Midis të vërtetës dhe pëlqimit

Aug 29 • Meditimi i ditës

29 gusht 2018 – E mërkurë, Martirizimi i Gjonit Pagëzues (përkujtim), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Jer 1,17-19; Ps 70; Mk 6,17-29)

Prania e Hyjit

“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.
O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj ta kaloj kohën në praninë tënde.
Që ta dëgjoj thirrjen tënde.


 
Liria
Do të provoj që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet
që ndoshta më mundojnë në këtë moment.
Të gjitha shqetësimet e mia i vendosi në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.


 
Ndërgjegjësimi
Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`iu siguroj hapësirë dhe kohë.



Fjala
Fjala e Zotit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Përqendrohu në Ungjillin e sotëm për meditim. Lexoje, dëgjoje me vëmendje.
Qëndro në porosinë që ta jep Zoti.
Shpirti Shenjt e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që t`i përgjigjem porosisë së ungjillit:
Që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.


Mk 6, 17-29

 

17 Në fakt Herodi vet kishte dhënë urdhër të arrestohej Gjoni dhe të mbahej i lidhur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, sepse e kishte marrë për grua. 18 Gjoni, pra, i thoshte Herodit: “Nuk është e lejueshme të kesh gruan e vëllait tënd!” 19 Dhe Herodiada e urrente dhe dëshironte ta vriste, por nuk mundte. 20 Herodi, pra, i druhej Gjonit, të cilin e dinte si njeri të drejtë dhe të shenjtë, dhe e mbronte; dhe, mbasi e dëgjonte, kryente shumë gjëra dhe e dëgjonte me dëshirë. 21 Por erdhi dita e volitshme dhe Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një gosti për të mëdhenjtë e tij, për komandantët dhe për parinë e Galilesë. 22 Hyri vetë e bija e Herodiadës, kërceu dhe i pëlqeu Herodit e atyre që ishin bashkë me të në tryezë, atëherë mbreti i tha vajzës: “Më kërko ç’të duash dhe unë do të ta jap.” 23 Dhe iu betua: “Gjithçka që të më kërkosh, do të ta jap, deri gjysmën e mbretërisë sime!.” 24 Ajo doli dhe i tha s’ëmës: “Çfarë duhet t’i kërkoj?” Ajo u përgjigj: “Kokën e Gjon Pagëzorit!.” 25 Ajo u kthye menjëherë te mbreti dhe i kërkoi me nxitim: “Unë dëshiroj që ti të më japësh menjëherë, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit.” 26 Dhe mbreti, megjithëse u trishtua shumë nga kjo, nuk deshi të refuzojë për shkak të betimit dhe për respekt të të ftuarve. 27 Kështu mbreti dërgoi menjëherë një roje me urdhër që ti sillnin kokën e Gjonit.28 Dhe ky shkoi, ia preu kokën në burg, dhe e solli kokën e tij mbi një pjatë, ia dha vajzës dhe vajza ia dha s’ëmës. 29 Kur dishepujt e Gjonit i dëgjuan këto, erdhën, morën trupin e tij dhe e vunë në varr.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Herodi në leximin e sotëm tregohet i lëkundur midis asaj se si e shihte vetë mësimin e profetit dhe dëshirës së vet për të kënaqur gruan dhe mysafirët e tij. Në zgjedhjen që ai bën, ai shkon kundër asaj që e dinte se kishte të drejtë me pasoja të tmerrshme. A ke qenë ndonjëherë në një situatë ku e ke ndier presionin për ta kënaqur dikë tjetër sesa për të bërë atë që e di se është drejtimi i duhur i veprimit?
  • A ke ndonjë zgjedhje për të bërë sot ose në të ardhmen e afërt për të cilën ke nevojë për forcën dhe udhëzimin e Hyjit?

     
    Ndërsa e dëgjon sërish pjesën e parë të leximit, vë re tërheqjet, nxitjet, ndjenjat që i përjeton Herodi dhe ato të cilave ai i kushton vëmendje. 

    Bashkëbisedimi
    Tani ndoshta do të të dëshiroje t`i kërkosh Zotit për të të dhënë drejtimin e Shpirtit të Shenjtë sot, veçanërisht në ndonjë vendim që duhet të marrësh apo në ndonjë fjalë që duhet ta thuash.

     

    Përmbyllje
    Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ata që punojnë për drejtësi në botë apodëshmojnë për fe sot janë duke u përballur shpesh me vështirësi, madje, nganjëherë, edhe jeta e tyre është në rrezik. Dëshiroj t`i kujtoj në lutje. Ati ynë…
    Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »