A mund të dëshmoj për veprimin e Zotit në zemrën time?

Aug 27 • Meditimi i ditës

27 gusht 2014 – E hënë, Shën Monika, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Sel 1,1-5.11-12; Ps 95; Mt 23,13-22)

 

Prania e Hyjit

E marr me mend që gjatë kohës së qëndrimit tim ulur, këtu dhe tani, Hyji më vështron me dashamirësi dhe dashuri
duke lejuar që të ekzistoj.
Ndalem një moment dhe mendoj për këtë.

 

Liria

Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat e mia,

që të jem i/e hapur ndaj asaj çfarë Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e mbledhur veten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

2 Sel 1,1-5.11-12

 

3 Vëllezër, gjithmonë na duhet ta falënderojmë Hyjin për ju, siç është e drejtë, sepse jashtëzakonisht rritet feja juaj dhe shtohet dashuria e secilit prej jush kundrejt njëri‑tjetrit, 4 aq sa ne mburremi me ju në të gjitha kishat e Hyjit për arsye të qëndresës dhe të fesë suaj ndër të gjitha salvimet dhe vështirësitë që ju me duresë i mbartni. 5 Ato janë shenja e gjyqit të drejtë të Hyjit dhe kanë për qëllim t’ju bëjnë të denjë për Mbretërinë e Hyjit, për të cilën edhe pësoni.

11 Prandaj edhe lutemi përherë për ju që Hyji ynë t’ju bëjë të denjë për thirrjen e vet dhe me fuqinë e vet t’ju bëjë të aftë të kryeni çdo të mirë që dëshironi dhe fenë tuaj ta bëjë vepruese. 12 Kështu Emri i Jezusit, Zotit tonë, do të madhërohet në ju po edhe ju në Të në saje të hirit të Hyjit tonë dhe të Jezu Krishtit Zot.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Pali falënderon Hyjin për fenë dhe dashurinë në rritje midis të krishterëve në Selanik. Ai e njeh fuqinë e Hyjit në veprim mes tyre ashtu siç e njeh se fuqia e Hyjit është në veprim në jetën e tij. A mund të shoh shenja të besimit në rritje në jetën time sot?
  • Si mund të jem i/e thirrur sot të rritem në dashuri? Ku kam nevojë posaçërisht për fuqinë e Hyjit në rrethanat e jetës sime sot?

Ndërsa e dëgjoj sërish pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, ndoshta mund t`i dëgjoj fjalët e Palit që më drejtohen personalisht.

 

Bashkëbisedimi

Jezusi i gjykon farisenjtë sepse ata flasin për diçka që s`e dinë. Ai fliste për atë që është në zemrat e tyre, e jo në kokat e tyre të arsimuara. Do të kishte shumë më shumë qetësi po të thoshin njerëzit vetëm atë që dinë. E kur është fjala për fenë, shumë njerëz flasin për atë që është në kokat e tyre.

Tani lejoj të vij përpara Zotit me një zemër të hapur, të gatshme për të marrë fuqinë që më nevojitet që të rritem në besim dhe dashuri.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ti vepron heshtur dhe në lutje jep shpjegim dhe rekomandon qëndrimin diskret – por a mund të dëshmoj për veprimin tënd në zemrën time? Kur flas për fenë, nuk dua të jem si farisenjtë duke i lejuar vetëm arsyes, mendjes që të flasë. Dua të mendoj se si vepron ti, o Zot në thellësitë e qenies sime. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »