Fara e shpirtit të zotit brenda teje

Sep 5 • Meditimi i ditës

5 gusht 2018 – E mërkurë, Shën Tereza e Kalkutës, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Is 58, 6-11; Ps 33; Mt 25, 31-40)

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që krejt qenien time t`ia çeli pranisë sate.

Më rretho me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Bëhem i vetëdijshëm se si Hyji më ushqen, se si kujdeset për nevojat e mia dhe më mbush me gjëra të mira; se si çdo gjë që është e mirë në jetën time vjen prej Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur se ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej realisht.
Sepse Zoti më do pikërisht të tillë siç jam në realitet.

 

Fjala

Zoti i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ta dëgjoj në atë mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.

E lexoj, e dëgjoj tekstin e Shkrimit Shenjt, dhe vërej çfarë po ndodh në zemrën time…


 

1 Kor 3,1-9

 

1 E vetë, vëllezër, nuk munda t’ju predikoj porsi njerëzve shpirtërorë, por porsi qenieve tokësore, porsi foshnjave në Krishtin. 2 Ju dhashë të pini qumësht e jo ushqime të forta, sepse ende nuk mund t’i bluanit. Po, madje as tani s’jeni në gjendje, 3 sepse ende jeni tokësorë. Dhe, njëmend, derisa në mes jush të ketë smirë e grindje, a thua nuk jeni tokësorë, a thua nuk silleni në mënyrën e njeriut thjesht lëndor? Sepse, kur ndonjëri thotë: “Unë jam i Palit” e një tjetër: “Unë jam i Apolit”, a nuk jeni vetëm njerëz thjesht natyrorë?

5 Po çka është Apoli? Çka është Pali? Shërbëtorë, me anë të të cilëve ju e pranuat fenë. Secili veproi sipas dhuratave që Hyji i dha: 6 Unë mbolla, Apoli lagu, por Hyji bëri që të rritet. 7 Kështu: nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet. 8 Ai që mbjell e ai që lag janë të barabartë. Secili sipas mundit që të ketë bërë, do ta marrë shpërblimin. 9 Sepse ne punojmë së bashku në punën e Hyjit; e ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit.


 

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

·                    ‘Derisa në mes jush të ketë smirë e grindje, a thua nuk jeni tokësorë, a thua nuk silleni në mënyrën e njeriut thjesht lëndor?’ Mendo për një situatë në jetën tënde në këtë kohë në të cilën je duke u sjellë në një mënyrë që është më pak e dëshirueshme për ty … Ndoshta je xheloz apo jo miqësor, ose i paaftë për të falur … Vetëm bëhu i vetëdijshëm për gjendjen ose vendin në zemrën tënde ku është duke u zhvilluar kjo betejë. Kjo nuk ka të bëjë me gjykimin e vetvetes apo bërjen e zgjidhjeve të shpejta, por vetëm me bërjen i vetëdijshëm për situatën.

·                    Tani sille situatën tënde në praninë e Hyjit dhe ftoje Hyjin që të mbjell farën e Shpirtit të Tij në atë vend brenda zemrës ku ke nevojë për Frymën, Shpirtin e Tij për të të ndihmuar. Vetëm hape zemrën tënde dhe lejoji që fara e Shpirtit të Tij të lëshojë rrënjë brenda teje.

Dëgjoje përsëri leximin, dhe vë re se kush bën që farat të rriten.

 

Bashkëbisedimi

Kërkoji Zotit hirin që të nevojitet për të lejuar që këto fara të Shpirtit të Tij të rriten brenda teje sot.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Në përkujtimin e Shën Nënë Terezës, po e lus me mbarë Kishën katolike lutjen e parashikuar gjatë meshës kushtuar asaj: O Hyj, Ti e thirre të lumen Terezë virgjër, t’i përgjigjej dashurisë së Birit tënd të etur në kryq me një dashuri të thellë për më të varfrit ndër të varfër; bëj po të lutemi, që me ndërmjetësinë e saj, t’i shërbejmë Krishtit në vëllezërit tanë që vuajnë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »