Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje!

Sep 1 • Teologji

E diela XXII gjatë vitit (B)

 

Leximi i parë   Lp 4, 1-2.6-8

Izraeli ka jetuar ngjarjet e jashtëzakonshme të daljes nga Egjipti. Por nuk mund të jetohet vetëm me kujtime. Populli nuk mund të jetojë me të vërtetë besëlidhjen me Hyjin nëse nuk angazhohet konkretisht, në besnikëri me kohën e tanishme. Besëlidhja nuk duhet vetëm të kujtohet, por edhe të jetohet. Kështu është edhe për Kishën sot: Ungjilli dhe ngjallja duhet të jetohen.

 

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu foli dhe tha: “E tani, o Izrael, dëgjo urdhërimet dhe rregulloret që po jua mësoj që, duke i kryer ato, të jetoni dhe të hyni e ta bëni pronë tokën që Zoti, Hyji i etërve tuaj, do t’jua japë. Mos u shtoni asgjë urdhrave që po ju jap dhe mos u mungoni asgjë! Mbani urdhërimet e Zotit, Hyjit tuaj, që po jua jap unë, që t’i mbani e t’i vini në zbatim. Kjo do t’ju bëjë të dijshëm e të urtë në sytë e popujve. Kur t’i kenë dëgjuar të gjitha këto urdhërime, do të thonë: ‘Ja, një popull i dijshëm e i kuptueshëm! Ky qenka popull madhështor!’E njëmend, ku gjendet një popull tjetër aq i madhërueshëm, që t’i ketë hynitë e veta kaq afër vetes, sikurse është pranë nesh në të gjitha kërkesat tona Zoti, Hyji ynë?! Dhe, ku ka një popull tjetër kaq të përmendur që të ketë urdhërime e rregullore të drejta, siç është i tërë ky Ligj, që unë sot po e shtroj para syve tuaj?!” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   15

 

Ref: Ata që e kanë zemrën e pastër do të banojnë në shtëpinë e Zotit

—————————————-

O Zot, e kush do të guxojë

të hyjë në tendën tënde?

Vetëm ai që jeton me nder,

që vepron me drejtësi,

e prej zemrës flet të vërtetën.

—————————————-

Që s’i shpifet kujt me fjalë,

që të afërmin s’e dëmton,

që shokun nuk e çnderon:

ai që bëkeqin e mban për asgjë,

e i çmon ata që e druajnë Zotin.

—————————————-

Nuk jep të holla me kamatë,

e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.

Kush vepron kështu kurrë

e për këtë jetë nuk do tëluhatet.

—————————————-

 

Leximi i dytë   Jak 1, 17-18.21-22.27

Fjala duhet pranuar ashtu si toka pranon farën që do ta pllenojë. Është e nevojshme ta mbajmë me vete dhe të ndjejmë jehonën e saj gjatë orëve të ditës. Fjala do të na mësojë të kryejmë drejt Hyjit Atë kultin e vërtetë, atë që kremtohet në shtëpitë, në rrugët, spitalet, ofiçinat, zyrat. 

 

Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull

Vëllezër, çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur është prej së larti, zbret nga Ati i dritës, në të cilin nuk ka ndërrim as hije ndryshimi. Ai na lindi në saje të vullnetit të vet nëpër fjalën e së vërtetës, që ne të jemi një farë fryti të parë të krijesave të tija.  Prandaj, flakni tej çdo ndyrësi dhe çdo të keqe tjetër e me plot butësi pranoni fjalën e mbjellë në ju, e cila është e aftë t’i shpëtojë shpirtrat tuaj.  Bënu zbatues të fjalës, e jo vetëm dëgjues që gënjejnë vetveten. Besimi i pastër dhe i patëmetë para Hyjit Atë është ky: kujdesi për bonjakë dhe për gra të veja në vështirësitë e tyre dhe ruajtja e pastër e vetvetes nga kjo botë. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Na e trego, o Zot, udhën tënde, dhe na udhëheq udhës së drejtë.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Mk 7, 1-8.14-15.21-23

Akoma sot formalizmi është në bazën e shumë gjykimeve dhe vendimeve në fushën fetare.  Duket me të vërtetë se njeriu fetar është një qenie që jeton duke kryer vetëm rite, norma, veprime dhe praktika të jashtme formale. Kështu e mendonin farisenjtë. Jezusi shqetësohet të shpjegojë se korrupsioni nuk vjen nga jashtë, por nga zemra e njeriut. Ajo që e bën njeriun të papastër nuk është as ushqimi, as veshja, por ligësia që vjen nga zemra e tij.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi. Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara. Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të dokeve të të parëve. As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh tryezash. Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin: “Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar të papastra?” Ai u përgjigj: “Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi: ‘Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje. I kotë është kulti që më bëjnë, kur mësojnë kinse mësim të Hyjit – rregulloret që i qitën njerëzit.’ Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.” Atëherë e thirri përsëri popullin rreth vetës dhe i tha: “Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend! S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut – ajo e bën të papastër. Sepse prej brendisë – prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, kurorëthye-rjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenia, marrëzia. Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun të papastër.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Një besim i jetuar vetëm në kremtime formale e në dëgjesë pasive të Fjalës së Hyjit zbulohet si ai besim, i kritikuar nga Jezusi, që është i përbërë nga pamja e jashtme, dhe është i paaftë të rrënjoset në jetën reale.

“Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar të papastra”. Hipokrizia e skribëve dhe e farisenjve është shumë dinake. Ata i bëjnë Jezusit pyetje jo për të mësuar, por për ta zënë në gabim, jo për të qenë shpëtuar, por për ta çnderuar. Pretendojnë të vënë në jetë Ligjin e Hyjit, duke përdorur më shumë se gjashtëqind rregulla të ndërlikuara e të rreme. Krijojnë kështu largimin nga vullneti i vërtetë i Hyjit.

Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje”. Jezusi pohon se hipokrizia është distanca që krijohet mes buzëve dhe zemrës, është maska që vendosim kur jemi në kishë dhe e heqim kur dalim; thekson se Urdhërimi i Hyjit e traditat e njerëzve janë dy realitete të ndryshme. Urdhërimi është i përjetshëm, traditat janë të përkohshme.

S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të”. Jezusi, gjithashtu, refuzon dallimin mes të pastër e të papastër, mes përmasës fetare e përmasës jo fetare: mëkati nuk është në gjëra; e mbajmë brenda nesh. Ai shikon atë që ka brenda. Të shkëmbesh pamjen e jashtme me brendësinë e zemrës është idhujtari. Qendra e besimit është zemra e njerëzve, e aftë të ndërtojë ose të shkatërrojë bukurinë e planit të Hyjit.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Krishti sot flet kundër hipokrizisë e praktikave fetare vetëm në pamje të jashtme. Të lutemi që të jetë në ne ndërlidhja mes akteve të jashtme dhe asaj që ndjejmë në zemër. Të themi me fe:

 Na dëgjo, o Zot.

L. Që barinjtë e Kishës, nën shembullin e Krishtit, të vënë në praktikë mësimet e Ungjillit. Të lutemi.

L. Që autoritetet civile të kenë gjithmonë një vëmendje të veçantë për të pafuqishmit, të sëmurët, të braktisurit. Të lutemi.

L. Që të krishterët të verifikojnë në mënyrë të qëndrueshme nëse praktikat e tyre fetare e tregojnë qartë fenë e tyre. Të lutemi.

L. Për ne që marrim pjesë në këtë Eukaristi, që të dimë të sjellim në jetën tonë atë që besojmë. Të lutemi.

 

M. O Hyj, që njeh mendjen dhe zemrën, na liro nga formalizmi dhe nga çdo hipokrizi që, duke patur rrënjë e themele në mirësi, të adhurojmë Krishtin e t’i shërbejmë përvujtërisht në vëllezërit tanë. Ai jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »