Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe Shën Nëna Tereze “së bashku” në Prishtinë

Aug 29 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Më 26 gusht 2018 në Prishtinë përjetuam dy ngjarje të bukura shpirtërore dhe kulturore kushtuar Shën Nënës Tereze dhe 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Ngjarja e parë ishte në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në ora 13. 00: promovimi i monografisë “Familjet katolike shqiptare në Shkup (dokumente, fotografi, dëshmi I), botues: Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Shkupit (2018), nga autorët: Skender Asani, Albert Ramaj, Natash Didenko, f. 481.

Për këtë studim dhe botim foli ministri Pal Lekaj, në emër të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradianj, Skender ASANI, dr. Gjon Berisha, Anton Sereqi, don Lush Gjergji dhe tjerë.

Të gjitha vlerësimet ishin pozitive dhe konstruktive. Pas promovimit ishte edhe hapja e ekspozitës fotografike, që e ilustronte periudhën, personalitetet, ngjarjet e Shkupit të atëhershëm, si begatim i këtij manifestimi.

Të njëjtën ditë në ora 19. 00 në Shenjtëroren dhe Katedralen “Nëna Tereze” ishte Akademia kushtuar Shën Nënës Tereze në 90 vjetorin e nisjes së saj për misione në Indi, si dhe ekspozita nga Fondi i Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut lidhur me jetën dhe veprën madhore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Programi ishte një gërshetim i bukur muzikor dhe poetik, me këndim të mrekullueshëm të Adelina Paloja të këngëve për Nënë Terezën, recitime te poezive dhe uratave të Nënës Tereze nga aktorët Beslim Muçaj dhe Lumnie Sopi.

Akademinë e përshëndeti ipeshkvi ynë Imzot Dodë Gjergji, me fjalë dhe porosi të zgjedhura dhe të qëlluara. Pjesë e këtij programi ishte edhe kumtesa e Don Lush Gjergjit mbi thirrjen rregulltarë dhe misionare të Gonxhe Bojaxhiut. Foli edhe Gjon Berisha, përgatitësi i ekspozitës, i cili na shpalosi rëndësinë e këtij fondi të veçantë për periudhën e Gjegj Kastirotit – Sknderbeut.

Këto dy manifestime përfunduan me një koktej të rastit, si përjetim dhe përforcim gëzimi, festimi, bashkëpunimi dhe vëllazërie ndër ne. Këto dy figura tejet të çmuara dhe shumë të dalluara të historisë sonë, na bashkuan me tematika historike dhe porosi aktuale për çdo shqiptar sot kudo në botë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »