Fuqia misterioze e vuajtjes
31 gusht 2018 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1 Kor 1, 17-25; Ps 32; Mt 25, 1-13)
Prania e Hyjit
Gjatë kohës që jam ulur këtu, rrahjet e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,
të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.
Ndalem një moment dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.
Liria
O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë kollaj e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.
Ndërgjegjësimi
Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`iu siguroj hapësirë dhe kohë.
Fjala
Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.
E lexoj, e dëgjoj tekstin e Shkrimit Shenjt, pastaj përgjoj ç`po ndodh në zemrën time.
1 Kor 1, 17-25
17 Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj, jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia kryqit të Krishtit.
Krishti, fuqia dhe urtia e Hyjit.
18 E njëmend, predikimi për kryqin, për ata që dënohen, është marri, kurse, për ne të shëlbuarit, është fuqia e Hyjit. 19 Sepse është në Shkrim i shenjtë:
‘Do ta asgjësoj dijen e të dijshmëve,
do ta bëj të kotë urtinë e të urtëve.’
20 Ku është i dijshmi? Ku është mësuesi i Ligjit? Ku është shqyrtuesi i kësaj bote? Pse, a nuk e bëri Hyji marri urtinë e botës? 21 Për të vërtetë, pasi bota me urtinë e vet nuk e njohu Hyjin me anë të dijes së zbuluar prej Hyjit, i pëlqeu Hyjit, me marrinë e predikimit t’i shëlbojë besimtarët. 22
E, ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, 23 ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar ‑ për hebrenj skandal e për paganë marri, 24 kurse për të grishurit ‑ si për hebrenj si për grekë ‑ Krishtin ‑ fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit. 25 Sepse, çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit.
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Leximi i sotëm na kujton paradoksin e besimit të krishterë: fuqinë e Hyjit duke sjellë jetë të re nëpërmjet vuajtjes dhe vdekjes së Krishtit. Ajo që duket të jetë dështim – të mos ketë kuptim fare, disi në një nivel shumë më të thellë krijon një lloj kuptimi tjetër. A kishte një kohë në jetën tënde, apo në jetën e dikujt që ti e njeh, kur ajo që dukej si një dështim u kthye në një mundësi të re për mirë?
- A ka njerëz ose situata që i di sot kur ajo që duket e pashpresë apo një dështim në terma njerëzorë të mund të jetë aty në vepër fuqia misterioze e Hyjit?
Ndërsa e dëgjon leximin përsëri, vë re dallimin mes urtësisë së të mençurit dhe urtësisë së Hyjit.
Bashkëbisedimi
Mund të dëshirosh që tani të flasësh në zemrën tënde me Krishtin, duke i kërkuar atij të të japë dobësinë ose forcën, marrëzinë ose mençurinë që dëshiron ta kesh.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente me ty. Si të krishterë presim të gatshëm, presim me shpresë, presim së bashku. Gjithë jeta jonëna çon te një moment, ardhja e Dhëndrit – Ardhja jote, o Zot. Kur të vish Ti, mund ta dëgjoj sesi thua – si në “Këngën e Këngëve” – “Çohu, i dashuri im,bukuria ime, dhe eja!” Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Rrini zgjuar – jo të frikësuar! Pasiviteti si pasojë e frikës dhe koprracisë »