Çfarë autoriteti i jep fjalës së Zotit në jetën tënde?

Sep 4 • Meditimi i ditës

4 shtator 2018 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Kor 2,10b-16; Ps 144,8-14; Lk 4,31-37)

 

Prania e Hyjit

Të gjithë kemi nevojë që të pushojmë pak prej ngjarjeve të përditshme.

Dhe e dimë që trupi ynë ka nevojë për pushim.

Kur të afrohemi ty, o Zot, zemra dhe mendja jonë gjejnë freskim,

shpirti ynë sërish lartësohet.

 

Liria

Ti, o Zot, je qendra e jetës sime.

Në mes të preokupimeve të mia, të gjitha shqetësimeve, bezdisjeve dhe brengave që i kam në mendjen time tani, a mund të përqendrohem për një moment në qendrën e jetës sime?

A mund t`ia çeli zemrën time Hyjit, udhëzuesit tim, shëruesit tim, mësuesit tim?

A mund të ndalem për një moment dhe ta dëgjoj zërin e Zotit?

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, si po ndihem sot?
A jam ndoshta i/e lodhur, a kam stres apo jam jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj, dëgjoj me vëmendje dhe kuptim.

Ia vë mendjen fjalisë apo ngjarjes që më lë më shumë përshtypje.


Lk 4, 31-37

 

31 Atëherë [Jezusi] zbriti në Kafarnaum, qytet i Galilesë dhe mësonte ditën e shtunë.32 Njerëzit i magjepste mësimi i tij, sepse fjalën e kishte plot autoritet.

33 Në sinagogë ndodhej një njeri që në trup kishte shpirtin e djallit të ndytë. Ai bërtiti me zë të lartë:

34 “Hej, ç’ke me ne, Jezus Nazareni? A erdhe të na farosësh? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!”

35 “Praj dhe dil prej tij! ‑ i urdhëroi Jezusi.

Djalli e rrëzoi para tyre e doli prej tij pa e lënduar fare. 36 Të gjithë i kapi frika dhe i thoshin njëri‑tjetrit:

“Çfarë fjale! Ky po u urdhëron me pushtet e fuqi shpirtrave të ndytë e ata po dalin!”

37 Dhe u përhap zëri për të nëpër të gjitha vendet e krahinës.


Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • `Njerëzit i magjepste mësimi i tij, sepse fjalën e kishte plot autoritet‘ – Jezusi i magjeps njerëzit. Përpiqu një çast të kapësh diçka nga radikaliteti i mësimit të Krishtit. Cila pjesë e mësimit të Krishtit të magjeps?
  • Sa radikale është përgjigjja jote ndaj mësimit të Krishtit? Çfarë autoriteti i jep fjalës së Zotit në jetën tënde? Si e formon fjala e Zotit personin që je?
     
    Dëgjoje përsëri ungjillin, duke vënë re përgjigjet, reagimet e ndryshme ndaj mësimit të Krishtit.
Bashkëbisedimi
Çfarë do të ta mundësonte t`i japësh më shumë autoritet fjalës së Zotit në jetën tënde, e jo autoritetit të supozuar të zërave të tjerë të panumërt që kërkojnë vëmendjen tënde? 
Kërkoji Krishtit të të ndihmojë t`i japësh autoritet zërit të tij në jetën tënde sot.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty. 
Në ungjillin e sotëm dëgjova se flitet për djajtë, shpirtrat e ndytë? 
Po e pyes veten: A është kjo vetëmnjë histori e vjetër apo djajtë e mi janë gjallë dhe mirë? 
A irezistoj ndihmës tënde, o Zot, në luftën kundër tyre? 
O Zot, bëj që të pranoj se i kam edhe unë djajtë e mi dhe të të lejoj ta pushtosh varfërinë time me autoritetin e fuqisë satetë dhembshurisë dhe shërimit. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »