Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës: Duaje jetën!

Aug 26 • Këndvështrime, Opinion

Sot, më 26 gusht, kujtojmë ditëlindjen e Gonxhe Bojaxhiut – Shën Nënë Terezës sonë. Ajo lindi më 26 gusht 1910 në Shkup. Si vjazë e re 18 vjeçare, vendosi t’i kushtohet Zotit dhe u nis për Kalkuta të Indisë për t’iu shërbyer të varfërve. U bë misionare e dashurisë pasi Zoti i foli dhe e dërgoi në mesin e të dëbuarve, të mënjanuarve dhe të atyre që ishin në buzë të vdekjes.

Shën Nënë Tereza është misionare e jetës, dashuruese e jetës dhe mbrojtëse e jetë. Poezia dhe urata e saj për jetën, me të cilën po e urojmë ditëlindjen e saj,  është shprehje e personit të saj, identitetit të misionit të saj, misionit të jetës së saj.

Urime ditëlindjen Nënë! Ndërmjetëso për të gjithë ne nga qielli, që ta duam e ta mbrojmë jetën në të gjitha fazat, nga ngjizja e deri në mbarimin natyror. 

–  –  –

DUAJE JETËN

Duaje jetën ashtu siç është
duaje plotësisht, pa pretendime;
duaje kur të duan apo kur të urrejnë,
duaje kur askush nuk të kupton,
apo kur të kuptojnë të gjithë.

 

Duaje kur të gjithë të braktisin,
apo kur në qiell të ngrenë si mbret.
Duaje kur të vjedhin gjithçka,
apo kur të dhurojnë.
Duaje kur ka kuptim
apo kur ngjan se nuk ka një fije.

 

Duaje në lumturi të plotë
apo në vetminë absolute.
Duaje kur je i fortë,
apo kur ndjehesh i pafuqishëm.
Duaje kur ke frikë, 
apo kur ke një mal guxim.
Duaje jo vetëm për kënaqësitë e mëdha
e sukseset e mrekullueshme;
duaje edhe për gëzimet e vogla.

 

Duaje edhe pse nuk të jep çka mundet,
duaje edhe pse nuk është siç do ta dëshiroje.
Duaje sa herë që lindesh
e sa herë që je duke vdekur.

 

Por mos duaj kurrë pa dashuri.
Mos jeto asnjëherë pa jetë!

/Shën Nënë Tereza/

Shpërndaje

Comments are closed.

« »