Të jesh nxënës i Zotit

Aug 26 • Meditimi i ditës

26 gusht 2018 – E diela 21-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Joz 24,1-2a.15-17.18b; Ps 33; Ef 5, 21-32; Gjn 6, 60-69)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që tërësisht të gjallërohem në praninë tënde.

Më përshko me dashurinë tënde.

Zemra ime u bëftë një me tënden.

 

Liria
Hyji nuk është mish i huaj në trupin tim.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,

Duke më nxit butësisht në atë çka është e mirë.

Lutem për hirin e shenjtë që t`i lejoj Shpirtit që të më japë një jetë të plotë.

 

Ndërgjegjësimi
Hyji është burimi i gjithë jetës. Në Të jetojmë dhe lëvizim. Ekzistenca jonë varet prej tij.

Ndërsa shikoj përreth meje tani, tek njerëzit rreth meje, “Shpirti i dashurisë” ndoshta nuk është lehtë të shihet, por, nëse provoj, mund ta ndiej praninë e Hyjit?

A mund ta ndiej Shpirtin Shenjt të Hyjit këtu? Në këta njerëz? Tek unë?

 

Fjala
Zoti i flet çdonjërit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu të dëgjoj në mënyrë që të jem në gjendje të kuptoj çka dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj, dëgjoj tekstin e Shkrimit Shenjt, do të përgjoj ç`po ndodh në zemrën time.

 

Gj 6, 60-69

 

60 Shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë:

“I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?”

61 Kur Jezusi e hetoi se nxënësit e tij po murmurisnin lidhur me këtë mësim, u tha:

“A po ju shkandullon kjo gjë? 62 E po ta shihnit Birin e njeriut duke u ngritur atje ku ishte më parë… ?

63 Shpirti është ai që jep jetën,

trupi nuk vlen asgjë.

Fjalët që unë ju thashë,

janë shpirt dhe janë jetë.

64 Por, janë disa ndër ju, që nuk besojnë”

Sepse Jezusi e dinte që në fillim cilët ishin ata që nuk besonin dhe cili ishte ai që do ta tradhtonte.

65 Dhe shtoi:

“Prandaj edhe ju thashë se askush s’mund të vijë tek unë, po qe se nuk iu dhurua nga Ati.”

66 Që atëherë shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të.

67 Atëherë Jezusi i pyeti edhe të Dymbëdhjetët:

“A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?”

68 Simon Pjetri iu përgjigj:

“Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! 69 Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • “I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?” Dëgjuesit e Jezusit reagojnë kështu për t’iu thënë se nëse nuk hanë mishin e tij dhe nuk pinë gjakun e tij ata nuk do të kenë jetë në vetvete. Por ndoshta ky është një reagim që e ke pasur – ose ndoshta ende e ke – për gjëra të tjera që i thotë Jezusi. A ka gjëra që i ke dëgjuar se i thotë Jezusi – ndoshta edhe këtë javë – që ti i konsideron të vështira për t`i pranuar? Si sillesh me këtë?
  • “Shpirti është ai që jep jetën,” thotë Jezusi. Ku dhe kur, në javën e kaluar, e ke ndjerë veten vërtet të gjallë? Kur e ke ndjerë Shpirtin duke të të dhënë jetë?
  • Ka një aluzion (dmth. fjalë ose shprehje me kuptim të mbuluar, e thënë tërthorazi) për “kohën e vendimit” ose për “delet dhe dhitë” te pjesa e fundit e këtij pasazhi, kur disa nga dishepujt largohen prej tyre, por Pjetri dhe Të Dymbëdhjetët shpallin besimin e tyre më fort se kurrë. Cilës rrugë të çon kjo pjesë e ungjillit? – të dyshosh apo të jesh më i/e vendosur?

“Fjalët që unë ju thashë, janë shpirt dhe janë jetë.” Ndërsa i lexon, i dëgjon përsëri këto fjalë, çfarë shpirti dhe çfarë jete mund të dëgjosh në to?

 

Bashkëbisedimi
“Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!” Tani flit me Jezusin për atë që beson dhe di për të, kush është ai për ty, çka do të thotë ai për ty. Bisedo me të hapur dhe lirisht, si një mik që i flet mikut.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Ti ishe i gatshëm t`i lije nxënësit të shkojnë – e respekton lirinë e tyre dhe i lë ata të zgjedhin. Jam këtu, lutem jo vetëm për shkak se është zgjedhja ime, por me anë të hirit të Hyjit, që dëshiron të ma hapë mendjen dhe zemrën. Të jesh dishepull/nxënës i Zotit do të thotë për mua ajo që ti, o Zot, bën, jo se unë vendos se çka dua. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »