Rrini zgjuar – jo të frikësuar!

Aug 30 • Meditimi i ditës

30 gusht 2018 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Kor 1, 1-9; Ps 144; Mt 24, 42-51)

 

Prania e Hyjit
Teksa jam duke ndenjur këtu, Hyji është i pranishëm.

Rreth meje, në përjetimet, mendimet e mia dhe thellë në mua.

Ndalem një moment dhe vetëdijesohem

se Hyji i gjallë është i pranishëm këtu.

 

Liria
O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme.

Jam i/e lirë për të zgjedhur.

Më ndihmo që të zgjedh që të mund të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

Ata në burg, ata që nuk janë të lirë hapur dhe publikisht ta shprehin fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha gjërat që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi
Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i sinqertë se si jam.

Si është duke më kaluar dita? Si po e ndiej veten tani?

 

Fjala
Hesht, e mbledh veten, relaksohem dhe qëndroj i qetë. I hapur ndaj fjalës së Zotit në gjithçka që po ndodh rreth meje, në të gjitha lëvizjet, tërë zhurmën, a mund ta gjej një moment qetësie dhe heshtjeje tani, a mund të ndiej praninë e Zotit këtu dhe t`ia dorëzoj veten kësaj, duke e hapur zemrën për ta dëgjuar fjalën e Zotit?


Mt 24, 42-51

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:

42 Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj! 43 E mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë të natës i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t’i thyhej shtëpia.

44 Prandaj: rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni.”

45 Vallë, cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, që zotëria e vuri përmbi shërbëtorët e vet për t’u dhënë ushqimin në kohën e duhur? 46 I lumi ai shërbëtor, që, kur të vijë zotëria, e gjen duke vepruar kështu! 47 Për të vërtetë po ju them: do t’ia besojë mbarë pasurinë e vet!

48 Por në qoftë se shërbëtori i keq thotë në zemrën e vet: ‘zotëria im vonon të vijë’ 49 e fillon t’i rrahë shokët e vet e të hajë e të pijë me pijaneca; 50 zotëria i këtij shërbëtori do të vijë pikërisht atë ditë, kur ky s’e pret, pikërisht në atë orë, kur ky s’e di; 51 do ta ndëshkojë rëndë dhe do t’ia caktojë vendin me shtiracakët, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.”


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Shpesh Zoti vjen atëherë kur më pak e presim, ai e di se si dhe kur do të na befasojë. Pra, lejoj ta imagjinoj veten duke u takuar papritur me Zotin. Çfarë lloj takimi është ai? Në imagjinatën time i shikoj rrethanat e takimit në çdo detal të tij. Si ndihem? Si e gjej veten duke folur me të?
  • Nganjëherë e takoj atë në njerëzit që i has në jetën time të përditshme. A jam në gjendje ta shoh dhe ta përshëndes atë në njerëzit rreth meje: në lypësit, shoferët e autobusit, kujdestarin e trafikut dhe kolegët e mi në punë?

    Ndërsa i dëgjoj përsëri fjalët e Jezusit, i shqyrtoj këta dy shërbëtorë, shërbëtorin besnik dhe të mençur, i cili vazhdon me punën e tij siç i kishte kërkuar i zoti i tij, dhe shërbëtorin e lig që mendon se mund të jetojë ashtu siç dëshiron dhe keqpërdor besimin që i është treguar. A identifikohem me njërin prej tyre më shumë se me tjetrin?

     

    Bashkëbisedimi
    A i kujtoj rrethanat kur më është dhënë ndonjë përgjegjësi? A ke marrë ndonjëherë mbi vete përgjegjësi? Si të është dukur? Dhe si ka funksionuar? Flas me Jezusin për ato kohëra dhe i tregoj se si ndihem për ato kujtime, duke shprehur ndonjë trishtim apo keqardhje që mund të ndiej, ose duke e falënderuar atë.

     

    Përmbyllja
    Të falënderoj, o Zot, për këto momente që i kalova me ty.
     Ti na fton të rrimë zgjuar. Ideja se ti, o Zot, mund të vish në çdo moment i bën disa njerëz nervozë dhe të frikësuar. Nëse të lejoj Jezus të mëçosh në një dashuri më të thellë ndaj Hyjit, e kuptoj se nuk kam pse të kem frikë, por jam në çdo kohë në gjendje të të them “Ja ku jam!” Ati ynë…

    Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »