Ngashënjimi i dëshirës për të vepruar vetëm sipas mënyrës sime

Aug 25 • Meditimi i ditës

25 gusht 2018 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Ez 43, 1-7a; Ps 84; Mt 23,1-12)

 

Prania e Hyjit

Teksa jam duke qëndruar këtu, Hyji është i pranishëm,
ai i jep jetë jetës sime dhe gjithë asaj që më rrethon.
Do të qëndroj në heshtje një moment,
dhe do të bëhem i vetëdijshëm për praninë e Hyjit.

 

Liria
O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi
Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?

Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala
Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 23, 1-12

 

1 Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet:

2 “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. 3 Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. 4 Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë.

5 Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët. 6 Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, 7 përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.

8 Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. 9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë ‑ atë që është në qiell! 10 Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës ‑ sepse keni vetëm një Udhëheqës ‑ Krishtin! 11 Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. 12 Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Hipokrizia (dyfytyrësia) do të thotë të luash një rol të caktuar, të jesh i/e pavërtetë ndaj vetvetes. Fjalët më të ashpra të Jezusit janë drejtuar pikërisht ndaj këtij fenomeni. Ai e përmbledh atë shumë shkurtimisht: “Ata nuk veprojnë siç thonë.” E pyes veten: si veproj unë?
  • Jezusi nuk merret me çështjen se si jetojnë farisenjtë, por sheh se si ata duke përdorur përmasa njerëzore ishin bërë plotësisht të hutuar dhe të largët nga Hyji.
  • A ndodh nganjëherë që edhe unë të lejoj të ngashënjehem me dëshirën që të ndodh sipas mënyrës sime, për të vendosur mbretërinë time në vend që ta kërkoj Mbretërinë e Hyjit?

 

Bashkëbisedimi
Udhëheqësit fetar gjithmonë jetojnë një jetë riskante. I lutem Zotit për ta që kurrë mos t`i ngashënjejë lavdia njerëzore apo që të harrojnë se kujt i shërbejnë.

Do të mendoj se si do të ishte që të filloj gjithçka nga fillimi, që ta zë vendin e fundit, që vërtet t`i marr me zemër fjalët e Jezusit mbi përvujtërinë. Bisedoj me Jezusin dhe i kërkoj ndihmë për të cilën kam nevojë, me përvujtëri dhe sinqerisht.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty. Gjatë këtij meditimi më mësove se është e lehtë të vërehet hipokrizia te të tjerët, veçanërisht e atyre në pushtet, por duhet të jem vigjilent vazhdimisht për mashtrimet e mia vetjake, gënjeshtrat e vogla që i them. Unë mund të ndryshojë vetëm veten time. O Zot, bëj që të jetoj në të vërtetën. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »