mediat kanë përgjegjësi të madhe. Jo vetëm që uji është i pistë, jo vetëm që ajri është i ndotur, apo toka e helmuar – por edhe opinioni publik ka pësuar dëme të rënda. Sigurisht, është obligim për të informuar, madje edhe për të kundërtën, anën negative. Ne nuk e duam lajmin që është i njëanshëm në ballafaqim me një sistem, një parti, një rryme, që i përkulen dhe i shërbejnë një sundimtari a autokrati, dhe nga e zeza krijojnë të bardhën. Por ekziston edhe e drejta për informacione për pozitiven. Ajo që është e bardhë nuk duhet të nxiroset dhe denigrohet, dhe ajo që është e zezë, të bëhet edhe më e zezë se ç’ është. Ta shikosh të mirën, të flasësh për të mirën! Është një detyrë e vështirë kjo, sepse e mira ngjet pa rënë në sy, në fshehtësi, dhe iu shmanget reflektorëve. Detyrë e vështirë, sepse ka një shumicë gazetarësh me syze të errëta e të zeza, që gërmojnë aq gjatë, deri sa në fund, metë drejtë apo pa të drejtë, do të nxirrnin diçka negative në mënyrë triumfale. 

Detyrë e vështirë, sepse një lajm i keq shitet më mirë. Shumë njerëz tinëzisht e pabesisht gjejnë kënaqësi në sensacione të lemerishme, të pazakonta. 

Le të mos jemi si ata që shkruajnë në buzë të rrugës kur ndodh një aksident me makinë. Ata nuk ndihmojnë, ata vetëm raportojnë ose shkruajnë. A nuk iu ngjajmë, për çdo mbrëmje, pranë kanaleve televizive, këtyre qenieve? A i lejojmë që sytë tanë të çatallohen e ta harrojmë të mirën në botë dhe në jetën tonë? Për një mirësi jo-spektakulare, të cilën mund ta bëjmë dhe duhet të bëjmë?

E mira qëndron këtu. Më së shpeshti, tejet e vogël, e fshehur, të cilën shumë lehtë mund ta lëmë pas dore. Si kokërr e vogël gruri. Por përmban një forcë të mrekullueshme të jetës. Kësisoj, edhe te secili njeri ka një farë premtimesh të mëdha. Ne kemi nevojë për forcat e mbrojtjes kundër mbeturinave që bartin mediet në shtëpitë tona: të mos përbijmë gjithçka që ata vënë para nesh! Zbuloni të mirën që është në botë, e cila gjendet në çdo qenie njerëzore, madje edhe në veten tonë.

(Përktheu: Prend Buzhala)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »