Feja kundrejt traditave njerëzore

Sep 2 • Meditimi i ditës

2 shtator 2018 – E diela 22-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Lp 4, 1-2.6-8; Ps 14; Jak 1, 17-18.21b-22.27; Mk 7, 1-8.14-15.21-23)

 

Prania e Hyjit

Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejtësisht me ty
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

Edhe sot në fillim të këtij meditimi kërkoje heshtjen – dhe ji i/e qetë vetëm për një moment të ndërgjegjshëm. Tërhiqu nga zhurma që të rrethon përjashta. Dhe provo ta çaktivizosh zhurmën e brendshme që është brenda teje.

 

Ndërgjegjësimi

Vetëdijesohem se jam në praninë e Hyjit.

Do të gjej mburojën në zemrën e tij që dashuron.

Ai është fuqia ime në momentet e dobësisë,

ngushëllues në momentet e trishtimit.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur,përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 


 

Mk 7,1-8.14-15.21-23

 

Në atë kohë:

1 Rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi. 2 Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar “të papastra” – d.m.th. të palara.

3 Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të zakoneve të të parëve. 4 As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra të tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh remi (tryezash).

5 Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin:

“Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar “të papastra”?”

6 Ai u përgjigj:

“Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi:

‘Ky popull më nderon me buzë,

kurse zemra e tyre është larg meje.

7 I kotë është kulti që më bëjnë,

kur mësojnë gjasme mësimin e Hyjit

‑ rregulloret që i qitën njerëzit.’

8 Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.”

14 Atëherë e thirri përsëri popullin rreth vetes dhe i tha:

“Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend! 15 S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut ‑ ajo e bën të papastër.

21 sepse prej brendisë ‑ prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, 22 kurorë‑ thyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenaria, marrëzia. 23 Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun të papastër.”


 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve,” u thotë Jezusi skribëve dhe farisenjve. Por si duhet t`i dallojmë këto dy gjëra? Gjatë shekujve shumë debate kanë lindur në lidhje me këtë çështje – dhe shumë skizma (ndasi) gjithashtu! Feja dhe tradita njerëzore janë aq ngushtë të lidhura me njëra-tjetrën. Por si e dallon çka është prej fesë e çka prej traditës? Si e shpjegon në praktikë dallimin mes urdhërimeve të Hyjit dhe ‘traditave njerëzore’?

Në botën përreth teje, ku i sheh njerëzit “duke i mësuar parimet njerëzore si doktrina”? Ku i sheh urdhërimet e Hyjit se po neglizhohen në favor të ‘traditave njerëzore’?

Ndërsa e dëgjoj sërish leximin, le të më kujtohet se jam tempulli i Shpirtit të Shenjtë, se Hyji banon në mua. Çka është duke më mësuar Jezusi kur flet për gjërat që hyjnë dhe ato që dalin nga ai tempull?

 

Bashkëbisedimi

Cilat ndjenja t`u shfaqen gjatë kohës që i dëgjove këto fjalë sfiduese të Jezusit? 

A ndihesh i/e zemëruar? I/e sfiduar? Pakëndshëm? I/e pasigurt? I/e hutuar? 

Cilado qofshin mendimet dhe ndjenjat e tua, silli ato para Zotit tani, duke folur me të dhe duke e dëgjuar atë, me ndershmëri dhe çiltërsi të plotë.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Ështëtronditëse, sesi rreth teje, Jezu ndodhnin kontradiktat, e ti e pastron aderimin – përqafimin e fesë që thjeshtë kufizohet në ritet e jashtme të ligjit.

Versioni farise i fesë shtypte jetën e njeriut dhe ndalte rritjen personale.

Jezus i dashur, ti ke protestuar kundërhipokrizisë së atyre që ishin larguar nga urdhërimet e Hyjit për tu kapur për “traditën njerëzore”.

O Zot, legalizmi (reduktimi i fesë vetëm në anën sipërfaqësore të fesë, mbajtjen e ligjit) është një karikaturë e fesë së vërtetë. Po më fton të shikoj në brendësi – në thelbin e çështjes.

Më liro që mos ta vendos ligjin para dashurisë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Comments are closed.

« »